PS: Meta të harrojë se merr vota
Dalja e Lëvizjes Socialiste për Integrim me një mesazh për zgjedhjet e vitit 2011 riciklon deklarimet politike standarde të selisë rozë për procesin e 2009-s. Menjëherë pas qëndrimit të shprehur nga sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, për nevojën e rikalkulimit të rezultateve elektorale të kaluara, zëdhënësja e PS-së, Armela Imeraj, ka replikuar me një “JO” të qartë. “Nëse LSI-ja mendon se mund të fitojë diçka duke vjedhur vota si në zgjedhjet e 2009-s në Ndroq, ta harrojë! Por është e kuptueshme frika e LSI-së nga vota e shqiptarëve. Së pari, sepse tradhtoi e gënjeu votuesit e majtë duke mbajtur në pushtet Berishën. Së dyti, sepse premtoi 100 mijë vende pune dhe vetëm gjatë vitit të parë të pushtetit PD-LSI kanë humbur 100 mijë shqiptarë vendet e tyre të punës”, tha ajo. Një kundërshtim i prerë i mesazheve të LSI-së, por edhe një përkufizim tërësisht opozitar i koalicionit aktual qeverisës që, sipas tij, fiton vetëm një emër: dështim. Në fakt, përgjigjja e Imerajt është një riprodhim i deklarimit të paradokohshëm të kreut socialist, Edi Rama, i cili duke iu referuar aleancës koniunkturale të krijuar në Parlament me LSI-në lidhur me ligjin e ri të Shërbimit Informativ Shtetëror, bëri të qartë se çdo ide mbi bashkëpunimin me partinë e Ilir Metës është një iluzion. “PS-ja nuk bashkon votat me askënd”, u shpreh ndër të tjera Rama, duke larguar idenë e zhvillimeve të reja në skenën politike.
#