PS: Shifrat u manipuluan nga Berisha
Sondazhi, i realizuar nga dy OJQ, njëra e gruas së Albert Gajos dhe tjetra nga Arben Imami, aktualisht shef kabineti i Berishës
TIRANË- Pas bërjes publike të sondazhit "PULS", i sponsorizuar nga Ambasada Amerikane dhe ajo Britanike, ka reaguar dje zyrtarisht edhe Partia Socialiste. Elisa Spiropali ka deklaruar se sondazhi që nxjerr fituese PD-në me 9 pikë diferencë nga PS-ja, është realizuar nga dy OJQ shqiptare, drejtpërdrejt të lidhura me pushtetin e Sali Berishës.
"Njëra OJQ është pronë e gruas së zëvendësministrit të Integrimit të Sali Berishës, dhe tjetra që ka kryetar bordi Arben Imamin, drejtorin e kabinetit të Sali Berishës.
Për ne, ky sondazh është qesharak dhe arsyeja pse e komentojmë nuk ka të bëjë me rezultatet e nxjerra nga xhepi i Sali Berishës, të cilat mund të kishin qenë edhe më të larta në favor të humbësit të 28 qershorit, por me detyrimin për të denoncuar një farsë amatorësh e ushtarësh të politikës qeveritare, që nuk duhet në asnjë mënyrë t'u shitet njerëzve si një produkt amerikan",- tha Spiropali.
Ajo shtoi se PS-ja është në avantazh dhe këtë gjë do ta shohë edhe vetë Kryeministri Sali Berisha. "Çdo tentativë banale e manipulimit të opinionit publik është e kotë, dhe po aq e kotë është edhe çdo tentativë e kryeplakut të politikës së vjetër, me sondazhe e karta, për të ndryshuar fatin e këtyre zgjedhjeve, që do të ndajnë të shkuarën me të ardhmen", - shtoi ajo.
.