E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çamët e PDU, 60 mijë euro për banorët e përmbytur në Shkodër

Tiranë, 23 Janar NOA - Pas thirrjes të
drejtuar nga Këshilli Kombëtar i Partisë Drejtësi dhe Unitet, dhjetëra
mbështetës të kësaj partie si edhe sipërmarrës janë solidarizuar me qytetarët e
zonave të përmbytura në veriperëndim të vendit.

Me qëllim shprehjen praktike të këtij
sensibilizimi, Partia Drejtësi dhe Unitet, Klubi i Patriotëve të rinj, si edhe
sipërmarrës, mbështetës të kësaj partie kanë udhëtuar paraditen e sotme në
Shkodër, ku kanë dorëzuar ndihmën e tyre materiale dhe kanë shprehur
mbështetjen morale ndaj qytetarëve të Shkodrës dhe Lezhës.

Delegacioni, i drejtuar nga kryetari i PDU-së,
Shpëtim Idrizi u prit nga prefekti i Qarkut Shkodër dhe kryetari i bashkisë së
Shkodrës.

PDU i dorëzoi shtabit të emergjencës një
ndihmë prej 30 milionë lekësh, një transformator që mund të përdoret në lagjet
e Shkodrës ose në fshatrat përreth, si edhe dhjetëra tonë ushqime, veshmbathje,
ilaçe dhe ushqim për bagëtinë, me vlerë më shumë se 40 mijë eurosh ose në total
mbi 60 mijë euro në të holla dhe materiale.

Gjatë takimit të zhvilluar në shtabin e
emergjencave, në emër të PDU-së, kryetari i kësaj partie, z. Shpëtim Idrizi tha
se shqiptarët u janë gjendur gjithnjë afër bashkëkombësve të tyre në rastet
kur ata kanë pasur nevojë. Katastrofa të këtij lloji që ndodhin një herë në 100
vjet e vërtetojnë këtë fakt me solidarizimin e qindra mijë qytetarëve me
banorët e Shkodrës dhe të Lezhës.

Duke folur mbi këtë solidaritet z. Idrizi
vendosi theksin në rrënjët historike të solidaritetit shqiptar. Cili komunitet
tjetër mund të ishte më solidar sot sesa çamët, kur shqiptarët e tjerë, përfshi
edhe shkodranët hapën dyert pas atij gjenocidi që u ndodhi dhe i ndihmuan me sa
kishin mundësi tha z. Idrizi.

Ai u bëri thirrje të gjithë aktorëve që të
mbështesin në rimëkëmbjen e zonës. Të gjithë qytetarët shqiptarë duhet të
gjenden në ndihmë të këtyre banorëve sot, duke mos pritur vetëm nga qeveria, e
cila besoj se do të arrijë të menaxhojë nevojat e banorëve, por duke kontribuar
në mënyrë aktive për popullsinë vendase.

Kryetari i këtij shtabi, prefekti i Shkodrës,
z. Maxhid Cungu falënderoi PDU-në për këtë kontribut. Solidarizimi i
komunitetit tuaj që po shprehni sot këtu në Shkodër është për tu falënderuar.
Solidarizimi që po tregoni sot është mjaft i rëndësishëm për rimëkëmbjen e zonës,
tha z. Cungu, duke informuar të pranishmit mbi masat e marra për rikthimin e
jetës në normalitet.

e.r/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›