E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Për reformën zgjedhore të kalohet në vepra

"Për reformën zgjedhore puna duhet të tregohet konkretisht, për të ikur nga fjalët dhe për të kaluar konkretisht tek veprimet reale", tha Topalli.

Ajo ndodhet këto ditë në Uashington  për të marrë pjesë në Konferencën e zhvilluar në Kongresin e SHBA-së, me temë "Forcimi i lirisë dhe qeverisjes demokratike dhe roli i parlamentit në demokraci". E pyetur për letrën që kryetari i grupit parlamentar të PD-së Astrit Patozi i drejtoi dje homologut socialist, Gramoz Ruçi, ku e fton të bashkëpunojnë për reformën zgjedhore, Topalli tha se "është e prirur për ta parë pozitivisht". 

"Ne kemi përpara një axhendë me reforma shumë të rëndësishme, të cilat janë në kalendarë në programin e punës. Është shumë e rëndësishme që z.Patozi ka kërkuar dhe konsensusin e Partisë Socialiste dhe unë nuk mund ta mendoj se PS mund të refuzojë ftesën që të dy bashkë t’i kërkojnë mbështetje dhe asistencë, si ODIHR-t, ashtu dhe Komisionit të Venecias për të shkuar drejt një përmirësimi dhe zbatimi të rekomandimeve të OSBE/ODIHR, për të cilat unë mendoj se puna duhet të tregohet konkretisht, për të ikur nga fjalët dhe për të kaluar tek veprimet reale", tha kryetarja e Kuvendit në një intervistë për "Zërin e Amerikës".

 Ndërsa lidhur me propozimin e socialistëve për ndryshimin e rregullores së Parlamentit, Topalli, tha se rregullorja e Kuvendit, e bërë me konsensusin e të dy palëve, pas vitit 2009 ka pasur dy pika që janë ndryshuar, e para që lidhet me dekretet për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, dhe e dyta, lidhet me çështjet jashtë rendit të ditës në seancë plenare, të kalojnë për diskutim në fund të rendit të ditës.

"Nëse ne kemi bërë një ndryshim në rregullore, ai është një ndryshim që ka çuar në një standard më të lartë, qoftë për emërimin në mënyrë transparente pa asnjë hije, ashtu siç bëhet në Senatin amerikan, qoftë për faktin që çështjet jashtë rendit të ditës nuk mund të jetë më prioritare se sa kalendari dhe agjenda e reformave që i duhen Shqipërisë dhe shqiptarëve", tha Topalli.

E pyetur për krimin e rëndë të vrasjes së gjyqtarit të Gjykatës së Vlorës, Skerdilajd Konomi, ajo kërkoi nga  Prokuroria që t'i shkojë deri në fund zbardhjes së kësaj ngjarje të rëndë. "Prokuroria nuk ka arsye për të patur frikë, për të hetuar për një rast të tillë. Ky krim duhet zbardhur më parë jo vetëm kush janë ekzekutorët, por kush ishin ato që kanë kërkuar kryerjen e këtij krimi makabër. Është një goditje ndaj shtetit, përveçse është një goditje ndaj gjykatësit dhe kjo është e tmerrshme", u shpreh Topalli. /Start/

                                                                                             2011-09-17 11:18
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›