E Shtunë, 31 Tetor 2026

Programet Tempus në Shqipëri, 1 milionë euro për vitin 2010

Buxheti

Buxheti i programit Tempus për vitin 2010 në Shqipëri do të jetë 1 milionë euro. Aktualisht në vendin tonë janë në zbatim 10 projekte, të cilat përfshijnë fusha të ndryshme të universiteteve. Qëllimi parësor i programit Tempus IV, i cili ka nisur të zbatohet në vitin 2008 dhe do të vazhdojë të veprojë deri në vitin 2013, është të transformojë projekte aktuale në sistemin e Bolonjës. Nga ana tjetër, ky projekt synon të ndihmojë në modernizimin e kurrikulave, në ndërtimin e cikleve të studimit, si dhe në organizimin e trajnimeve të ndryshme në shkollat e larta. 10 projektet që janë në zbatim në Shqipëri kanë si objektiv edhe realizimin e shërbimeve të ndryshme në funksion të shoqërisë. Zbatimi i tyre synon përmirësimin dhe kontrollin e cilësisë në institucionet e arsimit të lartë, në kuadrin kombëtar të kualifikimeve, por edhe në organizimin e shkollave verore e konferencave shkencore. Zyra Tempus ka fituar atribute të reja për realizimin e Programit Tempus IV. Ajo është monitoruese e zbatimit cilësor të programeve JP dhe SM, dhe po punon në realizimin e bashkëpunimit të universiteteve, MASH-it dhe Delegacionit të Bashkimit Evropian në vendin tonë. Faktorë këto që ndikojnë drejtpërdrejt në arritjen e standarteve që kërkohen sot në fushën e arsimit të lartë. Diskutimi mbi mënyrat e aplikimit të programeve evropiane në fushën e arsimit u zhvillua, dje, gjatë një konference pune, në kuadër të Ditës Informative të Tempusit në vendin tonë. Qëllimi i kësaj konference ishte jo vetëm prezantimi i programeve Tempus, por edhe krijimi i një “ure” bashkëpunimi nëpërmjet Komisionit Evropian, vendeve Perëndimore, Juglindore dhe Mesdhetare, me qëllim ndërtimin e një zone të përbashkët evropiane për arsimin e lartë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›