PS: Sula flet në Parlament për ligj e vetë ushtron dhunë në stadium

Fidel Ylli
Partia Socialiste ka reaguar në lidhje me incidentin e ndodhur dje në Peqin, ku gjatë ndeshjes Shkumbini-Flamurtari, deputeti demokrat Dashnor Sula ka qëlluar me pistoletë në stadium.
Përmes një deklarate për mediat, deputeti socialist, Fidel Ylli, u shpreh se veprimet e dhunshme të deputetit demokrat janë një fenomen i përsëritur.
Deputeti në fjalë ushtron dhunë e më pas flet në sallën e Parlamentit për ligj, u shpreh Ylli, duke theksuar se grupi parlamentar demokrat dhe vetë kryeministri duhet të mbajnë qëndrim ndaj një incidenti të tillë.
Incidenti ndodhi dje në stadiumin e Peqinit, në fund të pjesë së parë të ndeshjes Shkumbini-Flamurtari. Fatmirësisht, nga të shtënat nuk ka pasur të lënduar. Policia ka thënë pas incidentit se është qëlluar me fishekë manovër, ndërsa nuk ka marrë asnjë masë ndaj Sulës.
Vetë Sula e ka mohuar të ketë qëlluar me pistoletë në stadium dhe është shprehur se po keqpërdoret emri i tij. / G.N.