E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti 2012, i propozuar nga palët apo mbi palët

Forum

Cili është komenti i Zogajt, Finos, Haxhinastos, Koçit e Ndokës
Dy vjet para mbarimit të mandatit të Presidentit aktual, Kryeministri Sali Berisha deklaron me bindje se edhe ai i radhës i takon shumicës. Por a ka ardhur koha që Shqipëria të ketë një President të propozuar nga njëra palë apo i qëndron fort nevojës për një President që duhet të zgjidhet me konsensusin e forcave politike e që qëndron mbi palët. Aktorë të ndryshëm të politikës shtrojnë nevojën e ndryshimeve të reja kushtetuese, të cilat sjellin një kryetar shteti të zgjedhur direkt nga populli.
Preç Zogaj
është herët për të folur për këtë çështje, sepse është një spostim i madh i papërligjur i axhendës. Tashmë ne e dimë që me ndryshimet e fundit kushtetuese, Presidenti zgjidhet me shumicë të thjeshtë. Por deri në vitin 2012, në të cilin vazhdon mandati i Presidentit Topi, do të rrjedhin shumë ujëra dhe do të jenë zhvillimet ato që krijojnë edhe sfondin politik të zgjedhjes së Presidentit dhe jo ai juridik. Sfondi në kornizën juridike dihet, nga ana tjetër korniza politike nuk dihet asnjëherë. Në këtë kuadër ngjarjet politike dihet që do të ndikojnë shumë në këtë zgjedhje. Nisur nga kjo, zgjedhja e Presidentit të Republikës së Shqipërisë shpeshherë është përcaktuar nga korniza politike dhe ne e dimë kornizën juridike, ajo është e njohur, por janë lëvizjet politike që ndikojnë dhe përcaktojnë ndonjëherë.është shumë shpejt akoma, ne jemi në një krizë të ndërkombëtarizuar dhe jo një krizë lokale që e njohim vetëm ne.
Bashkim Fino
Normalisht kjo është deklaratë për të hequr vëmendjen nga ngjarjet e ditës dhe është shpejt për të diskutuar për vitin 2012. Kjo tregon pasinqeritetin e këtij Kryeministri, sepse kur ne kemi qenë në pushtet jemi ulur në tavolinë me PD për ta zgjedhur Presidentin dhe kështu ka ndodhur. Në rastin e fundit nuk ndodhi kështu, sepse nuk do të ishte asgjë e keqe nëse Presidenti do të ishte një intelektual apo i pavarur, siç ndodhi në rastin tonë. Pavarësisht ndryshimeve Kushtetuese që janë bërë, ai sot po përfiton nga ato ndryshime të rregullave që ne kemi bërë dhe këtë gjë ai e thotë se në Kushtetutë thuhet qartë se në raundin e fundit Presidenti duhet të votohet me 71 vota dhe ai bashkë me LSI-në i kanë mundësitë për të gjetur një President të djathtë. Kjo do të jetë më shumë një fatkeqësi për LSI-në që është në pushtet me ta, sesa për ne që ia kemi dhënë këtë mundësi. Nuk jemi bërë pishman që kemi bërë ndryshimet kushtetuese. Përfitimi i tij nga rregullat tona është pikërisht ky.
Edmond Haxhinasto
Mendoj se në këtë çështje dy gjëra janë themelore. E para: që Presidenti zgjidhet nga mazhoranca është tashmë e fiksuar mjaft qartë në Kushtetutën e vendit pas ndryshimeve të saj në prill të vitit 2008. Sipas këtyre ndryshimeve, Presidenti i Republikës zgjidhet me mazhorancë të thjeshtë, pra me 71 vota. Kjo do të thotë që çdo mazhorancë që ka 71 vota mund ta zgjedhë Presidentin. Amendimi kushtetues që ka ndodhur është themelor: më parë kërkoheshin 84 vota, pra një mazhorancë e cilësuar, që do të thotë që për zgjedhjen e një Presidenti nuk mjaftonte të ishe parti apo koalicion në mazhorancë, por, duke pasur parasysh se një mazhorancë nuk mund të kishte 84 vota e vetme, duhet të arrije edhe një konsensus me opozitën. Në procesin e arritjes së konsensusit do të kishte pastaj çdo hapësirë që kandidatura presidenciale të propozohej nga opozita, duke e përdorur këtë mekanizëm si një balancë dhe ekuilibër midis vetë pushtetit të opozitës e atij të mazhorancës. Apo mund të përdorej si një mjet për të arritur një kompensim për pushtetin që zotëronte secila anë e politikës, në rast se ndonjëra prej tyre kishte administruar më shumë se tjetra.
Tashmë dihet fort mirë që amendimi kushtetues për zgjedhjen e Presidentit është bërë me kërkesën dhe miratimin e plotë të Partisë Socialiste. Kështu, Partia Socialiste i hoqi të drejtën institucionale vetes, që në momentin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës të përdorte në mënyrë të kushtëzuar votat e saj si opozitë, duke kërkuar pranimin e kandidaturës së saj. Për këtë, PS-së nuk i ka faj askush, por vetëm vetja. Së dyti: problem mendoj se përbën vetë koncepti që Presidenti në vetvete trajtohet si një person partiak, i cili do t’u shërbejë interesave të asaj partie në mënyrë të bindur. Ky është një gabim i rëndë, pasi pavarësisht nga propozuesi i kandidaturës, Presidenti i Republikës nuk mund të jetë përfaqësues partiak, por simboli i unitetit të shtetit, një figurë mbipartiake e gjithëpërfshirëse. Në këtë mënyrë ai mund të realizojë me sukses detyrat e përgjegjësitë kushtetuese dhe të bëjë të funksionojë sistemi i balancës dhe kontrollit midis sistemeve. Kjo është veçanërisht e domosdoshme për funksionet e Presidentit si kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Duke qëndruar në majën e piramidës së drejtësisë, një pushtet krejtësisht i pavarur, çdo implikim apo njëanshmëri partiake do ta vendoste në pikëpyetje besueshmërinë e gjyqësorit dhe së bashku me të, edhe besueshmërinë e funksionimin normal të të gjithë sistemit tonë demokratik.
Së fundmi, zgjidhja në 2012-n. Një çështje shtrohet për zgjidhje nëse përbën një problem të pazgjidhur. Unë vlerësoj se nuk ka asnjë pengesë institucionale që mazhoranca aktuale të zgjedhë presidentin në 2012. Ndryshe qëndron çështja nëse do të ketë një iniciativë që të ndryshohet mënyra e zgjedhjes së tij, gjë që do të kërkojë ndryshime kushtetuese. Kjo pastaj do të kërkojë një debat mjaft të gjerë, duke vlerësuar çdo alternativë racionale, siç mund të ishte ajo e zgjedhjes së Presidentit nga populli.
Nard Ndoka
Kjo është pjesë e aventurës së Berishës dhe nuk ka asnjë të re. Pra, është i prirur drejt mekanizmit të shkatërrimit të institucioneve. Megjithatë lidhet edhe me pjesën e Presidentit. Kuptohet që ndryshimet kushtetuese ishin një goditje shumë e madhe që iu dha institucioneve dhe u shemb sistemi me ndryshimet kushtetuese. është një kosto për opozitën dhe është një avantazh për politikanët e papërgjegjshëm, siç është z. Berisha. Rrezik i madh është, sepse ne kemi humbur rolin e Presidentit. Presidenti nuk është mbi palët, por është palë dhe ky është një dëm i madh që i është bërë demokracisë dhe garancive të Kushtetutës janë shembur me atë marrëveshjen mes Partisë Demokratike dhe Socialiste, pra deformimi është qysh në ndryshimet kushtetuese. Aventura të tilla priten njësoj. Edhe sikur të ishte Partia Socialiste në pushtet. Ne kështu i kemi precedentët, pra nuk kemi një President mbi palët, një President garant të Kushtetutës, por kemi një President, i cili rreshtohet me palët, madje në disa raste me Kryeministrin.
Petro Koçi
Kjo është pasojë e asaj që bëri Rama me Berishën në favor të mazhorancës, pra Presidenti është i mazhorancës dhe konfirmon edhe një herë kambanat e alarmit që ne lëshuam kur erdhi pragu i ndryshimeve kushtetuese. Gjykoj që për situatën politike të krijuar, më e udhës do të ishte një President konsensual, sepse një President vetëm nga mazhoranca do të thotë se është thelluar hendeku i mosmarrëveshjeve me opozitën. Megjithatë duhet pranuar se ka faj kryesor për skemën aktuale kushtetuese që ka vendi sot. Problemi i Presidentit nuk është vetëm ky, por është pasoja, pasoja e funksioneve të institucioneve që lidhen me Presidentin dhe nënshtrimin ndaj qeverive. Ndaj vendi ka nevojë për një Kushtetutë tjetër, për një sistem të ri. Jam i çuditur nga fakti që opozita nuk e ka këtë çështje si prioritare në alternativën e saj. Kjo tregon edhe një herë se ndryshimet kushtetuese të prillit 2008 janë bërë pa pikë transparence dhe këto vijnë si lajme të çuditshme tani. Se çfarë ka dashur njëri dhe se çfarë ka dashur tjetri, asnjë nuk e di dhe secila nga palët mund të deklarojnë çfarë të dojë, sepse publiku nuk është dëshmitari i atyre negociatave. Ne na duhet një proces politik, ku publiku është gjithmonë prezent. Sa i përket zgjedhjes së tij duhet të fillojë nga një kuorum, ku përfshihet edhe opozita, deri në zgjedhjen nga populli. Unë do të isha për zgjedhjen nga populli. Që do të thotë një President më i fuqishëm që ka më tepër kompetenca dhe një arsye kushtetuese më shumë për të shpëtuar nga dhuna dhe diktati i mazhorancave, qofshin këto të PD-së apo të opozitës.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›