PS dhe ekspertët: Kushtetuta lejon hapjen e kutive
Drejtuesit e PS-së, por edhe disa ekspertë të çështjeve ligjore, pranojnë se hapja e kutive është konform Kushtetutës së Shqipërisë. Madje, një kërkesë e tillë është pjesë e së drejtës për informim që ka çdo qytetar i këtij vendi për të parë se çfarë ka brenda kutive. Pikërisht në ditën kur kryetari i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Hoae Soares, bëri deklaratën e tij nga Vjena për kapërcimin e krizës politike në vend, kryetari i PS-së u shpreh se "hetim i plotë i zgjedhjeve do të thotë hetim i pakushtëzuar, sigurisht, bazuar mbi Kushtetutë dhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka interpretuar dhe i ka dhënë formë të qartë çështjes së hetimit parlamentar në tërësi". Duke iu referuar vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Rama tha se në vendim është shprehur forma më kuptimplotë e përgjigjes për atë që ai e cilësoi "dilemë të ngritur enkas nga ana e pushtetit, thjesht për të shmangur hetimin parlamentar të plotë dhe të tërësishëm". Rama tha se e drejta për hetim të pakushtëzuar të zgjedhjeve është e legjitimuar. "Hetimi ynë parlamentar synon dy drejtimet kryesore: nxjerrja e përgjegjësive për deformimet në procesin e administrimit të votës dhe nxjerrja e konkluzioneve për përmirësimin e mëtejshëm të procesit zgjedhor", - tha Rama, teksa lexoi para gazetarëve vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Po ashtu, në mbështetje të ligjshmërisë së hapjes së kutive kanë dalë edhe disa konstitucionalistë dhe ekspertë, sipas të cilëve, vendimi i vitit 2003 i Gjykatës Kushtetuese për funksionimin e komisioneve hetimore parlamentare dhe ligji për të drejtën e informimit krijojnë baza ligjore për verifikimin e kutive, në kushtet kur Partia Socialiste e ka pranuar tashmë rezultatin e zgjedhjeve.
24 Shkurt 2010