E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia: Padi për shpifje ndaj deputetes Përnaska

Autori i Lajmit: RedaksiaBashkia e Tiranës ka reaguar dje nëpërmjet zëdhënëses së saj, Joana Bushi për deklaratën e deputetes së Partisë Demokratike, Lajla Përnaska e cila e akuzoi Ramën për standardin e dyfishtë në koston e trojeve në qendër të Tiranës. “Sot, listës së gjatë të ushtrisë shpifëse të Sali Berishës, për çështjen e tokës së kompleksit “Tajvan”, iu shtua dhe deputetja Lajla Përnaska. Korri i laraskave po shtohet dita - ditës, por ashtu siç kemi deklaruar edhe më parë, Bashkia e Tiranës nuk do të harxhojë asnjë minutë kohë nga koha e vyer në shërbim të qytetit e as nuk do të shqetësojë e dhunojë qytetarët përmes ekraneve, siç rëndom bëjnë zërat e çjerra të Qeverisë Berisha”,- tha Bushi. Sipas saj, Bashkia e Tiranës, shpifjeve dhe trillimeve të politikës së përbaltjes, ia ka dhënë përgjigjen e merituar ligjore. “Sali Berisha, Bumçi, Olldashi e Poni e kanë tashmë të depozituar kallëzimin, për të njëjtën çështje që Lajla Përnaska sot përdori edhe një herë, për të hedhur hi syve të shqiptarëve. I bëjmë me dije shtetases Lajla Përnaska se e kuptojmë dëshirën e saj për tu bërë pjesë e grupit: “Na bashkoi Prokuroria dhe Gjykata", ndaj nesër do të dorëzojmë padinë në ngarkim të saj, për shpifje për shkak të detyrës. Qytetit të Tiranës do ti shtohen edhe 1250 pemë, ndërkohë që Përnaska do të dalë shumë e sqaruar nga drejtësia për këtë çështje”,- përfundoi zëdhënësja e Bashkisë së Tiranës, Joana Bushi.

Ky lajm është publikuar: 21/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›