E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Vrasja e Kekës përgjak sërish fushatën zgjedhore

PS ka reaguar për vrasjen e kreut të PDK-së në Malësinë e Madhe. Zëdhënësja Kodheli e cilësoi ngjarjen e sotme si përgjakje të fushatës zgjedhore. PS nënvizon se fushata po tensionohet për shkak të presionit të pushtetit. 

TIRANE- Partia Socialiste e cilësoi si përgjakje të fushatës zgjedhore ekzekutimin e kreut të PDK-së në Shkodër. Zëdhënësja Mimi Kodheli duke shprehur ngushëllimet për familjen e Aleks Kekës, i bëri thirrje policisë të mos bëhet palë me askënd, të zbardhë rrethanat e vrasjes dhe të nxirren autorët përpara drejtësisë.

“I shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes së viktimës, miqve dhe kolegëve demokristianë. Ngjarja e sotme përgjak sërish fushatën zgjedhore të cilën po e tensionon çdo ditë e më shumë gjuha e urrejtjes dhe presioni i pushtetit. Ne i bëjmë thirrje policisë së shtetit, të punojë pa u bërë palë me askënd dhe pa u nxituar në përfundime të parakohshme dhe joprofesionale, të zbardhë një orë e më parë rrethanat e kësaj vrasjeje dhe të çojë përpara drejtësisë autorët e saj” theksoi Kodheli përmes një deklarate për mediat.

PS nënvizon se fushata zgjedhore po tensionohet për shkak të presionit të pushtetit dhe gjuhës së urrejtjes.
“Ngjarja e sotme përgjak sërish fushatën zgjedhore të cilën po e tensionon çdo ditë e më shumë gjuha e urrejtjes dhe presioni i pushtetit” u shpreh zëdhënësja e Partisë Socialiste.

Ndërkohë, PS i ka bërë thirrje shqiptarëve t’i shmangen dhunës gjatë zgjedhjeve duke theksuar se e ardhmja duhet vendosur me votë e jo me dhunë.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›