E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS akuza OSSH-së

Tiranë Partia Socialiste ka kritikuar sot gjendjen e keqe në të cilët ndodhen shërbimet spitalore në të gjithë vendin. Në komunikim me median, nënsekretari për Programin në PS Ilir Beqja ka radhitur një sërë spitalesh në të gjithë vendin, ku fillimi i vitit 2009, i ka gjetur pa energji elektrike. Sipas Beqes në maternitetin e qytetit të Lezhës energjia elektrike dhe uji kanë munguar më shumë se 24 orë, ndërsa në Peshkopi për më shumë se dy ditë rruga që të çon në spitalin e qytetit ka qenë e bllokuar nga bora. E njëjta situatë haset edhe në Qendrën Spitalore Universitare të vendit, ku nuk ka ngrohje në shërbimin e kardiologjisë.

“Kaluan 6 muaj nga fillimi i punës së ministres së shëndetësisë, dhe situata në spitale është po ajo. Edhe premtimet e saj për stabilizimin e furnizimit me ilaçe brenda 2 muajsh nga dita që mori detyrën nuk u mbajtën. Kjo dëshmon se problemet e shëndetësisë shqiptare nuk janë emrat e ministrave, por mungesa e një programi të qartë të qeverisë dhe paaftësia e papërgjegjshmëria shembullore e kryeministrit të vendit”-theksoi Beqja për mediat.

Më tej, në emër të Partisë Socialiste, Beqja tha se shqiptarët duhet të vazhdojnë të marrin leje nëse duhet të sëmuren apo gratë shtatzëna duhet të pyesin në OSSH përpara se të sjellin fëmijët e tyre në jetë, duke ironizuar për mungesën e energjisë elektrike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›