E Diel, 1 Nëntor 2026

PS, Xhaçka: Berisha të dëgjojë kërkesat tona

“Sali Berisha duhet të kuptojë se as gënjeshtrat e njëpasnjëshme dhe as indiferenca teatrale ndaj kërkesave të opozitës për hapjen e kutive të 28 qershorit nuk  e shpëtojnë dot atë dhe qeverinë e dytë të  Gërdecit nga përballja me të vërtetën që fshihet në ato kuti të marra peng në shkelje të ligjit e të së drejtës sonë të pamohueshme”, tha deputetja Olta Xhaçka.

Ajo tha se Berisha gënjye kur deklaroi para shqiptarëve, se ka patur ofertë nga Edi Rama për të bërë një qeveri pa Ilir Metën. “Megjithatë, Sali Berisha e uli në prehër Ilir Metën në këmbim të mashtrimit publik që LSI-ja u bëri 83 mijë shqiptarëve, po nuk mund ta ulë dot kurrë në gjunjë Partinë Socialiste dhe nuk mund ta mbajë dot kurrsesi në këmbë qeverinë e dytë të Gërdecit duke mbajtur në errësirë të vërtetën e kutive të krimit elektoral të 28 qershorit”, tha më tej deputetja socialiste.

Në fund të deklaratës, ajo tha se “hapja e kutive është sot një e drejtë e pamohueshme e çdo pale, jo vetëm në botën demokratike po dhe në Afganistanin e largët, prandaj Sali Berisha duhet të reflektojë përpara se të jetë vonë”.

                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›