Gjendja e sigurisë në Mitrovicë mbetet e tensionuar
Mitrovicë - Gjendja e sigurisë në Mitrovicë mbetet e tensionuar pas incidenteve që kanë ndodhur gjatë ditëve të fundit në veri të qytetit. Kështu u vlerësua të hënën në Komitetin për Siguri ku morën pjesë përfaqësues të strukturave politike dhe të sigurisë. Kryetari i Komunës, Bajram Rexhepi, tha se grupe të caktuara dhe të organizuara serbe në veri janë duke bërë incidente me qëllim të tensionimit të situatës, ku më pastaj pësojnë banorët e pafajshëm. Me këtë rast Rexhepi bëri thirrje për vetëpërmbajtje të popullatës në atë pjesë të qytetit, ku përballen me provokime të përditshme. "Banorët duhet të bashkëpunojnë me KFOR in dhe EULEX in në mënyrë që këtyre strukturave të sigurisë t'u lehtësohet veprimi dhe kryerja e përgjegjësive që kanë", tha Rexhepi. Ai vlerësoi se këto struktura kanë qenë mjaft efikase dhe kanë reaguar shpejt gjatë këtyre ditëve sa ka pasur tensione duke mos lejuar përshkallëzimin e situatës. Në lidhje me kërkesat e banorëve për kompensimin e dëmeve që kanë pësuar nga dhuna e ditëve të fundit, kreu i Mitrovicës tha se do të shqyrtohen mundësitë që ka komuna si dhe do të kontaktohet me Qeverinë e Kosovës për këtë çështje. Ai përmendi edhe ankesat e banorëve të fshatrave të veriut, Suhadoll, Vidimriq e Gushavc, për bllokimin e urës që lidh këto fshatra me jugun e qytetit nga KFOR i në rastet kur ndodhin incidente. Ai kërkoi nga strukturat e sigurisë që t'i identifikojnë sa më parë personat që janë duke bërë këto incidente, ndërsa "arrestimi i tyre do të ishte mesazh i mirë për të gjithë keqbërësit, në të kundërtën ata do të trimërohen për të vazhduar me probleme", tha Rexhepi. Përfaqësuesja e Policisë Rajonale në Mitrovicë, majore. Afërdita Mikullovci, tha se hetimet për të gjitha këto raste që kanë ndodhur këto ditë në veri janë duke vazhduar dhe janë identifikuar disa persona të dyshimtë, të cilët kryejnë veprime kriminale. Përfaqësuesit e KFOR it përsëritën se ata janë të përkushtuar dhe të gatshëm që në bashkëpunim me EULEX in të ndërhyjnë në çdo rast për ta parandaluar destabilizimin e situatës. Në këtë takim të Komitetit për Siguri mori pjesë edhe Adem Mripa, përfaqësues i banorëve të Lagjes së Boshnjakëve, i cili tha se vetëm gjatë 10 ditëve të fundit ai është sulmuar 7 herë. Mripa tha se banorët kërkojnë gjithashtu kompensimin e dëmeve që kanë pësuar gjatë këtyre ditëve nga grupet e serbëve, të cilët bëjnë presion në forma të ndryshme me qëllim të spastrimit etnik në atë pjesë të Kosovës. QIK