E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rezoluta e Parlamentit Europian përcakton negocimin në rast dështimi

Zhvillimet Pika 5 e dokumentit flet për një mision të ri në Tiranë

Një mbyllje pa rezultat e negociatave aktuale mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike ka gjasë të aktualizojë një ndërmjetësim të fundit të Strasburgut. Burime nga selia rozë bënë të ditur për “Shqip” se përmbajtja e rezolutës së miratuar më 8 korrik në Parlamentin Europian jep një mundësi praktike për të riorientuar diskutimin rreth kërkesave të selisë rozë. Pika 5 e dokumentit në fjalë i hap rrugën kësaj procedure që, nëse do të mbërrijë si skenar i zhvillimit politik, ka gjasë të jetë paranteza e një penalizimi të Shqipërisë në procesin e Integrimit në Bashkimin Europian. “Parlamenti Europian i bën thirrje qeverisë dhe opozitës, që nëse nuk arrihet një zgjidhje pa ndihmën e huaj, atëherë të bihet dakord për ndërmjetësim, p.sh duke ftuar së bashku Këshillin e Europës dhe/ose përfaqësuesit e Parlamentit Europian”, thuhet në pikën 5 të rezolutës. E parë në një vështrim më afatgjatë, kjo pikë i vjen për shtat interesave të Partisë Socialiste, e cila ka investuar kohë dhe energji në zbardhjen e së vërtetës së zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. E vënë në kontekstin e zhvillimeve aktuale, ajo i jep një avantazh shumicës në pushtet, e cila, nëse nuk arrihet kompromisi i kërkuar, atëherë mund të adresojë shqetësimin e socialistëve te një tur i ri negociatash me ndërmjetësim të huaj. Kjo procedurë që sanksionohet si sugjerim në dokumentin e miratuar më 8 korrik, aktualizohet që tani si një instrument dialogimi, por që gjithsesi krijon kostot politike për të dyja palët. Burimet nga PS thanë dje për “Shqip” se interesi opozitar e kërkon nisjen nga puna të Komisionit Hetimor Parlamentar me garancinë e mosasgjësimit të fletëve të votimit, sa më shpejt që të jetë e mundur, pasi përpos të tjerave, ai siguron për opozitën lëndën e parë për të denoncuar me fakte mekanizmin elektoral të 28 qershorit. Në vetvete ky proces hetimor, nën drejtimin e PS, me shpresën e bazuar të zbulimit të manipulimeve, është karta më e mirë për të krijuar klimë të favorshme politike për zgjedhjet e ardhshme lokale, e ndoshta për të provokuar thyerje të mandatit qeverisës. Përpara qeverisë dhe shumicës së koalicionit PD-LSI qëndron opsioni i ndërmjetësimit të huaj, një shans që i jep kohë asaj, por që gjithsesi e vendos të gjithë punën e bërë në kufijtë ekstremë. Një dështim i negociatave automatikisht do të sjellë një notë negative për statusin e vendit kandidat në muajin nëntor, e cila nuk varet vetëm nga dialogu për zgjedhjet, por nga nevoja e vendosjes së një bashkëpunimi shumë të gjerë. Kjo është me sa duket edhe vlera specifike e negociatave Ruçi-Patozi, që kanë mbetur të bllokuara në diskutimin mbi fatin e fletëve të votimit. Të ingranuara në një mekanizëm krize që është bërë përcaktues për çdo zhvillim të mëtejshëm për vendin, ky debat teknik vetiu është transformuar në një mundësi politike prej nga ku të dyja partitë kryesore kanë shansin për të parashikuar perspektivën. Mjafton të kujtohet se në tërësinë e vet, aktualiteti politik shqiptar, po e vendos mazhorancën dhe sidomos Kryeministrin në një pozitë jo shumë të besueshme, për shkak të qëndrimit të mbajtur për gjykatat dhe ligjin e ri të SHISH. Një gabim i vëzhguar nga partnerët e Shqipërisë, që në çdo pikëpamje ndikon në pozitën negociuese të palëve dhe leximin e qëllimeve të tyre që po zbulohen pavarësisht argumentimit formal dhe juridik.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›