E Diel, 1 Nëntor 2026

PS, akuzat për korrupsion, një strategji veprimi

Qëndrimi Selia rozë pritet të zgjerojë ofensivën publike

Sulmet e Partisë Socialiste mbi përfaqësuesit e ndryshëm të qeverisë dhe të shumicës parlamentare është perceptuar tanimë si një strategji veprimi. E ngritur mbi ndjesinë e përgjithshme të një korrupsioni që jo vetëm rritet, por pasqyron karakterin selektiv të përfitimeve, ky angazhim i selisë rozë po prezanton objektiva politikë të mirëfilltë. Objektiva që janë pjesë e një mekanizmi të kurdisur mirë, me fakte konkrete dhe të dhëna zyrtare, publikimi i të cilave e ka detyruar Kryeministrin të adaptojë taktikën e heshtjes dhe anashkalimit. Të paktën sipas prezantimit publik, nisma socialiste zuri fill me deklarimin e pasurisë së ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, akuza ndaj të cilit ushqeu edhe krijimin e një kuptimi të ri për koalicionin PD-LSI. Korrupsioni ishte, sipas PS-së, nyja lidhëse që solli paktin e 2009-s dhe jo integrimi sikurse u deklarua në fillesën e vet. Simbolikisht opozita e drejtuar nga Edi Rama ka adaptuar luftën ndaj korrupsionit si armë akuze për një qeveri dhe një Kryeministër që erdhi në pushtet me këtë kartë. Brenda këtij kuadri politik të përbërë nga disa faktorë politikë, korrupsioni i denoncuar nga PS-ja e homogjenizon atë për shkak të përgjegjësive të njëjta dhe këtu do parë një arsye elektorale në sulmin ndaj LSI-së. Beteja në elektoratin e majtë vijon ende si një larje hesapesh mes PS-së dhe forcës së drejtuar nga Ilir Meta, e cila për dy zgjedhje rresht ka përcaktuar kalimin në opozitë të Partisë Socialiste. Në ndryshim nga metoda e Berishës, adresimi prej PS-së i korrupsionit si problem madhor për shoqërinë shqiptare zbulon një element komunikativ ndryshe. Kështu, pa sulme personale dhe etiketa me zhargon rruge, përfaqësuesit socialistë kanë preferuar shifrën si element i memorizimit më të lehtë nga opinioni. 1.8 milionë euro për ministrin Prifti dhe 4 miliardë dollarë për deputeten Vokshi, përveçse akuza me karakter penal për korrupsion, janë ndër të tjera edhe të dhëna mediatikishit të shumëfishuara, ku çdo qytetar priret të huazojë mendimet e veta për të akuzuarit apo të formojë një gjykim politik. Për krahasim, në mandatin e parë të qeverisjes demokrate, sulmi socialist u përqendrua ndaj Lulëzim Bashës dhe Sokol Olldashit, i pari ministër në një vepër të shumëpërfolur nga opozita, ndërsa i dyti kandidat për kryetar i Bashkisë së Tiranës. Qëllimi politik që pasqyron logjika e angazhimit të PS-së riciklohet sërish edhe në momentin e tanishëm, kur Shqipëria pret jo vetëm zgjedhjet lokale që paraprihen nga vendimi për liberalizimin e vizave, por edhe opinioni për statusin e vendit kandidat. Përtej këtij arsyetimi që po shfaqet gradualisht i plotë, akuzat e PS-së i bëjnë jehonë një realiteti ekonomik që preket kudo, shpërfillet nga shifrat e emetuara prej agjencive të ndryshme, por që gjithsesi qëndron praktikisht si mjedisi i vetëm që modelon sjelljen elektorale të qytetarëve shqiptarë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›