"Letrat që tund Vokshi, s'kanë marrë leje ndërtimi"

Bashkia e Tiranës reagoi dje ndaj dokumenteve të publikuara nga deputetja demokrate, duke i cilësuar si përralla
TIRANË- Bashkia e Tiranës pohoi dje se letrat për të cilat akuzon deputetja demokrate, Albana Vokshi, nuk kanë marrë asnjë leje ndërtimi. Kjo gjë u bë e ditur nga zëdhënësi i Bashkisë, Florion Serjani, i cili i cilësoi si përralla akuzat e deputetes demokrate për kryebashkiakun Edi Rama se ka kërkuar ryshfet 100 milionë euro për një lejë ndërtimi.
Megjithëkëtë, deputetja e grupit Parlamentar Demokrat ka vijuar sërish ditën e djeshme akuzat për korrupsion ndaj kryetarit të Bashkisë të Tiranës, duke deklaruar se vetëm për projektin e zonës te liqeni, i ashtuquajturi projekti "TIRANA ROCK", gjoba shkon mbi 100 milionë euro.
Bashkia
Në përgjigje të akuzave për korrupsion, Bashkia Tiranës vlerësoi se zonja Vokshi njësoj si të gjithë pushtetarët që akuzohen me prova konkrete për korrupsion tregoi një përrallë me leje ndërtimi. "Por duke kërkuar të tregohet origjinale tha se Edi Rama i ka kërkuar ryshfet 100 milion euro.
Mesa duket kjo duhet të jetë arsyeja që gjen zonja, faktit se firma e letrave që ajo tund para ekraneve s'kanë marrë kurrfarë leje ndërtimi. Këtë shpifje të radhës Bashkia e Tiranës, do t'ua çojë organeve të drejtësisë", -reagoi zëdhënësi i Bashkisë së Tiranës, Florion Serjani.
Ai u kujtoi qytetarëve se sa herë të dëgjojnë përrallën e lejeve të ndërtimit nga goja e pushtetarëve, të mos harrojnë se është e vetmja gjë që di të bëjë ky pushtet për të devijuar vëmendjen e opinionit publik nga provat e keqqeverisjes e të korrupsionit të tij skandaloz.
Prej kohësh Bashkia e Tiranës ka kundërshtuar akuzat e ardhura nga mazhoranca në adresë të kryebashkiakut Edi Rama. Për të gjithë zyrtarët demokratë të cilët kanë lëshuar akuza ndaj kreut të Bashkisë, kjo e fundit ka dorëzuar kallëzim penal për shpifje në prokurori.
Vokshi
Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, tha dje se "zoti Rama, denoncimit të saj, me dokumente dhe fakte konkrete, iu përgjigj nëpërmjet çakejve, të cilët përdorën një gjuhë që është e denjë vetëm për të".
"Nëse thoni që unë gënjej se nuk ka vakum ligjor në procesin e Deklarimit të Pasurisë, pse ti Edvin Kristaq Rama ke fshehur për 12 vjet me radhë pasurinë që ti vetë e ke vënë në emër të jo një por të disa partnerëve që tashmë njihen nga të gjithë",- u shpreh zyrtarja demokrate.
Ajo theksoi se dokumenti i paraqitur është vetëm një prej dokumenteve të shumtë që vërtetojnë se ai është gjobëvënësi më i madh jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Europë.
"Vetëm për projektin e zonës te liqeni, i ashtuquajturi projekti "TIRANA ROCK", gjoba jote shkon mbi 100 milionë EURO. Zoti 20%, nëse je burrë e të ka mbetur qoftë edhe një fije burrërie, nxirre Lepurin nga barku, dhe hajde përballemi në secilën studio televizive që mund ta zgjedhësh ti",- u shpreh gjatë komunikimit të djeshëm me mediat, Albana Vokshi.
***************************
Deputeti Tahiri tha dje se akuzat ndaj deputetes Vokshi janë konkrete dhe kërkojnë përgjigje konkrete
PS-Vokshit: Sqaro rolin në dhënien e 4 koncesioneve
TIRANË- Deputeti Partisë Socialiste, Saimir Tahiri, deklaroi dje se akuzave për afera korruptive, zonja Vokshi iu përgjigj duke treguar përralla me ryshfete 100 milion euroshe për një leje ndërtimi, por nuk dha asnjë sqarim për faktet e rënda që ka publikuar Partia Socialiste këto ditë.
Në një prononcim për mediat, nënkryetari i grupit Parlamentar tha se akuzat ndaj zonjës Vokshi dhe Arjan Tartarit janë konkrete dhe si të tilla kërkojnë përgjigje konkrete. Sipas tij, shmangja e këtyre përgjigjeve me shpifje e trillime është jo vetëm e papranueshme, por mbi të gjitha një shenjë e qartë e nervozizmit që ndjen zonja Vokshi.
Anëtari i Komisionit të Ligjeve vlerësoi se Albana Vokshi gënjen paturpësisht kur flet për vakuume në ligjin e deklarimit të pasurisë dhe konfliktit të interesit, i cili e parashikon qartë, të zezë mbi të bardhë detyrimin e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë për të deklaruar pasurinë dhe interesat e biznesit të bashkëshortëve apo partnerëve të tyre.
Pra, theksoi zyrtari socialist, Albana Vokshi duhet të japë llogari dhe duhet të mbajë përgjegjësi ligjore për faktin se nuk ka deklaruar pasurinë dhe interesat marramendëse e korruptive të biznesit të njeriut që sipas rastit, na rezulton të jetë herë bashkëshorti e herë partneri i saj.
"Albana Vokshi duhet të na sqarojë rolin e saj në sigurimin e koncesioneve të naftës e gazit, në 4 nga 6 fushat naftëmbajtëse të Shqipërisë, për një kompani të sapokrijuar e pa eksperiencë, aseti i vetëm i së cilës ishte mbështetja politike e Albana Vokshit dhe e shefit të saj, Sali Berisha", -deklaroi Saimir Tahiri.
Deputeti socialist tha se Albana Vokshi dhe të gjithë personazhet e tjerë të implikuar në këtë aferë skandaloze korrupsioni e kanë të kotë nëse mendojnë se kjo është një çudi nga ato që zgjasin vetëm tri ditë.
Sipas tij, Partia Socialiste është e vendosur t'i shkojë deri në fund transparencës dhe nxjerrjes së përgjegjësive ligjore e penale për çdo aferë koncesionare e privatizimi të qeverisë Berisha. "Ky është një premtim jo vetëm ndaj shqiptarëve, por edhe ndaj zonjës Vokshi e familjes politike e biologjike të kryeministrit",- u shpreh nënkryetari i grupit Parlamentar Socialist.
PROJEKTI
Bogdani: Në kodrat e liqenit, pallate 26 deri në 30 kate
Deputeti i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, solli dje në vëmendje denoncimin e bërë nga deputetja Vokshi për korrupsionin e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, që siç tha ai, nëpërmjet sekserit zotit Lepuri, futet aksioner me hir apo me pahir në kompaninë e Vizion Construction me një shumë prej 20 % apo e kthyer në vlerë monetare me 100 milionë euro.
"Bëhet fjalë pikërisht për zonën në kodrat e Liqenit, ku në planin rregullues të zotit Rama në këtë zonë parashikohet ndërtimi i pallateve 26 deri në 30 kate. Pra, e vetmja hapësirë e gjelbër e mbetur në qytetin e Tiranës shndërrohet në një hapësirë të betonizuar", -deklaroi Bogdani.
Sipas tij, kjo tregon më së miri dhe kjo fakton më së miri se zoti Rama jo vetëm që nuk ka vizion për qytetin e Tiranës, por shikimi i tij është errësuar nga paratë që merr nga lejet e ndërtimit.
Zyrtari demokratë theksoi se kjo fakton, siç e tregon dhe plani rregullues, pamja aktuale e zonës pa asnjë ndërtim, gjelbërim, pishina dhe lojëra për fëmijët e qytetit dhe plani që Rama ka për këtë zonë, pallate 30-katëshe, duke i marrë përfundimisht frymëmarrjen qytetit të Tiranës.