E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, Xhafaj: Zgjedhjets’kanë garanci, dobëhet si në ‘96

TIRANE-Sekretari ligjor i PS-së, Fatmir Xhafaj shprehu dje shqetësimin se kandidati kryesor i PS-së për Tiranën që do të jetë Edi Rama, nuk ka se ku të regjistrohet. Sipas tij, ekziston një boshllëk në Kod, i cili nuk përcakton se ku regjistrohet kandidati për Bashkinë kryesore, pasi Tirana s’ka KZAZ. Xhafaj ka folur me dyshim për zgjedhjet dhe tha se, nëse nuk do të ketë rregulla loje, në 9 maj do të shohim Shqipërinë e 1996-ës. Këto deklarata Xhafaj i bëri në emisionin “5 pyetje nga Babaramo” në “News24”.
Zoti Xhafaj, çfarë i kërkuat negociatorit të BE-së, zotit Lajçak?
Kuptohet lehtë se cilat janë dy çështjet, së pari çështja e 21 janarit, për të cilën edhe zoti Lajçak ishte i qartë kur artikuloi nevojën për të respektuar shtetin e së drejtës, duke i kërkuar qeverisë që të ndërpresë punën e atij palo komisioni hetimor. Së dyti, lidhen me zgjedhjet dhe së treti, me probleme që kanë të bëjnë me çështje parlamentare. Natyrisht ne i deklaruam se kemi shprehur qartazi mbështetjen tonë ndaj Prokurorisë për hetimin. Së dyti, i kërkuam nevojën për të pasur disa garanci qoftë edhe minimale për të garantuar bazat, jo një proces të plotë se kjo tashmë s’bëhet, që të garantohet fshehtësia e votës. Ne jemi të përqendruar në ato kushte që përputhen me rekomandimet e OSBE-ODIHR-it. Çështja e parë ka të bëjë me listat, hartimin dhe shpalljen e tyre. Ne kërkuam të na jepeshin dhe jo rastësisht nuk na i dhanë, sepse kjo përbën një nga elementet e manipulimit të PD-së. 3 janë elementet e manipulimit dhe një nga ato janë listat. Ne kemi kërkuar prani të ekspertëve tanë në hartimin e listave. Kjo nuk kërkon ndërhyrje as në Kodin Zgjedhor. Së dyti, ne kemi kërkuar identifikimin e zgjedhësve. Problematika reale për manipulim të procesit është në qendrat e votimit, për shkak të vendosjes së këtyre qendrave në banesat private. Kjo është një çështje që kërkon një konsensus. Ne kërkojmë edhe vendosjen në komisione të një pajisjeje identifikuese që e njeh kartën. Ne jemi dakord për një gjë që, kush s’ka kartë apo pasaportë biometrike, nuk mund të votojë. Gjithkush ka mundësi të marrë kartë identiteti. Ne kërkojmë që të identifikohen zgjedhësit, në mënyrë që të dihet kush ka votuar dhe ku ka votuar.
Ju keni kërkuar edhe shkrirjen e KQZ-së. A është ky kusht i panegociueshëm për të hyrë në zgjedhje?
Kjo KQZ nuk është më sipas konfigurimit të ligjit, sepse duhet të kishte dy anëtarë PD, dy PS, një LSI dhe një PBDNJ. Ndërsa tani ka një anëtar PSD, e cila mund të jetë në zgjedhje, mund të vërë kandidat, mund të mos vërë. Dhe PBDNJ ka të drejtë të kërkojë atë që i takon. Është tërësisht në abuzim me ligjin. KQZ ka mbetur një administratë nepotike, personale. Kryetari drejton në komision në mënyrë arrogante. Që në nisje të këtij procesi zgjedhor, qeveria, kjo maxhorancë ka pranuar deformimin. Ka pranuar që do të fillojë me manipulime.
Ambasadori i OSBE-së dhe ai amerikan kanë thënë se s’ka kohë për ndryshime në KQZ...
Nuk e ka thënë kështu. Ne kemi qenë këtu dhe në Kod janë bërë ndryshime edhe 35 ditë para zgjedhjeve. Ky Kod ka ngërç për pjesën e zgjedhjeve vendore, sepse është marrë më shumë me pjesën e zgjedhjeve të parakohshme dhe me mendjen e vet, Ristani mund ta interpretojë si të dojë. Ky kryeministër që është, e ka dënuar Ristanin, e ka dënuar kur ai ka qenë gjyqtar. Ristani është me precedent penal. Kjo është e njohur. Por e rëndësishme është ajo që po them, se duhen garanci. Por ajo që është lënë të kuptojmë, është se maxhoranca s’ka vullnet të bëjë ndryshime, se kjo do të ishte një mesazh kundër manipulimit. Në takimin me zotin Lajçak u kërkua edhe se duhet të sanksionohet qartazi elementi i transparencës.
Çfarë do të ndodhë tani, ju s’do merrni pjesë në zgjedhje?
Ne kemi filluar të marrim pjesë në zgjedhje, ne kemi çuar komisionerët. Kemi hyrë në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve. Do të bëjmë regjistrimin e kandidatëve në një kohë shumë të shpejtë. Ne po përgatitemi të hyjmë në një lojë sipas rregullave. Këto janë minimumi i kushteve për zgjedhje me standarde, por tani nuk flitet për një proces me standarde. Tani po flitet që moszbatimi i tyre do të bëjë që në 9 maj do flasim për Shqipërinë e vitit 1996. Unë tani nuk mund të them as kështu e as ashtu. Kur ata të thonë s’ka garanci, do të merret një vendim kolegjial nga PS-ja. Ne kemi vullnetin të hyjmë në një proces elektoral dhe jemi të sigurt për fitore plebishitare, sa kohë do të ketë rregulla loje. Me këto kushte vihet në dyshim zhvillimi i një procesi normal. Le të presim.
Po kandidati për Bashkinë e Tiranës kur dhe ku do të regjistrohet?
Është në datën 28 afati maksimal. Natyrisht kjo do të ndodhë, por se ku do të regjistrohet unë s’e di, sepse as Kodi s’e përcakton. Për kandidatin e Tiranës, sot Kodi ka hapësirë boshe. Kandidatët për minibashkitë do të regjistrohen në 11 minibashkitë, kurse Tirana s’ka një KZAZ. Në datën 28, në kushte normale nuk e dimë se ku do ta çojmë kandidatin e PS-së. Natyrisht do ketë një kandidat, po nëse Ristani na thotë silleni te shtëpia, ose e kalojmë nga zyra e kryeministrit.
PD e ka shpallur kandidatin, ndërsa Edi Rama ende jo?
Problemi është ku do vejë kandidati. E dyta, ne e kemi kryetarin e Bashkisë. Ata kërkojnë ta marrin Bashkinë, ta legalizojnë edhe një herë. Ne e kemi kryetarin e Bashkisë që është njëherësh edhe kryetari i partisë. Ai është në dijeninë time, ndërsa mbetet vendimmarrja e forumeve.
A ju duket normale që shefi i opozitës të konkurrojë për Bashkinë?
Kjo është një çështje që ka shumë këndvështrime. Unë kamë qenë në një pjesë të madhe të mbledhjeve në Tiranë, dhe në masë është kërkuar rikandidimi i tij. Kjo ka më shumë arsye sesa marrja e Tiranës, ku Sali Berisha duhet të marrë një leksion tjetër. Baza ka të drejtë të propozojë, zoti Rama ka të drejtën e tij të pranojë ose jo. Është bërë një sondazh dhe zoti Rama ka mbështetje të madhe.
Kush janë kandidatët e tjerë të PS-së?
Ka qenë disa nga kolegët: ka qenë zoti Majko, zoti Klosi, është propozuar zoti Bare, kryetari i PS-së për Tiranën, zoti Shalsi, ka pasur disa, por ajo që më vjen mirë është duke parë sondazhet, të gjithë këta kolegë janë me nga 1-12% diferencë nga kandidati i PD-së.
Përse nuk kandidoi njëri nga këta?
Këtu çështja është përtej një qëndrimi për një funksion kryetari bashkie. Garancitë duhet të jenë më të mëdha, përveç interesit të momentit. Natyrisht koalicioni duhet të ketë kandidatët e vet.
A keni hequr dorë nga kërkesa për zgjedhje të parakohshme?
Jo, absolutisht.
A janë zgjedhjet një test politik?
Në mënyrën se si kanë ardhur gjërat, padyshim që janë një test politik. Nuk bëhet fjalë për një zgjedhje normale dhe për një qeveri normale dhe për demokraci normale. Zgjedhjet janë një test politik në sensin e vlerësimit politik, në sensin e qeverisë aktuale.
A është një test për Edi Ramën?
Presim rezultatin dhe shikojmë. Ka filluar një proces dhe mund të themi që zgjedhjet janë në dyshim. Shpresoj të ketë një reflektim serioz nga qeveria, në mënyrë që të hyjmë në një proces zgjedhor të ndershëm.

(d.b/NEWS24/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: PS, Xhafaj: Zgjedhjet s’kanë garanci, do bëhet si në ‘96

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›