E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha shpall Shqipëria në moshën dixhitale

Pas “Shqipëria në moshën e internetit”, kryeministri Berisha premton “Shqipërinë në moshën dixhitale”

Kryeministri Sali Berisha nuk resht së bëri premtime, pavarësisht se sa të realizueshme janë ato. Pas premtimit për shtrirjen e rrjetit dhe shpërndarjes së internetit në të gjitha shkollat e vendit, si një hap për të realizuar sloganin “Shqipëria në moshën e Internetit”, dje, kreu i qeverisë ka bërë një premtim tjetër të po të së njëjtës natyrë. Duke marrë pjesë në ceremoninë e shpërndarjes së certifikatave të printuara, kreu i qeverisë Sali Berisha ka deklaruar se shumë shpejt, qytetarët shqiptarë do të mund t’i marrin certifikatat të printuara nga shtëpitë e tyre, si pjesë e projektit “Shqipëria në moshën dixhitale”. “Kjo reformë bën të mundur t’u ofrojmë qytetarëve shqiptarë shërbimet më të mira, shkurton kohën e pritjes për qytetarin, por edhe mundin për punonjësit e gjendjes civile. Dua t’i siguroj qytetarët shqiptarë se nuk do të jetë e largët dita kur do ta printojnë certifikatën nga shtëpitë”, - tha kreu i ekzekutivit Sali Berisha në prani edhe të Ambasadorit të Prezencës së OSBE-së, Robert Bosch dhe të të ngarkuarit me punë të Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, Hubert Petit. Ndërsa, përsa i përket shqetësimit të shprehur nga dy Ambasadorët lidhur me pajisjen e qytetarëve me karta identiteti dhe krijimit të listave të zgjedhësve, shefi i mazhorancës ka theksuar se hapat e hedhura në modernizimin e zyrave të gjendjes civile dhe krijimi i Regjistrit Elektronik, është një hap që jep siguri në këtë drejtim. “Dua të theksoj se për mua reforma e gjendjes civile, e kartave të identitetit dhe e pasaportave biometrike, është reforma më qendrore, me impaktin më të gjerë. Ajo është reformë me impakt të thellë politik, sepse i jep mundësi vendit të zhvillojë e ketë listat e votuesve dhe të gjithë infrastrukturën teknike të zgjedhjeve nga më modernet. Kjo është shumë e rëndësishme për Shqipërinë”,- tha Berisha. Gjithashtu, Kryeministri e vlerësoi reformën e gjendjes civile shumë të rëndësishme dhe me ndikim të gjerë edhe në drejtim të ofrimit të shërbimeve më të mira e të shpejta për qytetarët. Ai ka shpërndarë dje për qytetarët dhe certifikatat e para të printuara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›