E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputetët e pavotuar, jo në Kuvend

Kreu i ekipit të asistencës së BE-së, Kellermann, komenton krizën politike shqiptare
Mospranimi i menjëhershëm i rezultatit të zgjedhjeve nga opozitat dhe bojkoti prej tyre i Parlamentit ka shoqëruar jetën politike të Shqipërisë postkomuniste. Por situatat janë normalizuar me futjen e tyre pas një periudhe në Parlament. Tani në Shqipëri ka një situatë të paprecedentë. Deputetët e opozitës nuk kanë bërë betimin në Parlament, kur ai filloi në shtatorin e kaluar. Ata janë jashtë Parlamentit që atëherë, pasi kërkojnë hapjen e kutive të votimit në disa rajone, ku, sipas tyre, ka pasur parregullsi, që kanë deformuar votën e elektoratit të majtë.
Opozita ka zgjedhur rrugën e protestave dhe të vendimit politik për të vazhduar bojkotin e Parlamentit, në rast se mazhoranca nuk ndryshon vendimin e saj për të mos hapur kutitë.Në radhët e deputetëve opozitarë të PS-së ka edhe një grup të vogël të quajtur “Grupi i mendimit ndryshe”, i kryesuar nga Ben Blushi, që ka vendosur të thyejë vendimin dhe të futet në Parlament. Kryetarja e Parlamentit përsëriti ditët e fundit paralajmërimin se në rast se rreth 59 deputetë opozitarë nuk do të zënë vendet e tyre në Parlament brenda 6 marsit, ata do të zëvendësohen me deputetë të listës emërore të PS-së, të cilët në zgjedhjet e 28 qershorit nuk fituan numrin e duhur të votave për të qenë deputetë.
Paralajmërimi i kryetares Topalli mbështetet në nenin 71 të Kushtetutës. Ky nen ka tri pika që saktësojnë se kur mandati i një deputeti ndërpritet. Njëra prej tyre është rasti kur ai nuk merr pjesë në Parlament për 6 muaj rresht. Në 6 mars mbushen plot 6 muaj nga puna e Parlamentit të ri të Shqipërisë dhe bojkoti i tij nga opozita.
Debati i zjarrtë
Mundësia e zëvendësimit të grupit të deputetëve të votuar nga zgjedhësit me një grup kandidatësh për deputetë që nuk u votua, ka ngjallur një debat të zjarrtë në Shqipëri. Një pjesë e konstitucionalistëve është pro kësaj zgjedhjeje dhe nxit deputetët socialistë të futen në Parlament dhe të mos sfidojnë Kushtetutën.
Konstitucionalistja Aurela Anastasi këmbëngul që duhet respektuar Kushtetuta dhe nuk duhet krijuar precedenti i sfidimit të saj.
“Kushtetuta duhet parë si një garanci për partitë politike dhe subjektet elektorale. Prandaj deputetët opozitarë duhet të zënë vendet e tyre në Parlament para datës 6 mars”, thotë ajo. Ndërsa konstitucionalisti Niazi Jaho mendon ndryshe. Ai thotë se "në nenet e Kushtetutës nuk parashikohet zëvendësimi i një grupi të deputetëve, pasi kjo dëmton parlamentarizmin dhe parimet e tij".
Kellermann: Kryesore, interesat e vendit
Alfred Kellermann, ekspert i BE-së për çështje ligjore, profesor në Universitetin e Asser-it në Holandë dhe kryetar i ekipit të asistencës së BE-së në Ministrinë e Integrimit Europian për adaptimin e legjislacionit shqiptar me atë europian, deklaroi për programin shqip të “Dojçe Veles” se kjo situatë tregon që Shqipëria po përpiqet të ndërtojë demokracinë e vërtetë, por ende nuk e ka arritur në kuptimin që kjo ka për demokracitë në Bashkimin Europian.
“Mendoj se duhet gjetur zgjidhje politike që është në interes të vendit. Partitë politike duhet t'u japin përparësi interesave të vendit dhe jo interesave të tyre. Ato nuk duhet të parandalojnë realizimin e një kompromisi politik mes palëve", thotë Kellermann.
Ai thekson se zëvendësimi dëmton parlamentarizmin dhe shtrembëron votën e zgjedhësve, pasi në rast të zëvendësimit me emra nga lista shumemërore e partive të majta opozitare, atëherë në Parlament do të jenë persona që populli nuk i ka votuar. Alfred Kellermann shton se në rastin e një vendimi politik të opozitës nuk është e udhës t'i drejtohesh Kushtetutës.
“Mendoj se në këtë rast referencat me Kushtetutën e Shqipërisë nuk janë të dobishme, sepse është i rëndësishëm vullneti politik nga palët për interesat e Shqipërisë”, pohon ai.
Por, zëvendësimi në grup i deputetëve të votuar nga elektorati me ata të pavotuar demonstron paaftësinë e klasës politike për kompromis.
“Në qoftë se Shqipëria nuk arrin me sukses të realizojë këtë kompromis mes forcave politike, atëherë ky është tregues i qartë se ajo nuk plotëson kriterin e kompromisit që duhet për pranim në BE. Ky kriter është një parakusht për anëtarësimin në BE. Prandaj, partitë politike duhet të gjejnë patjetër gjuhën e kompromisit politik dhe daljes nga situata me mjete politike”, konstaton eksperti i BE-së për çështje ligjore dhe të Kushtetutës, profesori Alfred Kellermann.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›