RENEA, aksion antiterrorist në Vlorë
Porti i Vlorës ka qenë non grata për disa orë të paradites për të gjithë të përditshmit e tij, si dhe për pasagjerët që do të udhëtonin drejt Italisë. Kjo ka ardhur për shkak se forca të përbashkëta shqiptaro - franceze kanë kryer një stërvitje mësimore për lirimin e pengjeve të marra në një traget nga një grup terrorist.
Ky aksion stërvitor ishte kurorëzimi i një stërvitjeje të përbashkët midis forcave RENEA shqiptare dhe një grupi të specializuar të forcave homologe franceze. Në stërvitjen e djeshme ka marrë pjesë edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ahmet Premçi dhe përfaqësues të ambasadës Franceze në Tiranë. Rreth orës 10:00 është improvizuar marrja peng e njërit prej trageteve të linjës me Italinë nga një grup terroristësh. Menjëherë janë vënë në veprim forcat e përbashkëta shqiptaro franceze që nga toka, deti dhe ajri kanë mësyrë tragetin e marrë peng për të bërë të mundur kapjen e terroristëve dhe lirimin e pengjeve. Veprimet e bëra kanë qenë profesionale dhe në pak minuta terroristët e improvizuar janë shoqëruar në ambientet e jashtme të tragetit. Pjesëmarrësit në këtë aksion të improvizuar i ka përshëndetur edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shteti, Premçi, i cili pasi ka falenderuar forcat e angazhuara në këtë aksion për profesionalizmin e treguar ka theksuar se forcimi i bashkëpunimit midis forcave shqiptare dhe atyre të vendeve anëtare të NATO-s do të vijnë duke u përmirësuar për rritjen e nivelit profesional të tyre. Nga ana e tyre, përfaqësues të ambasadës Franceze në Tiranë kanë vlerësuar lartë nivelin e përgatitjes së forcave tona RENEA dhe po ashtu kanë theksuar se bashkëpunimi dypalësh do të vazhdojë ende. Aksioni i djeshëm ishte kurorëzimi i një stërvitjeje dy javore, zhvilluar midis këtyre forcave.