Opozita, akuzë e re ndaj deputetes së PD. Reagon Vokshi: Do ti drejtohem gjykatës
Socialistët kanë akuzuar sërish deputetën e PD-së, Albana Vokshi për abuzime dhe konflikt interesi, ndërsa dje ka thyer heshtjen parlamentarja demokrate duke kërcënuar opozitën se do t’i padisë në gjykatë.
PS“Milionat ua lënë vendin miliardave. Përshkrimi dhe denoncimi i korrupsionit që Partia Socialiste i vesh qeverisë aktuale dhe përfaqësuesve të saj ka rritur treguesin shifror. Konkretisht, akuzat e ditëve të fundit ndaj deputetes demokrate Albana Vokshi kanë kapur dje një kuotë të re, teksa kolegu i saj socialist, Artan Gaçi ka bërë publik faktin se kompania e saj kontrollon rezerva nafte me një vlerë prej 4 miliardë dollarësh. “Nën këshillimin e saj, por me vendim të tijin, Berisha i kaloi burrit të këshilltares kontrata për nxjerrje nafte nga nëntoka shqiptare për 25 vite. Rezervat e naftës në zonat ku kompania e Albana Vokshit punon, kapin një vlerë tregu prej afër 4 miliardë dollarësh, sipas një llogaritjeje të vetë kompanisë. E kuptoni, Sali Berisha i ka falur Albana Vokshit 4 miliardë dollarë të pasurisë publike. Ndërsa taksat që paguan kjo kompani në arkën e shtetit janë qesharake, 2-6%”, tha Gaçi. Nëse një e dhënë e tillë është e vërtetë, atëherë ajo nga pikëpamja numerike do të thotë se firma në fjalë përfiton në 25 vjet afërsisht një buxhet vjetor të Shqipërisë së vitit 2007. Selia rozë akuzon në fakt se përfitimi i kontratave të këtilla është bërë në kundërshtim me ligjin dhe në një konflikt të hapur interesi. Kështu, edhe deputeti Gaçi dje ka nënvizuar se firmosja e kësaj kontrate dëshmon për praktika të këtilla, që me afrimin e fushatës elektorale po bëhen gjithnjë e më të shpeshta për publikun. “Më 8 Gusht 2007, Kryeministri Berisha, duke shkelur çdo ligj të konfliktit të interesit e korrupsionit, i fali burrit të këshilltares së tij tri fusha prodhimi nafte funksionale, e një fushë gazi natyror. Kjo kontratë iu dha me propozim të ministrit të Ekonomisë dhe të vetë Albana Vokshit, një firme pa eksperiencë në këtë sektor e pa projekte të tjera në menaxhim, por që si vlerë të vetme kishte faktin që ishte pronë e familjes Vokshi- Tartari”, tha Gaçi.
VokshiAkuzat e PS-së për përfitimin e kontratave korruptive nga ana e kompanisë së partnerit në bashkëjetesë të deputetes Albana Vokshi kanë gjasë të hapin një proces gjyqësor. Deputetja demokrate ka reaguar dje përmes një deklarate për shtyp, duke nënvizuar se të gjitha ato çfarë janë thënë nga selia rozë janë shpifje, për të cilat ajo do t’i drejtohet gjykatës. “Lidhur me shpifjet dhe trillimet e turpshme të Edvin Kristaq Ramës do t'i drejtohem gjykatës, në mënyrë që të vë në vend dinjitetin dhe drejtësinë mbi këtë rast", është shprehur Vokshi. Ajo ka dhënë sqarime për ato çka akuzohet nga PS-ja, duke mos munguar të kundërpërgjigjet personalisht ndaj kreut socialist, Edi Rama. “Mungesa në legjislacionin shqiptar e rubrikës për deklarimin e pasurisë për partnerët bashkëjetues, e ka bërë të pamundur deklarimin nga ana ime të pasurisë së zotit Arian Tartari. Sapo ligji të parashikojë rubrikën përkatëse, unë do të zbatoj me përpikmëri kërkesat e tij... Dëshiroj të pyes Edvin Kristaq Ramën a i ka ndërhyrë ndokush për shumë leje ndërtimi që kompanitë me të cilat ka bashkëpunuar Arian Tartari, ka marrë nga bashkia nën drejtimin e tij? Po për licencat e tjera që ai ka përfituar para 2005-s, periudhë në të cilën qeveriste PS-ja, kush ka ndërhyrë”, u shpreh deputetja demokrate, Albana Vokshi, në një përgjigje që njëkohësisht është akuzë për kreun e PS-së.
#