E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, Subashi: Gjyqtarët e kryeprokurori me 84 vota

TIRANE - Deputeti socialist, Armando Subashi sqaroi dje, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, propozimet e PS-së për imunitetet. Sipas deputetit të Komisionit të Ligjeve, PS është më tepër për kufizim të imunitetit, se sa për heqje totale të tij dhe nga ana tjetër ai sqaron se, ndër propozimet që ka hartuar PS, do të kërkohet që anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe Prokurori i Përgjithshëm të zgjidhen me shumicë të cilësuar.
Z.Subashi, këto ditë është duke u diskutuar çështja e kufizimit të mandatit të zyrtarëve të lartë. PS ka shprehur dakordësinë në parim, por a mund të na thoni se cilat janë ato që pengojnë votën “pro”, në Kuvend?
Debati politik dhe juridik që bëhet në këto momente është ajo që, duhet një heqje e plotë e imunitetit apo duhet një kufizim i tij? Ne i qëndrojmë idesë që më shumë e vlefshme në këto momente do të ishte një kufizim i imunitetit se sa një heqje totale e tij. Në fakt, ka një debat shumë të madh nga pikëpamja kushtetuese që është bërë vazhdimisht lidhur me imunitetin dhe pyetja që është shtruar vazhdimisht është që, imuniteti është një lloj privilegji për atë që e ka, apo është një lloj garancie? Nëse e shohim si privilegj, ose ata që mbështesin teorinë që imuniteti është një lloj privilegji, sigurisht pastaj përgjigja është shumë e thjeshtë që, nëse është një privilegj atëherë nuk ka pse të ekzistojë dhe askush nuk ka të drejtën që të gëzojë privilegje mbi të tjerët. Dhe në këtë kuptim, padyshim që bën sens ideja dhe parimi që të gjithë duhet të jenë të barabartë para ligjit dhe askush nuk mund të gëzojë privilegje mbi të tjerët. Por nëse e shohim imunitetin si garanci për funksionimin e institucioneve, atëherë padyshim këtu ndryshon optika e të parit të gjërave dhe nëse e shohim si garanci, atëherë të gjithë këta persona, të cilët përbëjnë mandej institucione të caktuara, duke filluar nga Parlamenti, nga gjykata, nga prokuroria e kështu me radhë, duke patur imunitet, në një lloj mënyre garantojnë funksionimin normal të institucionit ku ata bëjnë pjesë. Dhe sigurisht, ne jemi me këtë të dytën në fakt. Qëndrimi dhe pikëpamja jonë është që imuniteti nuk është një privilegj, por është një lloj garancie që i është dhënë funksionarëve të caktuar, për të garantuar pavarësinë e institucioneve dhe funksionimin normal të tyre. Dhe nga kjo pikëpamje, që ka të bëjë thjesht me aspektin ligjor dhe kushtetues e aspak politik, ne jemi të mendimit që duhet të ketë një kufizim të imunitetit dhe jo një heqje totale të tij.
Çfarë diference ka në terma konkretë mes ‘kufizimit’ dhe ‘heqjes’?
Po t’i referohemi Kodit të Procedurës Penale, sepse Kushtetuta ka shumë pak sot, me këtë bazë ligjore që kemi fjala vjen deputeti nuk mund të ndiqet penalisht, pra ndaj tij nuk mund të regjistrohet një çështje penale, nuk mund të ngrihet një akuzë, nuk mund të thirret për t’u pyetur, nuk mund të ndalohet, nuk mund të arrestohet, nuk mund t’i bëhet kontrolli i banesës, nuk mund t’i bëhet kontroll vetjak, nuk mund t’i bëhet kontrolli i automjetit, nuk mund t’i bëhet kontrolli i korrespondencës e kështu me radhë. Pra, janë një sërë garancish, të cilat sot nuk mund të kryhen nëse për to nuk jep autorizim Kuvendi. Ky është një imunitet i plotë. Atëherë pyetja që shtrohet është: Do ia heqim të gjitha garancitë apo do mbajmë një pjesë prej tyre? Dhe opinioni jonë është që, nga të gjitha këto, për të garantuar dinjitetin, personalitetin dhe funksionimin normal të deputetit, ne jemi të mendimit se disa nga këto duhet të ruhen dhe duhet të vazhdojë të kërkohet autorizimi i Kuvendit. Dhe cilat janë më konkretisht? Fakti që deputeti në radhë të parë, duhet të përjashtohet nga përgjegjësia penale për ato vepra të cilat mund të konsiderohen si të tilla gjatë veprimtarisë që ushtron deputeti, qoftë në Kuvend, qoftë jashtë tij dhe që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me punën e tij si deputet, pra mendimet e shprehura, opinionet e dhëna, deklaratat e bëra, apo qoftë edhe aksionet politike që shpeshherë deputetët zhvillojnë dhe vihen në krye të elektoratit të vet. Për këto sigurisht që nuk mund të ketë përgjegjësi penale. Pra këtu në një lloj kuptimi është totalisht i përjashtuar nga përgjegjësia, por nga të gjitha ato që përmenda ne mendojmë që duhet të ruhet ende dhe të kërkojë autorizimin e Kuvendit kontrolli personal, kontrolli i banesës, apo edhe heqja e lirisë personale të deputetit, sepse nëse ne do të hiqnim edhe këto, atëherë nuk do të kishte asnjë çudi, asnjë të papritur e do të ishim të bindur se shumë shpejt do të shihnim deputetë të ndaluar, të mbajtur nga 24 orë apo nga 48 orë pranë komisariateve të policisë. Do të shihnim deputetë që do të ndaloheshin në qendër të qyteteve, që do të tentohej t’u bëhej kontroll vetjak, kontroll i makinave, kontroll banese, etj. Me këtë kryeministër, me këtë qeveri, me këtë mentalitet që kanë këta, çdo gjë mund të ndodhte sot ndaj deputetëve të opozitës, por pse jo edhe ndaj deputetëve kundërshtarë politikë që ata mund të kenë brenda gjirit të vet. Kështu që nga kjo pikëpamje ne i qëndrojmë idesë që duhet një kufizim i imunitetit dhe padyshim duhen ruajtur dy-tre momente të cilat jo vetëm kanë të bëjnë me një lloj garancie që të gjithë këta zyrtarë duhet të kenë, por në fund të fundit kanë të bëjnë edhe me ruajtjen e dinjitetit dhe të personalitetit të tyre nga abuzimi që mund t’i bëhet nga organet shtetërore. Përballë kësaj situate që ndodhet sot Shqipëria, ku padyshim sot kemi një President të zgjedhur nga kupola drejtuese e PD-së, ku sipas të gjitha gjasave edhe Prokurori i Përgjithshëm do të jetë i tillë, edhe shefi i SHISH-it do të jetë i tillë, ku edhe KLD-ja është totalisht e kapur, etj., sigurisht që përballë gjithë kësaj situate ku të gjitha këto institucione ligjzbatuese të pavarura në fund të fundit duhet të garantonin një ndjekje normale qoftë penale, por edhe përgjegjësi civile ndaj të gjithë këtyre zyrtarëve, për fat të keq nuk ka gjasa që të ndodhë në Shqipëri. Atëherë ne bashkë me propozimin tonë shumë të vjetër për kufizimin e imunitetit, (sepse drafti ka vite që ka qenë gati dhe për të mirë edhe Kryeministri e pranoi pardje, kur tha që ‘ne heqim dorë nga varianti jonë dhe i bashkohemi variantit të PS-së’, e pra PS-ja paska pasur një variant, nuk është se ne kemi qenë indiferentë në këtë proces, i cili ka qenë aty, por deri pardje s’është marrë parasysh nga mazhoranca), pra veç këtij drafti ne kërkojmë që kufizimi i imunitetit të shoqërohet me një lloj rritjeje të pavarësisë së institucioneve. Vetëm kështu ka kuptim, vetëm kështu mundet që të zhvillohet demokracia në Shqipëri.
Çfarë përmban drafti që keni ju gati tashmë?
Ajo që ne tashmë kemi draftuar dhe nuk është më sekret, sepse dje ajo u bë publike edhe në mbledhjen e grupit, propozimi ynë konsiston në faktin që një pjesë e institucioneve të pavarura, duke filluar që nga Gjykata Kushtetuese, që nga Gjykata e Lartë, që nga Prokurori i Përgjithshëm, anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë të zgjidhen me një shumicë të cilësuar në Kuvendin e Shqipërisë, pra ata të mos jenë më pronë e një partie, të mos jenë më militantë të partisë në pushtet, të mos jenë më avokatë të partisë në pushtet, por në një lloj kuptimi, duke u vendosur kjo lloj shumice e cilësuar në pëlqimin e tyre nga Kuvendi i Shqipërisë apo në emërimin e tyre nga Kuvendi, padyshim që kjo do të rrisë mjaft kredibilitetin e tyre, do të bëjë që atje të mos shkojnë më persona që pëlqehen nga një parti apo nga një tjetër, por të shkojnë vërtetë profesionistë, të shkojnë njerëz që e kanë bërë një karrierë të caktuar në sistem, të shkojnë njerëz me integritet të lartë moral, profesional, etj., dhe që janë larg ndikimeve politike. Kjo është shumë e rëndësishme. Kjo është sot pikëpamja jonë.
Kjo është ajo që shkurtimisht thuhet se “dekretet e Presidentit duhet të votohen me 84 vota”?
Kjo është, që dekretet e Presidentit që kanë të bëjnë me anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, me anëtarët e Gjykatës së Lartë, me Prokurorin e Përgjithshëm e kështu me radhë dhe ato që kanë të bëjnë me institucione të pavarura dhe që kanë përgjegjësi direkte në fund të fundit për ndjekjen dhe gjykimin e veprave penale në Shqipëri, apo që kanë ndikim edhe në mbarëvajtjen e sistemit gjyqësor, këtu ka ardhur momenti që ne të krijojmë një lloj balance të caktuar dhe larg ndikimeve të caktuara politike të momentit. Nëse ne sanksionojmë se të gjithë këta persona duhet të zgjidhen me një shumicë të cilësuar, kjo padyshim i largon në mënyrë të dukshme nga preferencat politike të momentit dhe të radhës të mazhorancave të caktuara.
A do të arrihet të miratohet deri në datën 6 gusht, kur është lënë edhe afati nga Konferenca e Kryetarëve?
Nuk mund ta them. Për mua nuk është e rëndësishme data. Nuk ka rëndësi 6 gushti, apo 6 shtatori, apo tetori. Ky është një proces shumë i rëndësishëm. Është një proces vendimtar. Është një proces që sigurisht do të ketë ndikimin e vet mjaft pozitiv, nëse do të realizohet dhe do të ndryshojë pse jo edhe funksionimin e këtyre institucioneve në një masë të konsiderueshme qoftë në aspektin cilësor, qoftë edhe në rritjen e pavarësisë së tyre ndaj politikës, ndaj ekzekutivit, legjislativit e kështu me radhë.
Do të dërgojë PS emra konstitucionalistësh në tryezën që do të bëhet në datat 20-21 korrik për këtë çështje nga Kuvendi?
Nuk di të të them për këtë, por ne përpara se sa ta draftonim këtë gjë kemi bërë konsulta të gjera, me konstitucionalistë. Unë e kuptoj që kjo mund të jetë e vështirë për t’u pranuar momentalisht nga mazhoranca, nga Saliu, nga Kryeministri, sepse pas zgjedhjes së Presidentit ai mund të ketë në kokë planet e veta lidhur me uzurpimin final dhe total të këtyre institucioneve dhe padyshim kjo ia prish planet, ia prish rehatinë që ai mund të kishte menduar. Por për ne nuk ka zgjidhje tjetër. Kjo është e vetmja zgjidhje që ne të shpëtojmë vendin, të shpëtojmë institucionet dhe që nga vjeshta të mos kemi në krye të Prokurorisë një Arben Ristan, që nga vjeshta të mos kemi anëtar të Gjykatës Kushtetuese një Arben Ristan, që nga vjeshta të mos kemi një anëtar të Gjykatës së Lartë një Arben Ristan. Kjo është mënyra që ne të shpëtojmë përfundimisht institucionet nga kamikazë të tillë politikë të çfarëdo krahu qofshin.
(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›