E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma e Kuvendit, Topalli nga SHBA: Gati të diskutojmë

Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli duket se i ka dhënë një përgjigje edhe propozimit të opozitës, për ndryshimet në rregullore, ku ndër të tjera kërkohet votimi i fshehtë për dekretet e Presidentit të Republikës. Në takimin që zonja Topalli pati me zyrtarë të lartë të Kongresit Amerikan Berri Xhekson dhe Xhen Stjuart, këta të fundit ndërsa kanë folur për procedurat parlamentare në Kongresin Amerikan, kanë theksuar se është shumë e rëndësishme që vota të jetë e hapur.

Në këtë drejtim, kryeparlamentarja Topalli mësohet të jetë shprehur se kjo është një mundësi tjetër për të përmirësuar dhe sofistikuar edhe jetën parlamentare në Shqipëri. Për këtë çështje, Xhekson dhe Stjuart e njohën kryeparlamentaren Topalli me faktin se në Kongresin Amerikan nuk ekziston vota e fshehur, as për gjyqtarët, as për Kryetarin e Kongresit dhe për asnjë ligj tjetër. Gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryeparlamentarja Topalli u prit në Capitol Hill nga stafi i ngushtë i Kryetarit të Kongresit Amerikan, Xhon Bener, me të cilin pati një bisedë të shkurtër gjatë punimeve të Forumit Parlamentar për Demokraci.

Po ashtu Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli gjatë vizitës së saj në Uashington u prit në Departamentin e Shtetit nga Zv/Ndihmës-sekretari amerikan i shtetit Filip Riker, një njohës i mirë i çështjes shqiptare në veçanti dhe i çështjeve ballkanike në tërësi. Ndërkaq zonja Topalli është takuar edhe me zyrtarë të tjerë të lartë të Kongresit Amerikan, me kongresmenin Eliot Engell, që është një prej njohësve më të mirë të Shqipërisë qysh nga vitet `90-të dhe mbështetës i fuqishëm i çështjes shqiptare. Në këtë takim, Engell ka vlerësuar se Shqipëria ka befasuar me ecurinë e reformave dhe paraqet një demokraci funksionale. Znj.Topalli vlerësoi kontributin e kongresmenit Engell në mbështetje të demokracisë në Shqipëri dhe në mënyrë të veçantë në pavaresinë dhe krijimin e shtetit të Kosovës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›