E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenca belge: Ngërçi i tejzgjatur dëmton Shqipërinë

Bruksel Ministri i Jashtëm, Steven Vanackere, paralajmëroi politikën

Kreu i Presidencës së radhës së Bashkimit Europian, përkatësisht shefi i diplomacisë së Belgjikës, Steven Vanackere, ka deklaruar një javë më parë se kriza e tejzgjatur politike në Shqipëri po dëmton imazhin e vendit në Europë. Mesazhi është dhënë pak kohë pas mbylljes së sezonit parlamentar, ku nuk u arrit dot ngritja e komisionit hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit, por edhe pas përplasjes mes mazhorancës dhe Presidentit të Republikës. Ministri i Jashtëm i Belgjikës, duke folur për BBC-në, thekson se “funksionimi i institucioneve është parim bazë i demokracisë dhe ka shumë rëndësi në përmbushjen e kritereve të Kopenhagës”. Duke iu përgjigjur pyetjes për krizën shqiptare, Vanackere theksoi se: “Më 29 korrik, Kryeministri im u takua me Kryeministrin Berisha në Bruksel. Në këtë takim u diskutua për këtë çështje. Sigurisht do të ishte mirë që vetë Shqipëria ta zgjidhte këtë problem shqiptar. Ne e vlerësojmë rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon, pjesëmarrjen e saj në disa nisma bashkëpunimi rajonal dhe hapat për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe. Autoritetet shqiptare po punojnë për kryerjen e disa reformave në kuadrin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit. Por, kur sheh situatën e brendshme dhe krizën e tejzgjatur mes qeverisë dhe opozitës, e kupton se kjo ndikon negativisht mbi imazhin e Shqipërisë në Europë. Ne theksojmë edhe një herë se funksionimi i institucioneve është parim bazë i demokracisë dhe ai ka shumë rëndësi në përmbushjen e kritereve të Kopenhagës. Siç e them edhe për vende të tjera, përpjekjet për zgjidhjen e këtyre problemeve nuk duhet të bëhen vetëm për hir të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Kjo është e rëndësishme për të pasur një klimë politike normale dhe për t'i shërbyer sa më mirë qytetarëve të një vendi”.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›