PS, aksion politik me mocione e interpelanca
TIRANE- Deputetët socialistë do të kenë një axhendë tepër të ngjeshur në këtë sezon të ri politik. Madje, për të realizuar sa më mirë kursin e ri politik, burimet nga PS-ja bënë të ditur se është hartuar një axhendë, e cila do të diskutohet sot në një mbledhje të veçantë të kryesisë së grupit parlamentar dhe kryetarëve e nënkryetarëve të komisioneve parlamentare. Mbledhja që pritet të zhvillohet sot paradite do të jetë e përjavshme, deri në përfundim të këtij sesioni parlamentar. Mësohet gjithashtu se PS ka depozituar qysh ditën e martë kërkesën për një seancë të posaçme për çështjen e minatorëve të Bulqizës. Ndërkohë në axhendën politike të Kuvendit mbeten në pritje një sërë interpelancash, si ajo me ministrin e Shëndetësisë, Petrit Vasili e me shumë ministra të tjerë, por edhe mocione me debat. Por gjithsesi, sot do të caktohen edhe hapat e saktë të të gjitha kërkesave që do t’i drejtohen Kuvendit. Ndërkohë, gjatë muajit shtator, deputetët e PS-së do të ndahen në grupe të veçanta, në bazë të çështjeve të rëndësishme që shtrohen përpara. Veç grupit të deputetëve dhe ekspertëve që do të merren me reformën zgjedhore dhe propozimet që do të hartohen për këtë çështje, do të ngrihen edhe një sërë grupesh të tjera pune që do të merren me ndryshimet kushtetuese apo me çështje të tjera, në varësi të projektligjeve dhe diskutimeve që do të hapen në parlament. Ndërkohë edhe me median do të ndiqet një rrugë komunikimi ndryshe nga ç’ka ndodhur më parë. Pas çdo mbledhjeje grupi do të ketë një zëdhënës grupi që do të sqarojë rreth mbledhjeve, ndërsa e njëjta gjë do të ndodhë edhe me mbledhjet e komisioneve parlamentare. Pas çdo mbledhjeje komisioni do të jetë një deputet përgjegjës, që do të sqarojë se çfarë është diskutuar.
(s.g/GSH/BalkanWeb)
(s.g/GSH/BalkanWeb)