E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Të hetohet Berisha PD: Përgjegjës është Rama

27/01/2012  Debate mes mazhorancës dhe opozitës në seancën e djeshme parlamentare për hetimin e 21 janarit

Kuvendi i Shqipërisë në punimet e djeshme u kthye në një shesh beteje mes mazhorancës dhe opozitës për ngjarjet e 21 janarit, që tronditën sferën e politikës shqiptare vitin e shkuar. I pari që mori fjalën dje gjatë debatit të lirë në Kuvend ishte deputeti i PS-së Sajmir Tahiri, i cili i rikërkoi Kryeministrit Berisha të ofrojë gatishmërinë e tij për t’u hetuar. “Sali Berisha është njeriu që ka dhënë urdhër më 21 janar. Në Kryeministri është konsumuar një krim: u fsheh e vërteta, u fshi serveri i Kryeministrisë. Berisha krijoi një skenar për të çmontuar institucionet. Berisha duhet të ofrojë gatishmërinë e tij për t’u hetuar nga Prokuroria”, - tha Tahiri.

Ndërsa deputeti i PD-së Edi Paloka lidhur me ngjarjet e 21 janarit tha se përgjegjësi i vetëm i vrasjeve në bulevard është lideri i opozitës Rama. “21 janari erdhi në vëmendjen e publikut nga Ina Rama, duke krijuar idetë se hetimi gjithëpërfshirës ishte përmbushur. Për çfarë iu desh 1 vit Ina Ramës? Për të përcaktuar listën me Edi Ramën nga Garda dhe opozita? Rama është përgjegjës për vdekjet”, - tha Paloka, duke shtuar se “dy personazhe të tjera prisnin rrëzimin e Berishës - kryeprokurorja dhe Presidenti”, - me qëllim që të fitonin edhe një mandat tjetër nga Rama, siç u shpreh deputetet i PD-së.

Mesila Doda

“Më datën 20 janar kryetari juaj foli për histori me të vdekur, i cili ftoi mijëra zemra opozitare dhe i braktisi. Edi Rama do të kujtohet si përgjegjës. Organi i akuzës bën sikur nuk e ka parë dhe dëgjuar dhe se ato nuk janë thirrje publike. 21 janari shënon padrejtësinë e drejtësisë. 21 janari është vija ndarëse mes atyre që e duan dhe nuk e duan shtetin. Ne vumë një standard: u dolëm para mercenarëve. Ne do kërkojmë zbardhjen e plotë, kush e organizoi dhe pse e bindi Presidentin të bënte sikur nuk kuptonte, kë kërcënuat dhe inkriminuat”, - tha deputetja e PD-së.

Heqja e imunitetit të 3 deputetëve

Sot seanca dëgjimore me Tomë Doshin në Kuvend

Paraditen e sotme Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve do të zhvillojë seanca dëgjimore të veçanta me deputetët e Partisë Socialiste Tomë Doshi, Taulant Balla dhe Besnik Bare, për të cilët Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar heqjen e imunitetit lidhur me rolin e tyre në protestën e 21 janarit. Të martën e kaluar, mes polemikash të forta të kreut të grupit socialist Gramoz Ruçi dhe kryeparlamentares Topalli, Këshilli vendosi që të thërrasë sot në orën 10:00 tre deputetët. I pari pritet të dëgjohet deputeti Doshi, i cili do të japë shpjegime rreth kërkesës së organit të akuzës për ngjarjen e 21 janarit të vitit të kaluar. Nga pamjet filmike të administruara në funksion të këtij procedimi penal evidentohet se shumë protestues të ardhur nga Shkodra apo zona të tjera përreth, të cilët janë organizuar nga ana e deputetit Tomë Doshi për të marrë pjesë në tubimin e protestës të datës 21 janar 2011, kanë qëlluar me gurë në drejtim të forcave të Policisë së Shtetit.

Presidenti Topi

Dekorohen personalitete të njohura të mjekësisë shqiptare

Presidenti i Republikës dekoroi dje 11 personalitete të spikatura të mjekësisë shqiptare, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre të vyer e human ndër vite në shërbim të sistemit shëndetësor në vendin tonë. Në fjalën e tij gjatë ceremonisë së organizuar në Presidencë, duke vlerësuar kontributin e tyre në mjekësi, Topi e vlerësoi si shqetësuesi faktin që vëmendja përqendrohet në mënyrë të pamerituar te konsumet e skupeve mediatike, politike dhe jo te kontributi konkret në profesionet praktike, siç është fusha e mjekësisë, fusha e ekonomisë dhe inxhinierisë. Personalitetet e nderuara janë: prof. dr. Shefqet Ndroqi (pas vdekjes) me Urdhrin “Nderi i Kombit”. Ndërsa Hysen Heta, Sulejman Zhugli, Bedri Bylyku, Flamur Tartari, Agron Belishova, Anesti Kondili, Kel Naraçi (pas vdekjes), Jolanda Koçi (Osmanlliu) (pas vdekjes) Dhimitër Vavako (pas vdekjes), Janko Theodhosi (pas vdekjes) janë nderuar me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›