E Diel, 1 Nëntor 2026

Buchar: Dosjet e ish-sigurimsave të bllokut lindor mund të jenë transferuar në Rusi

Studiuesi çek flet për planin e infiltrimit të ish-agjentëve në strukturat e qeverive postkomuniste dhe planin e Havelit për të krijuar “Fondin Z”, i cili nuk dihet se ku ndodhet.

Auron Tare

Ju e dini dhe në fakt është cituar edhe në librin tuaj se ish-oficeri i lartë i KGB-së, Anatolij Golytsin që u arratis në Perëndim, në analizat e bëra në librin e tij “Gënjeshtra të reja për të Vjetër" janë provuar të jenë të vërteta...

Njerëzit që e njohin Golytsin apo që kanë folur me të, besojnë se ai është një prej njerëzve që ka qenë që në fillim pjesë përbërëse e përgatitjes së këtij plani afatgjatë me qëllim dezinformacionin e Perëndimit. Ai ka qenë në fakt anëtar i “Think Tank”që formuloi idetë bazë të këtij plani brenda KGB-së. Sigurisht që ai sot nuk është një figurë shumë e pëlqyer edhe nga vetë CIA. Kur kam folur me Drejtorin e CIA-s, ai pak a shumë ishte dakord me përfundimet e Golytsin dhe kur i mbarova pyetjet e mia, ai më tha: “A jeni edhe ju mbështetës i Golytsin?” Kjo ishte shumë e çuditshme pasi ata bien dakord me përfundimet e tij, por nuk dëshirojnë që ta pranojnë këtë gjë publikisht.

Shikoni, disa persona nga Shërbimi Britanik, me të cilët unë kam folur mbi analizat e Golitcyn, thonë se ai ka qenë shumë i saktë në parashikimin e ngjarjeve që do të ndodhnin në Lindjen Komuniste. Dukej sikur ai kishte shumë më tepër njohuri se sa ne kemi kuptuar për ato ngjarje, apo jo?

Golytsin ka qenë një dhembje e madhe koke për CIA-n. Ndërsa MI6 britanike ishte shumë më e interesuar për analizat e tij. Për CIA-n, ai ishte një ëndërr e keqe. Golytsin solli me vete informacione për të cilat askush nuk dëshiron të flasë. Po kështu analizat e tij turpërojnë disa çështje të inteligjencës që kanë të bëjnë me disa qeveri perëndimore. Po kështu ai tregoi me gisht disa çështje morale që askush nuk dëshiron t’i bëjë publike, kështu që në njëfarë mënyre ai ishte një problem për agjencinë e zbulimit. Analistë të CIA-s dhe jo vetëm ata, u përpoqën shumë që ta nënvlerësonin, e cilësuan si një burim jo i besueshëm dhe kur në njëfarë mënyre ia arritën qëllimit, trazirat në Lindje filluan dhe çështja e tij u rihap edhe një herë.

Në Shqipëri deri më sot, ne besojmë se ‘Perestrojka’ filloi me Gorbaçovin. Akademia e Shkencave e Bashkimit Sovjetik ishte instituti i cili lançoi këtë program të famshëm. Ju shkruani në librin tuaj se ky fakt nuk është i saktë, por ‘Perestrojka’ u konceptua dhe u lançua nga KGB. A mund të na shpjegoni më shumë ju lutem?

Unë jam mbështetur në veçanti në një dokument të zbuluar nga Vladimir Bukovski. Ky dokument është një procesverbal i një mbledhjeje të Byrosë Politike, e cila po akuzonte Gorbaçovin për paaftësinë e tij totale në disa çështje që po ndodhnin në Lindje. Në procesverbal shkruhet përgjigjia e Gorbaçovit. “Shokë, po unë nuk kam bërë asnjë gabim. Kam ndjekur dokumentin prej 100 faqesh. Kam zbatuar platformën që m’u dha për t’u zbatuar”, në këtë mënyrë Gorbaçovi ka pranuar dhe kjo gjë është shënuar në një procesverbal sekret të Byrosë Politike se këto nuk ishin idetë e tij, por pjesë të një dokumenti të parapërgatitur.

A është botuar ky dokument?

Vladimir Bukovski ka mbi 80 mijë dokumente nga arkivat sekrete të KGB-së dhe nga Libraria e Gorbaçovit. Kur Gorbaçovi mbaroi detyrën e tij përpara se të largohej nga Kremlini, ai fotokopjoi çdo dokument dhe çdo transkriptim të mbledhjeve ku kishte marrë pjesë dhe krijoi Librarinë e tij. Pavel Strelov që punonte atje, arriti që të thyente password-in ku mbahej ky arkiv dhe të merrte kopje të këtij dokumentacioni dhe t’i transferonte në Angli. Ky dokumentacion është i gjithi në rusisht dhe deri më tani historianët nuk e kanë studiuar akoma. Kështu që deri më tani ky arkiv nuk është bërë i njohur akoma për publikun.

Pra, ju thoni se Gorbaçovi nuk ishte një lider që erdhi në pushtet në mënyrë organike, por u vendos atje me qëllime specifike për të zbatuar planin e formuluar nga KGB?

Po, ai u përzgjodh si personi i duhur. Dukej popullor dhe një personazh që mund ta bënte atë punë.

A u krijua figura e tij po kështu nga propaganda e KGB-së?

Sigurisht që kanë ndihmuar për këtë gjë.

Dua të them, figura e tij si një reformator, si një komunist ndryshe, që mendon ndryshe?

Po kjo ishte pjesë e planit të dezinformacionit të konceptuar nga KGB. Nëpërmjet “Think Tankut” që u krijua nga KGB, i jepej dezinformacion medias perëndimore, u krijua një lloj kopjeje e mënyrës perëndimore në takimet me njerëzit e kështu me radhë dhe Perëndimi ra pre e kësaj mënyre dezinformacioni.

Ju thoni në librin tuaj se ish-informatorët dhe oficerë të shërbimeve sekrete të vendeve lindore kishin dy përparësi kryesore në sistemin e ri: shkatërrimin e dosjeve dhe depërtimin në pozita udhëheqëse në sistemin e ri. Sipas mendimit tuaj, pse drejtuesit e demokracive të reja nuk janë seriozë për të hapur dosjet e shërbimit sekret? Në Shqipëri, për shembull, dosjet e Shërbimit Sekret komunist kurrë nuk kanë qenë të hapura për publikun, i cili dëshiron të dijë se çfarë ka ndodhur. Mendimi juaj?

Në Çekosllovaki kanë hapur disa dosje, por u pa që ato në njëfarë mënyre ishin të kontrolluara. Ishin hequr apo shtuar dokumente, njerëz që nuk duhet të ishin në to ishin shtuar nëpër këto dosje. Pastaj ligji i lustracionit, i cili i ndalonte njerëzit që kishin shërbyer në Policinë Sekrete, Shërbimin e Inteligjencës apo në detyra të policisë, të përfshiheshin në qeveri. Në fakt, me këtë ligj asgjë nuk u arrit. Edhe sot që flasim ka rreth 2500 persona të policisë sekrete që janë në detyra të rëndësishme në qeveri. E gjitha kjo u bë si një show për publikun. Ishte një shaka dhe asgjë thelbësore nuk u arrit. Për sa i përket Havelit, ai kur u bë President dhe pa se kishte shumë dosje të njerëzve që tashmë i ishin futur politikës, personalisht urdhëroi ministrin e Brendshëm të asaj kohe, Langer më duket se ishte, t’i mblidhte të gjitha dosjet e atyre që kishin qenë disidentë, sigurisht edhe dosjet e tij, dhe krijoi një fond. Ky fond u quajt “Fondi Z”. Këto dosje u mbyllën dhe u dërguan në një vend të panjohur nga askush. Personi që u mor me këto dosje, z. Langosh u gjet pas dy tre vjetësh i vdekur. Ai ishte personi i vetëm që dinte se ku shkuan dosjet. Askush nuk e di vendin se ku janë. Ndoshta mund të jenë në Moskë? Nuk e di.

Diçka tjetër doja t’ju pyesja. Në parlamentet e reja të krijuara pas rënies së komunizmit, ku akoma ish-nomenklatura komuniste kishte shumicën përsëri, ata votuan për ndryshime të mëdha kushtetuese të cilat i hiqnin pushtetin sistemit komunist. Mua më duket mjaft e habitshme nëse do të ndiqja logjikën tuaj...Si e shpjegoni këtë?

Nuk ka asnjë dyshim që ideologjia u sakrifikua në emër të pushtetit. Por mos harrojmë se këta njerëz morën avantazhin ekonomik. Ata kapën si të thuash sistemin ekonomik, financat, bankat etj. Këta njerëz ishin milionerët e ardhshëm.

Pra, ju thoni se ata sakrifikuan pushtetin ideologjik në emër të pushtetit ekonomik dhe pushtetin mediatik?

Po sigurisht, pasi ideologjia komuniste ishte një pengesë për pushtetin ekonomik dhe zhvillimin e tyre në pushtetin e ardhshëm.

Edhe diçka tjetër, në librin tuaj ju keni intervistuar ish-zyrtarin e Policisë Sekrete Çeke, STB, Ludvík Zifcak. Ai është i njohur në Çekosllovaki si personi që udhëhoqi revoltën e studentëve në nëntor ‘89. A jeni befasuar ju kur e takuat dhe patë se ai ishte i gjallë, edhe pse në atë kohe ishte shpallur i vrarë gjatë trazirave nga forcat e Policisë Sekrete Çeke?

Ishte një histori shumë interesante. Ludovik Zifcak operonte nën pseudonimin “Rudicka”. Misioni i tij ishin operacionet e krijimit të lëvizjes së studenteve, si dhe penetrimin e tyre. Po kështu, detyra e tij ishte që të portretizohej si studenti i vrarë “Jan Shmid”, i cili do të vritej në mënyrë brutale nga policia gjatë demonstratave të studentëve. Fakti më interesant i kësaj historie ishte se përse ai vendosi të fliste publikisht dhe përse askush nuk e besonte kur e bëri këtë? Pati një fushatë në median çeke që ta diskretitonin diku në vitet 2003, kur ai foli për publikun dhe publikoi historinë e tij. Ai sigurisht ishte një prej pjesëve të makinerisë që funksiononte gjatë këtyre ngjarjeve. Ka mundësi që edhe ai vetë nuk e ka kuptuar rolin e tij në atë kohë. Unë e intervistova për dokumentarin tim dhe ai më tregoi disa pasaporta me viza sovjetike, pasi kishte urdhër që pasi të shtirej si i vrarë gjatë demonstratës, ai duhej të largohej për në Moskë. Urdhri i largimit nuk i erdhi kurrë dhe ai nuk e kuptonte përse.

Pra ju e besuat historinë e tij?

Shikoni, unë e besoj, por në këto historitë e dezinformacionit të shërbimeve është e vështire të besosh gjithçka. Megjithatë, unë them që e besova historinë e tij duke pasur parasysh ngjarjet e zhvilluara. Mendoj se në atë kohë askush nuk e njihte atë se kush ishte dhe çfarë roli kishte për të luajtur në këto ngjarje. Disa ngjarje rrodhën siç ishin parashikuar, disa të tjera jo, e rëndësishme është që objektivi u arrit apo jo?

Sipas mendimit tuaj, a besoni se shumica e lëvizjeve studentore në Lindje ishin infiltruar nga agjentët e Shërbimeve Sekrete? A mundet që në këtë skenar as Shqipëria të mos bëjë përjashtim dhe në lëvizjen studentore të ketë pasur agjentë të shërbimeve sekrete me mision të ngjashëm?

Unë besoj që po. Besoj se në të gjithë Lindjen ka pasur një skenar të ngjashëm. Skenari ishte i njëjtë, por konditat e realizimit ndryshonin sipas vendeve. Çekosllovakia për shembull, ishte nga vendet e fundit që pësoi ndryshime, pasi nuk kishte një dinamikë të mjaftueshme për një rebelim. Për shembull, Haveli deri në minutën e fundit nuk merrte vendim për të qenë President, pasi ndoshta nuk dihej se kush duhej të ishte presidenti. Vetëm pas takimit të Maltës gjërat sikur u shpejtuan, por duhet thënë se mori shumë kohë deri atëherë. Situata në Çeki nuk ishte asfare për ndryshime të tilla.

Ju deklaroni në librin tuaj se Revolucioni i Kadifenjtë në Çekosllovaki ishte në fakt një grusht shteti i dirigjuar nga KGB, GRU sovjetike dhe Shërbimi i fshehtë çek, STB. Si keni ardhur në këtë përfundim?

Sipas dëshmive të Zifcak dhe të disa të tjerëve, të gjitha grupimet e studentëve ishin të kontrolluara nga Shërbimi Sekret. Lëvizja u ushqye si të thuash në mënyrë figurative për ta dërguar deri në pikën e rebelimit. Sigurisht nuk mund të mohosh që shumica e studentëve ishin për një lëvizje të tillë. Ka plot njerëz që i bashkëngjiten trenit të ndryshimeve.

Pra, ju thoni që rebelimi i studentëve ishte i orkestruar nga Shërbimi Sekret?

Po, jam i bindur.

Ju jeni i bindur nga ato që keni zbuluar dhe dëgjuar?

Shikoni, kur botova librin tim mbi këtë temë, mora një email nga Rudolf Hegenbart, i cili kishte qenë anëtar i Byrosë Politike Çeke. Ai më njihte pasi i kisha kërkuar disa herë takim kur po xhiroja dokumentarin tim. Ai më kishte refuzuar duke më thënë se kishte marrë disa kërcënime nga njerëzit e Vaccslav Havelit, duke i thënë se nëse fliste, mund të përfundonte i vdekur. Por kur e botova librin, ai më shkroi duke më thënë që pak a shumë ishte dakord me përfundimet e mia, pasi kur kishte qenë në Moskë në vitet ‘70 ai kishte marrë leksione mbi këto tema dhe e njihte mjaft mirë këtë çështje. Për mua ishte një kompliment, pasi mesa dukej, në ato që unë shkruaj ka të vërteta mbi këtë çështje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›