PS: Shembjet e rrugës së kombit, qeveria po hesht
Tuneli i Kalimashit,
vazhdon të jetë i mbyllur, dhe ende askush nuk jep shpjegime, as për atë çka
ndodhi në tunel, e as për masat e marra nga kjo qeveri që rruga e kombit të
bëhet sërish e kalueshme dhe e përdorshme nga qytetarët shqiptarë e kosovarë
Tiranë, 23 Janar NOA - Partia Socialiste në një
tjetër dalje për mediat, akuzoi sot qeverinë se po hesht për shembjet e rrugëve
në akse të rëndësishme kombëtare dhe ilustroi me dëmtimin sipas saj prej 4
ditësh, të ndodhur në rrugën Durrës-Kukës.
Prej 4 ditësh, Ministria e Transportit hesht,
duke u përpjekur të mbajë të fshehur të vërtetën e asaj që po ndodh me rrugën e
kombit, - thuhet në një reagim të selisë rozë i përcjellë sot, nga deputeti i PS, Gjovalin Kadeli.
Tuneli i Kalimashit, vazhdon të jetë i
mbyllur, dhe ende askush nuk jep shpjegime, as për atë çka ndodhi në tunel, e
as për masat e marra nga kjo qeveri që rruga e kombit të bëhet sërish e
kalueshme dhe e përdorshme nga qytetarët shqiptarë e kosovarë, - vëren PS.
Fatkeqësisht, - vijon reagimi, - katastrofat e
krijuara nga papërgjegjshmëria e Sali Berishës po vijnë njëra pas tjetrës, dhe
qeveria e votave të vjedhura është kthyer në një skuadër zjarrfikësish, që ka
gjithmonë një zjarr për të shuar.
Në këtë pikë, PS shtron një mori pyetjesh: Çfarë
po ndodh me rrugën e Kombit? Përse po shembet dita ditës, pjesë-pjesë? Çpo
ndodh në tunel? Kur do të hapet ai? Sa do të kushtojë? Po shembjet e pjesëve të
tjera të rrugës, faji i kujt është? Përse po ndodhin? Kur do të riparohen? Sa
do të kushtojnë riparimet dhe kush do i paguajë këto para?
Akoma po vazhdoni të merrni borxh për të larë
borxhet ku një pjesë do ta përdorni për investime, mos vallë do ketë fatin e shpërdorimit
të madh si më parë?.
Të gjitha këto pyetje, - vlerëson PS, - janë
pyetjet e shqiptarëve, për të cilat qeveria e votave të vjedhura është e
detyruar të japë përgjigje.
e.r/NOA