Figaro: Bojkoti opozitës rrezik për shqiptarët
Autori i Lajmit: Redaksia“Bojkoti i Parlamentit nga opozita vë në rrezik kandidaturën e pranimit të Shqipërisë në BE”. Ky është titulli i artikullit të botuar në gazetën “Figaro”, nga Thierry Portes. Artikullit në fjalë i paraprin një parantezë e shkurtër e situatës në Ballkan e cila thekson se kriza politike në Shqipëri ka filluar të shqetësojë BE-në, për faktin se ky vend është cilësuar si boshti i stabilitetit për vendet e Ballkanit Jugor, si në raport me Kosovën po ashtu dhe me Maqedoninë ku jetojnë një pjesë e madhe shqiptarësh. “Shqipëria është duke përjetuar një debat të ashpër mes liderit të mazhorancës, Sali Berisha dhe atij të opozitës, Edi Rama, njëkohësisht dhe kryetar i bashkisë së kryeqytetit. Debati po shumëfishohet në mënyrë të ndjeshme ditët e fundit në mediat lokale, të cilat, për shkak të bojkotit nga ana e opozitës, janë kthyer në një tribunë të sulmeve personale mes dy liderëve. Lideri socialist nuk është i zgjedhur, por ai i ka ndaluar anëtarët e partisë së tij të mbushin sallën e Kuvendit. Që nga fillimi i shtatorit, gati gjysma e Parlamentit të zgjedhur në qershorin e kaluar vazhdon të dezertojë Kuvendin. Ndërkohë që diplomatët e Bashkimit Evropian nuk rreshtin së përsërituri se funksionimi i rregullave demokratike është një kusht për pranimin në BE, një eveniment sa shumë i dëshiruar nga Tirana zyrtare, po aq i inkurajuar nga Brukseli”, analizon “Figaro”. Gazeta përmend dhe vizitën e Pier Lëllush dhe komentet e tij për situatën politike në Shqipëri. Duke shpresuar fundin e "bojkotit sa më shpejt të jetë e mundur," Pier Lëllush theksoi prerazi se BE-ja mund të mirëpresë në gjirin e saj "sisteme demokratike që funksionojnë" dhe "nuk mbahen peng nga përllogaritjet politike të asnjë force".
Ky lajm është publikuar: 21/12/2009