PS: Zonat e thella pa shërbim shëndetësor
Zonat e thella janë lënë pa kujdes shëndetësor, ndërsa sistemi shëndetësor në Shqipëri ka probleme të mëdha me investimin dhe menaxhimin. Në kuadër të fushatës "Dialog me Shqipërinë" Partia Socialiste ka publikuar dokumentin e radhës, i cili analizon në mënyrë të detajuar të gjitha "gjymtyrët" e dëmtuara të mjekësisë shqiptare sot. Sipas kësaj enciklike, dyndjet e imigracionit kanë ndikuar për keq në konfigurimin e mëtejshëm të rrjetit të ofruesve të kujdesit shëndetësor, në raport me nevojat e popullsisë, duke lënë disa prej zonave më të largëta pa personelin e mjaftueshëm apo të duhur mjekësor. Po ashtu, sipas analizës së Partisë Socialiste për ata që jetojnë në zona periferike apo rrethinat e qyteteve, shërbimet bazë dhe shërbimet e kujdesit shëndetësor, kryesisht ato të shëndetit parësor, mbeten akoma të papërshtatshme. Ka një mungesë të mbrojtjes nga rreziqet e reja për shëndetin, siç e pasqyron rritja e menjëhershme e numrit të personave që pësojnë aksidente automobilistike, atyre që pinë duhan apo sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, si HIV/AIDS apo Hepatiti C.