E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: S'ka reformë zgjedhore pa hetim

LSI ftoi dje kryesocialistin për të kontribuar në mënyrë konstruktive për të tashmen dhe të ardhmen e vendit


Reagojnë socialistët: Ta harrojë një reformë të re ligjore, kush nuk ka kurajo të ulet në tryezën e hetimit


TIRANË- Partia Socialiste bëri dje të qartë qëndrimin e saj mbi reformën zgjedhore, duke deklaruar se mazhoranca duhet ta harrojë tryezën e bashkëpunimit, një reformë të re ligjore, kur nuk ka kurajë të ulet në tryezën e hetimit të të gjitha shkeljeve të ligjit ekzistues zgjedhor.


Ky qëndrim i socialistëve erdhi pas ftesës së Lëvizjes Socialiste për Integrim për t'u ulur në tryezën e reformës. Kjo e fundit, në një deklaratë të bërë ditën e djeshme ripërsëriti kërkesën ndaj lidershipit të Partisë Socialiste për të kontribuar në mënyrë konstruktive për të tashmen dhe të ardhmen e vendit.


Ftesa


Në një komunikim për mediat, sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në Lëvizjen Socialiste për Integrim, Ardit Çela, ripërsëriti dje ftesën e partisë së tij ndaj kryesocialistit, për të kontribuar në mënyrë konstruktive për të tashmen dhe të ardhmen e vendit. "Për fat të keq, qëndrimet e Partisë Socialiste kanë qenë bllokuese dhe në mungesë të plotë të alternativave.


E megjithatë, ne shprehim besimin dhe urojmë njëkohësisht, që lidershipi i opozitës, të kthehet në rrugën e arsyes, të heqë dorë nga politika e vjetër e konflikteve artificiale e të paqena, si dhe të shtrëngojë fort dorën e shtrirë të mazhorancës, për të bashkëpunuar për reformat e rëndësishme në të mirë të vendit",- vlerësoi LSI.


Sipas kësaj partie, Partia Socialiste duhet ta kuptojë njëherë e mirë, se interesat kombëtare qëndrojnë mbi gjithçka, dhe se qëndrimi në llogore të mbyllura e të betonuara, vetëm e vetëm për hir të interesave personale, është kontributi më negativ që mund të japë për zhvillimin dhe të ardhmen e vendit.


Qëndrimi


Në përgjigje të ftesës së LSI ka reaguar deputetja socialiste, Eglantina Gjermeni, e cila deklaroi se transparenca e zgjedhjeve, e plotë dhe pa humbur më kohë, është kushti i çdo bashkëpunimi të Partisë Socialiste me palën tjetër.


Ajo tha se zgjedhjet e 28 qershorit nuk e prishi Kodi Zgjedhor, por pushteti që vodhi votat dhe pengoi transparencën e kutive, duke shkelur ligjin e vet, kushtetutën.


Sipas saj, pasi vodhi votat, oborri i Sali Berishës, po vjedh përditë Shqipërinë e po rrënon ekonominë, duke vështirësuar jetën e çdo familje shqiptare. "Vetëm transparenca e zgjedhjeve të shkuara është garancia zgjedhjeve të ardhshme.


Ta harrojë tryezën e bashkëpunimit, një reformë të re ligjore, kur nuk ka kurajë të ulet në tryezën e hetimit të të gjitha shkeljeve të ligjit ekzistues zgjedhor. Shqiptarëve nuk ju mungojnë ligjet ne letër, por pushteti që i zbaton ato në realitet",- shprehu qëndrimin e Partisë Socialiste, Eglantina Gjermeni.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›