Marrëveshja, si do të verifikohen pasuritë e zyrtarëve
Pesë institucione kanë hartuar strategjinë kundër evazionit fiskal dhe krimit ekonomiko-financiar
TIRANË - Verifikimi i pasurive dhe konfliktit të interesave të zyrtarëve shtetërorë ka mbledhur pesë institucione në hartimin e një strategjie të përbashkët. Një pjesë e mirë e organeve të shtetit do të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën për mbledhjen, zhvillimin dhe analizimin e informacionit në lidhje me fshehjen e interesave private pasurore, korrupsionin, krimin ekonomik, evazionin fiskal apo të aktiviteteve të jashtëligjshme që lidhen me to.
Në kuadrin e zbatimit të kësaj strategjie, Drejtoria e Përgjithshme e parandalimit të pastrimit të parave, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Avokati i Shtetit, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë dhe Inspektorati i Përgjithshëm i Deklarimit të Pasurive, do të nënshkruajnë marrëveshjet për marrjen dhe përpunimin e të dhënave që kanë të bëjnë me aktivitete të paligjshme.
Marrëveshja me Policinë e Shtetit parashikon angazhimin e forcave të rendit për ndjekjen dhe shqyrtimin e fakteve në terren, bashkë me inspektorët e ILDKP-së. Për sa i përket bashkëpunimit me Avokaturën e Shtetit, parashikohet ndjekja dhe ndëshkimi i rasteve që kanë të bëjnë me konfliktet e interesit. Në rast të përballjes me një fakt të tillë, për subjektin parashikohet një gjobë që shkon nga 50 mijë në 400 mijë lekë.
Që nga fillimi i funksionimit të zyrës së Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive, numri i përgjithshëm i subjekteve që kanë deklaruar interesat e tyre private pranë kësaj zyre, është 9064 vetë, nga të cilët 4054, që vazhdojnë në postin e tyre dhe janë të detyruar të japin të dhënat pranë kësaj zyre. Numri i atyre që kanë deklaruar për herë të parë të dhënat pranë zyrës së ILDKP-së, është 343 persona.