Tiranë-Elbasan, 20 minuta mbërritje
PROJEKTI/ Dhjetë biznesmenë elbasanas të ndërtimit kanë realizuar një projekt për një segment me tunel
Rruga arrin në shifrat 170 milionë euro, ndërsa pritet që qeveria të japë miratimin e saj për këtë projekt
ELBASAN- Dhjetë biznesmenë elbasanas të ndërtimit kanë ndërmarrë projektin më ambicioz të sipërmarrësve shqiptarë: segmentin me tunel Elbasan-Tiranë, projekt që do të shkurtojë lidhjen me kryeqytetin deri në 20 minuta.
Shoqëria anonime "Krraba 2007" ka prezantuar në Elbasan projektin teknik të rrugës me tunel Elbasan-Krrabë-Tiranë 31,5 km e gjatë.
Në takimin e zhvilluar me këtë rast ka qenë i pranishëm edhe zv.ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve, Ernest Noka.
Kryetari i bordit të shoqërisë "Krraba 2007", Fatbardh Doko, u shpreh se rruga është projektuar të lidhë Elbasanin me Tiranën me anë të një tuneli që shkurton në mënyrë të ndjeshme distancën dhe që do ta integrojë këtë qytet në hartën e rajonit me tregues të lartë ekonomikë.
Duke treguar epërsitë e rrugës, Doko theksoi se ajo do të rrisë efektivitetin industrial të Elbasanit, vlerën e pasurive të paluajtshme të qarkut, do të forcojë prirjen për thithjen e investimeve dhe do të jetë një segment i rëndësishmë ndërrajonal.
"Rruga Elbasan-Tiranë që ne kemi projektuar është 31,5 km e gjatë dhe parashikon një tunel 2,5 km të gjatë me 4 korsi të përmasave evropiane dhe që ofron mundësinë që Elbasani të jetë larg kryeqytetit vetëm 20 minuta".
Doko theksoi se projekti meriton një zgjidhje përfundimtare që i përgjigjet perspektivave të zhvillimit të vendit brenda konceptit të Korridorit të 8-të dhe synimit strategjik të Shqipërisë për sektorin e transportit.
Nevoja e ndërtimit të këtij segmenti është theksuar në të gjitha studimet rajonale të transportit, ndërsa Masterplani i transportit të Shqipërisë e konsideron atë si përparësi të lartë. Më tej, Doko tha se përqendrimi në Elbasan i disa industrive kyçe, si: çimentos e hekurit, materialeve të ndërtimit , lëndës drusore etj ka reflektuar këtë pritshmëri prej vitesh.
"Ndërtimi i rrugës përkrah afrimin e rajoneve me tregjet nacionale dhe rajonale, zgjeron investimet agropërpunuese, fuqizon sipërmarrjet lokale dhe punësimin, zbut varfërinë sidomos në zonat e Cërrikut, Gramshit, Belshit e Kuçovës". Ai tha se për këtë projekt kishin dy vite që punonin. "Rruga ka prespektiva të mëdha përgjatë korridorit të 8-të, - u shpreh Doko.
- Ajo i shërben Maqedonisë, Greqisë, Kosovës. Tuneli i Krrabës mund të duket futurizëm për disa. Por në fund të tij ne si qytetarë të Elbasanit dhe si sipërmarrës shqiptarë, gjithnjë kemi parë një dritë të bardhë e të besueshme që buron nga e ardhmja".
Projekti i rrugës
Ndërkaq, arkitekti Rajmond Hasballa bëri një ekspoze të rrugës së re që do të lidhë Elbasanin me Tiranën me anë të një tuneli 2,5 km që kalon në Qafë-Krrabë. Sipas këtij projekti, rruga do të jetë me 4 korsi, 25 metra e gjerë dhe me dy korsi emergjence. Kostoja totale është 169 437 680 euro: kostoja e tunelit është 72 585 366 dhe kostoja e rrugës është 96 852 314 euro. "Për këtë segment, - tha Hasballa, - janë disa mundësi mbi financimin dhe për shfrytëzimin.
Nëse shteti do të ndërhynte duke e bërë pjesë të përparësive, atëherë kostoja do të ulej dhe do t'i shërbente mjaft komunitetit duke shkurtuar distancat dhe ulur vlerën e qarkullimit. Mjafton të kihet parasysh se për të shkuar nga Elbasani në Tiranë do të krahasohej sa një lëvizje nëpërmjet unazës së Tiranës.
Hasballa e cilësoi vlerën të përafërt, pasi për koston ka shumë gjëra që duhen llogaritur. Marrja e kredisë për këtë rrugë në rast se do të realizohej me koncension për 30 vjet do të shlyhej për 13 vjet, ndërsa nëse merret tuneli me koncension për 15 vjet, atëherë synimi i shlyerjes është për 6 vjet.
Ndërsa për vlerën e pagesës Hasballa tha se ajo do të variojë mesatarisht për taksi dhe vetura 2,9 euro, për furgonët 5 euro, për autobusët 10 euro dhe për trailerat 8 euro. Megjithatë, në rast se shteti ndërhyn, atëherë taksa e rrugës mund të ulet ndjeshëm. Çmimet mund të ndryshojnë në varësi të situatave financiare, lëkundjes së monedhës dhe inflacionit.
Zv.ministri: Vendimi, pas zgjedhjeve
Ndërsa zv.ministri Ernest Noka u shpreh se projekte të tilla mbështeten nga qeveria shqiptare pasi janë pjesë e strategjisë për zhvillimin e infrastrukturës rrugore në të gjithë vendin.
Noka tha se projekti ka mjaft avantazhe për Elbasanin dhe se do të shihet me përparësi nga qeveria. "Elbasani është një qytet i madh që vjen menjëherë pas Tiranës. Ka pasur edhe në të shkuarën projekte për ta lidhur me Tiranën. Në vitin 1997-n një grup italian nxori koston e ndërtimit 100 milionë USD.
Në fakt, historia është pak më e hershme, në kohën e socializmit për ta lidhur Tiranën me Elbasanin me një tunel 7 km. Ky tunel do të shërbente edhe për strehimin e popullsisë së Tiranës dhe Elbasanit në rast lufte. Por për arsye financiare u la dhe nuk u bë. Ka edhe një projekt tjetër të një kompanie italiane që është saktësisht si ky projekt, por me rrugë me dy korsi me vlerë 129 milionë euro.
Por projekti i sipërmarrësve elbasanas është me katër korsi. Personalisht jam i detyruar të pohoj se për Elbasanin kjo është zgjidhja me e mirë, por në kuadër të një skeme të transportit kombëtar të harmonizuar me interesat nacionale, kam frikë se aksi i kosorciumit italian mund ta eklipsojë pak këtë projekt.
Megjithatë, për Elbasanin projekti është ideal, - vijoi Noka. I pyetur nëse e mbështet qeveria këtë projekt, zv.ministri u shpreh se "një nga kërkesat e veprave moderne është partneriteti me komunitetin.
Për zonën e Elbasanit ka disa studime të nisura nga qeveria shqiptare, ka edhe një tjetër, të projektuar nga inxhinier Ngjeqari dhe e mbështetur nga një kosorcium italian. Ata na kanë sjellë kërkesën që ministria ta ketë parasysh. E kemi pezulluar për momentin, pasi nuk kemi dashur që ta finalizojmë në këto momente që të mos i japim mundësi spekulimeve. Kërkesa e tyre dhe e "Krraba 2007" do të shqyrtohen pas zgjedhjeve".
Rruga ekzistuese
Rruga aktuale Elbasan-Tiranë nga pikëpamja altimetrike është konceptuar për kushtet e transportit para Luftës së Dytë Botërore. Gjatësia totale e saj është 54 km. Është asfaltuar në vitin 1960. Ka gjerësi 7,5 m. Kushtet e udhëtimit në nivel shumë të ulët. Shpejtësia e lëvizjës 50 km orë. Rruga përshkon një reliev malor me shpate që arrijnë deri në 45 gradë. Kuota më e lartë e rrugës është në afërsi të fshatit Gracen, 930m mbi nivelin e detit.
Problem serioz është mosakomodimi i automjeteve me tonazh të rëndë, mbi 8 ton. Ndërkohë, projekti i ri i prezantuar do të ketë një gjatësi 31,5 km dhe një autostradë 25 metra të gjerë me katër korsi dhe me një korsi emergjence. Një tunel 2,5 km përbën zgjidhjen kryesore dhe padyshim edhe koston reale.
Rruga e re pothuaj shkon paralel me atë ekzistuese, por mbi koncepte krejt të ndryshme. Rruga e re do të ndjekë itinerarin nga Teleferiku Elbasan, Kryqëzimi i Trenit, Përroi Kushes, tuneli në fshatin Mamël, dalja e tunelit tek kafja e Liut, ndjek Erzenin më pas drejt Lundrës dhe përfundon afër shkollës së policisë.
Bazuar në rezultatet e modelimit të trafikut dhe trafikut ekzistues në segmentin Tiranë-Elbasan, trafiku mesatar ditor për 25 vitet e ardhshme parashikohet të arrijë në 8503 mjete në vitin 2011, që konsiderohet si data e përfundimit të veprës. Ndërsa në vitin 2035 trafiku parashikohet të arrijë në 80 000 automjete.
Në takimin ku merrnin pjesë edhe biznesmenë, u përmend fakti se ai që ka mbështetur idenë shumë vite më parë ish-kryetari i Bashkisë së Elbasanit Engjëll Dakli. Ky i fundit madje ka shkuar më tej duke kërkuar aleancë qytetare për të mbështetur këtë segment që do t'i jepte një zhvillim të madh Elbasanit.