PS: Të hiqet TVSH për produktet kryesore dhe ilaçet
Deputetja socialiste, Mimi Kodheli në një konferencë për shtyp, ka deklaruar se heqja e TVSH-së, për produktet bazë ushqimore, do të ishte e vetmja rrugë për lehtësimin e barrës së rëndë fiskale, që rëndon mbi çdo qytetar shqiptar.
Në deklaratën për shtyp, të mbajtur në selinë rozë, Kodheli theksoi se opozita do paraqes në Parlament një nismë të re. “E pamë të rëndësishme që heqja e TVSH-së, të ilaçeve të ishte nismë e pjesës së parë që ne do të prezantojmë javën që vjen në parlament. Do të luftojmë në parlament që ky çlirim që i bëhet barrës fiskale, të ndodhë që sot. Të shohim sesi do të reagojnë oborrtarët e pushtetit, u shpreh ajo.
Heqja e TVSH-së për produktet kryesore e ilaçet dhe përgjysmimi i saj për produkte të tjera bazë do të ishte lehtësimi i kësaj barre që rëndon mbi qytetarët shqiptarë. Ne kishim të drejtë kur thamë së çmimi i ilaçeve do të rritej. Sot çdo qytetar i paguan shtetit 10 për qind më shumë për ilaçet, tha Kodheli.