"Floriri kontrabandë", bien akuzat për vëllezërit Lamçe
FLORIRI
Astrit dhe Genci Lamçe, u kapën vitin e kaluar me një kuintal flori që dyshohej se ishte kontrabanduar
Prokuroria rrëzoi akuzat për Lamçet, pasi sipas saj për mallin janë paraqitur fatura të blerjes së tij jashtë vendit
TIRANË- Njësia e Task-Force-s, në Prokurorisë së Tiranës, pas hetimeve 5 mujore vendosi pushimi e çështjes penale ndaj dy vëllezërve Genci e Astrit Lamçe, të akuzuar për "kontrabandë" të floririt dhe ia liroi nga sekuestrimi rreth 120 kg flori e rreth 208 mijë euro dhe 1.5 milionë lekë të reja.
Pasuri kjo e sekuestruar mesditën e 25 shtatorit 2008, vetëm pak minuta pas arrestimit të dy vëllezërve Lamçe për dyshimin e kryerjes së veprës penale të "kontrabandës me mallra të tjerë" në bashkëpunim.
Ky fakt bëhet i ditur nga vendimi pushimit të çështjes penale me numër 3095\08 si dhe procesverbali i kthimit të sendeve të sekuestruara që i është bashkangjitur vendimit të pushimit të akuzave ndaj dy vëllezërve Lamçe, të cilët janë hetuar në gjendje të lirë.
Sipas vendimit të pushimit, dyshimi për kryerjen e akuzës së "kontrabandës me mallra të tjerë" në bashkëpunim, ndaj dy vëllezërve Lamçe nuk u arrit të provohet, në mungesë të provave materiale. "Në momentin e arrestimit, dy vëllezërve Lamçe iu kontrollua banesa dhe iu gjetën dhe sekuestruan rreth 120 kg flori, rreth 208 mijë euro dhe 1.5 milion lekë të reja.
Me sekuestrimin e kësaj sasie të madhe floririt, Antikrimi ekonomik në Policinë e Shtetit, relatoi materialet në prokurori me dyshimin se kjo sasi e madhe floriri ka hyrë në mënyrë ilegale në Shqipëri.
Por, nga verifikimet e 11 blloqeve të faturave tatimore të shitjeve të serive të ndryshme të floririt gjatë vitit 2007-'08 të sekuestruar në banesën e dy vëllezërve Lamçe, nga deklaratat doganore të viti 2007-'08, nga libri i shitjeve, ku pasqyrohen hyrje-daljet e mallit për vitin 2007-'08 dhe nga të dhënat e verifikuar në Drejtorinë e Tatimeve dhe të doganave kanë rezultuar se nga rreth 120 kg flori të sekuestruar vetëm rreth 28 kg nuk ishte e faktuar me fatura tatimore dhe deklaratë doganore.
Nëna iu fali 30 kg ar
Nga hetimi i kryer rezulton se mamaja e dy vëllezërve Lamçe me anë të një deklarate noteriale që mban datën 8 tetor 1999 ia ka dhuruar dy djemve të saj një sasi prej 30 kg flori të ndryshëm, nga 15 kg secilit. Kjo sasi, mendohet se është pjesa e cila ka rezultuar e pa doganuar dhe pa fatura tatimore",-thuhet në vendimin e pushimit të akuzave dhe lirimit të floririt të sekuestruar.
Gjithashtu, në këtë vendim, konfirmohet se edhe të ardhurat materiale të sekuestruara në banesën e dy vëllezërve Lamçe, shuma prej rreth 208 mijë euro dhe 1.5 milionë lekë të reja, ka ardhur nga shitja e një sasie të konsiderueshme floriri të importuar në Shqipëri nga Italia dhe Turqia, të faktuar dhe provuara me fatura tatimore e deklarata doganore.
Sipas prokurorisë, seksioni kundër krimit ekonomiko financiar në Policinë e Shtetit është nxituar në kryerjen e veprimeve hetimore, duke arrestuar dy vëllezërit Lamçe dhe sekuestrimin e pasurisë së tyre, të ngritur që nga viti 1993 me tregtinë legale të floririt.
Gjithashtu, sipas vendimit të pushimit, dy lingotat e floririt me peshë rreth 1.1 kg, që janë gjetur në banesën e dy vëllezërve, i janë nënshtruar akt-ekspertimit teknik nga një ekspert i Bankës së Shqipërisë për të zbardhur dyshimet se këto lingota mund të jenë vjedhur në thesarin e shtetit në vitin 1997.
"Nëpërmjet akt-ekspertimit të kryer nga eksperti me inicialet L.Dh. ka rezultuar se dy lingotat nuk kishin shenja dalluese të përbashkëta me ato lingotat që Banka e Shqipërisë ka disponuar.
Në lidhje me faktin se a kanë lidhje me sasinë e arit të vjedhur në Kërrabë, eksperti është shprehur se në Kërrabë nuk janë vjedhur dhe as nuk ka pasur lingota ari, por vetëm monedha floriri",-thuhet në vendimin e pushimit.
Operacioni i policisë
Në banesën e vëllezërve u bllokua 100 kg flori
Sipas prokurorisë, ka qenë data 24 shtator 2008, kur sektori kundër krimit ekonomiko financiar në Drejtorinë e Policisë, është informuar se në një banesë në rrugën "Vaso Pasha" të shtetasve Genci e Astrit Lamçe kryhej aktivitet i kundraligjshëm i përpunimit dhe shitjes së produkteve të arit të përpunuar.
Menjëherë janë marrë masat e mbikëqyrjes dhe ruajtjes së kësaj banese, ku me datën 24 shtator ora 10:00 brenda kësaj banese ka hyrë një grua dhe nga aty ka dalë rreth orës 12:40. Me të dalë nga pallati ajo është drejtuar drejt makinës së saj, bashkë me një qese brenda të cilës ndodheshin 976 gram flori i përpunuar. Kjo sasi ishte shitur nga dy vëllezërit Lamçe me një faturë tatimore ku pasqyroheshin vetëm rreth 317 gram flori.
Pas këtij evidentimi, është kryer kontroll në banesën dhe dhomat personale të dy vëllezërve Lamçe, ku është gjendur një kasafortë betoni, brenda së cilës ndodheshin rreth 1.5 milionë lekë të reja, rreth 208 mijë euro, 250 dollarë amerikanë, një qese plastmani me bizhuteri floriri me peshë rreth 9 kg, dy shufra floriri me peshë rreth 1.1 kg. Ndërsa, në dhomën tjetër të banesës së këtyre dy vëllezërve është gjetur dhe sekuestruar një sasi floriri e përpunuar prej rreth 110 kg.
E gjithë kjo pasuri u sekuestrua përkohësisht, me dyshimin se kjo sasi e madhe floriri është importuar pa i shlyer detyrimet doganore. Por, pas hetimeve ka rezultuar se i gjithë sasia e floririt dhe lekëve është e justifikuar me fatura tatimore, deklarata doganore e shkresa të ndryshme noteriale.
Edhe çështja penale ndaj dy vëllezërve Lamçe të kryer në gjendje të lirë është pushuar pasi nuk provohet kryerja e veprës penale të "kontrabandës me mallra të tjerë" në bashkëpunim.