E Shtunë, 31 Tetor 2026

Peng i aferave zgjerimi i portit të Vlorës, D'Elia letër Olldashit

TIRANE-Një skandal i paralajmëruar ‘troket’ sërish në derën e ministrit Sokol Olldashi. Kanë kaluar 10 muaj nga data e paraqitjes së ofertave në tenderin për një projekt madhor të infrastrukturës, që ka të bëjë me Portin e Vlorës, dhe procesi është bllokuar si pasojë e dyshimeve të forta nga investitorët e huaj se gjithçka është zhytur në pellgun e korrupsionit. Investimi prej 15 milionë eurosh bëhet nga qeveria e vendit fqinj, nëpërmjet Kooperacionit Italian dhe ofertat nga subjektet e interesuar janë dorëzuar më 30 nëntor të vitit të kaluar. Por, nuk është burokracia e Romës ajo, që e ka penguar procesin. Palës donatore i kanë lindur mëdyshje lidhur me metodat e punës së palës shqiptare në vlerësimin e ofertave, aq sa vetë ambasadori Saba d’Elia ka kërkuar prononcimin e kreut të ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit, duke qenë se ne firmën e këtij të fundit është caktuar përbërja e Komisionit të Prokurimit.
Letra
Ambasadori italian ka kërkuar zyrtarisht nga Olldashi sqarime dhe informacione të mëtejshme, konkretisht, lidhur me vetëdeklarimet e një shoqërie pjesëmarrëse në tender, SI.GEN.CO, që ajo ka dorëzuar tek autoritetet shqiptare, si dhe për kriteret e ndjekura nga Komisioni shqiptar i Vlerësimit të Ofertave për të verifikuar të dhënat e paraqitura nga subjektet italiane, në se ato ishin apo jo në përputhje me normat e paracaktuara për tenderin. Nga ana tjetër, kërkohet informacion për kriteret e vlerësimit të ofertave teknike, në bazë të të cilëve janë dhënë pikët; për mangësitë në dokumentacion, në bazë të të cilave janë skualifikuar kompani të caktuara, etj. Më tej, ambasadori kërkon të dijë, a është zhvilluar – para takimeve të rezervuara – ndonjë takim i hapur, në të cilin Komisioni t’u shpjegonte konkurrentëve kriteret që do të zbatonte për caktimin e pikëve.
Procesi
Në tenderin për zhvillimin e Portit kanë marrë pjesë disa subjekte, të gjitha të regjistruara në Itali. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ndoqi praktikën e kualifikimit paraprak, duke u nisur nga kushtet teknike që ofrojnë kompanitë e pranishme, madje duke i kushtuar 60 për qind të pikëve vlerësimit teknik, kundrejt vetëm 40 për qind të tyre për ofertat ekonomike.
Në fazën e parë, vlerësoheshin pikët dhe ato kompani që plotësonin apo tejkalonin 48 pikë, hynin në fazën e dytë. Sipas Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, që është drejtuar nga vetë drejtori i Portit të Vlorës, Kasëm Mahmutaj, pikaverazhin më të lartë e ka merituar konsorciumi “FIT&Sigenco”, me 56.01 për qind të pikëve, me një diferencë të ndjeshme nga pasuesja “Trevi”, që ka arritur të grumbullojë 50.8 për qind të pikëve, ndërkohë që në vend të tretë doli “Piacentini”, me 49.1 për qind dhe “VIP Lavori”, në vend të katërt, me 48.81 për qind të pikëve.
Ankesa
Kompanitë që morën pjesë në tender ishin prestigjioze. Por ngjalli dyshim të veçantë një fakt. Kompania “Cidonio” është vlerësuar nga Mahmutaj me 47.78 për qind të pikëve, pra me 0.22 pikë më pak se sa i duheshin këtij subjekti që të vijonte konkurrimin e tij me hapjen e zarfit, ku ishte oferta ekonomike, duke u skualifikuar që në hapin e parë. Sipas ekspertëve të proceseve të prokurimit publik, duket si tepër e dyshimtë diferenca kaq e madhe e një kompanie, në aspektin teknik të vlerësimit të kapaciteteve të saj nga autoritetet shqiptare, që ka bërë të mundur shkëputjen me gjashtë pikë në garën për të fituar të drejtën që të kryejë punimet.
Ata që njohin kompaninë “Cidonio” e quajnë të pamundur që ajo, e cila ndërton, mes të tjerash, struktura për mbrojtjen e Venecias nga deti, të quhet e paaftë të ndërtojë Portin e Vlorës, me këtë vlerësim kaq të ulët nga autoritetet përkatëse shqiptare, të mbikëqyrura nga Kooperacioni. Komisionit iu drejtuan edhe ankesa nga subjektet e tjera pjesëmarrëse.

Tenderi 15 mln euro, “peng” zgjerimi i portit të Vlorës
Kompania siçilianeSI.GEN.CO, që duket si e paracaktuar të fitojë tenderin, ka një histori 12-vjeçare, tepër të shkurtër për një biznes që synon të kthejë Portin e Vlorës në një nga më modernët e Mesdheut. Në fakt, ajo ka edhe çështje të pakëndshme në CV-në e saj, si p.sh., anulimin, në vitin 2004, të kontratës për rikonstruksionin e një galerie në autostradën italiane A7 për vonesa të mëdha.
Duket se problemet kanë lindur, sidomos, në fazën përzgjedhëse të fituesit të këtij tenderi nga pala shqiptare, ku fituesi ka dalë vetëm pas skualifikimit të kompanive të tjera, në kushte shumë të dyshimta.
Edhe një tjetër kompani pjesëmarrëse në tender, “San Martino”, ka vënë në dijeni zyrtarisht autoritetet më të larta shtetërore shqiptare, por edhe ato italiane, lidhur me këtë skandal. Edhe ky subjekt ka ngritur pretendime për një skualifikim tërësisht antiligjor, që është bërë në kundërshtim me gjithë direktivat e Bashkimit Evropian në këtë fushë. Sipas ankimimit që ka bërë kompania italiane, rezulton që skualifikimi i saj, por edhe i disa të tjerave, është bërë në kundërshtim të plotë, si me ligjet ekzistuese shqiptare, ashtu dhe direktivat e BE-së. Pika kyçe e pretendimit të italianëve të “San Martinos” duket se ka të bëjë me një periudhë tremujore, nga dita e dorëzimit të ofertës, deri te dita e shpalljes së saj si e skualifikuar.
Pas kërkesave të njëpasnjëshme dhe të përsëritura nga ana e kompanive pjesëmarrëse në procesin e tenderimit për t’u njohur me kriteret e ndjekura gjatë vlerësimit, ky dikaster nuk denjoi t’i kthejë përgjigje, duke parapëlqyer që, në mars të njoftojë investitorin - Kooperacionin Italian – se opsioni më i mirë ishte që punimet të kryheshin nga SI.GEN.CO.
Gazeta
Ashtu si media të tjera, ka qenë “Gazeta Shqiptare”, e cila ka vënë në dukje parregullsi të theksuara gjatë zhvillimit të tenderit për modernizimin e Portit të Vlorës, më datë 16 mars të këtij viti. Artikulli investigativ zbulonte probleme nga më të ndryshmet, ku spikaste predispozita e kreut të dikasterit për të nxjerrë me çdo kusht fitues kompaninë jetëshkurtër siçiliane. Sikurse pritej, në vend që të reflektonte lidhur me dyshimet e ngritura, Olldashi vijoi të heshtte e të çonte në fund angazhimin që kishte marrë ndaj dikujt.
Vërejtjet
Që nga ajo kohë, ekspertët e fushës dallojnë edhe shumë pika të tjera “të errëta” në procesin e prokurimit publik të kësaj vepre madhore. Së pari, është konstatuar shkelje e procedurave të garës për sa u përket njoftimeve për rregullat e hapjes së ofertave teknike dhe atyre ekonomike. Nga ana tjetër, bie në sy një favorizim i tepruar i një kompanie, më pas të shpallur që meriton të jetë fituese, lidhur me akordimin e pikëve për vlerësimin mbi organizimin e kantierit dhe jetëgjatësinë e veprës.
Të pyetur nga Gazeta, ekspertë të infrastrukturës kanë vënë në dukje se një nga absurditetet në vlerësimin e Komisionit ka të bëjë me atë se kompania ka dhënë një afat realizimi më të gjatë në kohë se sa kompanitë e tjera pjesëmarrëse në garë e, megjithatë, merr një numër pikësh që përbën diferencën midis saj e të tjerave. Po kështu, ata shtrojnë se është i dyshimtë fakti që SI.GEN.CO ofron një çmim më të ulët se të tjerat, çka nuk mund të të krijojë bindjen se do ta ndërtojë veprën me një cilësi më të mirë se të tjerat.
Investimet
Porti i Vlorës rrezikon të kthehet në shembullin më të keq, se si prezantohet vendi ynë nga qeveria e tij në sytë e komunitetit ndërkombëtar të biznesit. Problemi më i madh në këtë mes është pikërisht mënyra se si është proceduar nga autoritetet shqiptare të vlerësimit të ofertave në tenderin për zhvillimin e tij. I gjithë komuniteti përgëzon – duke uruar që të jetë realiste – arritjen e sigurimit të investimeve të huaja direkte gjatë vitit 2010 në masën mbi 1 miliardë dollarë. Por, në rast se titullari i një dikasteri do të menaxhojë paratë publike në një mënyrë të tillë, madje në një kohë krize globale, Shqipëria do të vazhdojë të mbetet me porte të vjetra e rrugë që fillojnë e nuk mbarojnë kurrë. 

(GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›