E Diel, 1 Nëntor 2026

PS akuzon familjen e Berishës për përfshirje në afera korruptive

Braçe: Berisha varfëron shqiptarët, pasuron familjen e tij
Ditën e djeshme deputeti socialist Erion Braçe i është rikthyer akuzave ndaj familjes kryeministrore e cila sipas tij  është e përfshirë në korrupsion me pronarët dhe tenderët qeveritarë. Sipas Braçes,  një vit më parë në  njoftimin e një kompanie imobiliare shpallej  Argita Malltezin si konsulente ekskluzive e kësaj kompanie në shitblerjen e pasurive të paluajtshme. Në këtë njoftim e kompania kishte nxjerrë në shitje 2.4 mln metër katror tokë në Gjirin e Lalëzit të disponuara me certifikatë qeveritare. Rruga dhe ky njoftim është shembulli më i mirë që sjell në evidencë të njëjtën skemë siç ajo e Damir Fazlliç në Porto Romano sipas të cilës përdoren vendimet politike të qeverisë si dhe paratë publike të shqiptarëve për të rritur vlerën e pronave të paligjshme të pushtetarëve,- u shpreh Braçe. 141 ditë larg nga shembja e këtij sistemi ekonomiko-kriminal që po varfëron e vjedh gjithnjë e më tepër shqiptarët dhe pasuron çdo ditë e më shumë familjen që na qeveris, kjo rrugë  është një tjetër provë e babëzisë që ka zënë në pleqëri kryeministrin tonë të korruptuar dhe një tjetër apel pse në këtë vend duhet ndryshim,- përfundoi Braçe.
Numri dy i grupit parlamentar të PS, Erion Braçe ka reaguar edhe ndaj rikonstruksionit  të  rrugës Gjiri i Lalëzit, punimet në të cilën duhet të kishin përfunduar që në janar të vitit 2009. Sipas Braçes, investim, sistemim, asfaltimi i rrugës Gjiri i Lalëzit me vlerë 870mln lekë ose afërsisht 10 mln dollarë ka nisur të ndërtohet në Janar 2007 . Ajo duhet të mbaronte në Janar 2009 gjë që presupozon jo vetëm mbulim me financim brenda vitit 2008, por edhe dorëzimin dhe vënien në shfrytëzim të rrugës brenda 31 Janar të 2009,- tha Braçe. Sipas tij, paratë e abuzimeve ne tenderë apo gjate zbatimit te investimeve shkojne per pasurimin e  familjes qe qeveris. Braçe tha se për fat të keq rruga nisi të ndërtohet si rrugë elektorale 20 ditë përpara zgjedhjeve lokale të vitit 2007  dhe pikërisht për këtë arsye jo vetëm që nuk ka mbaruar por të dhënat në terren e tregojnë të largët ditën kur do të mbarojë. Rruga është e gjatë 20 km dhe koha prej 24 muajsh e ndërtimit të saj ka qenë mëse e mjaftueshme ( 833 metra në muaj për tu ndërtuar),- theksoi Braçe. Nënkryetari grupit të PS, Braçe i është referuar deklaratës  së Sali Berishës se qeveria e tij së bashku me kompanitë e kontraktuara punojnë 24 orë në ditë me tre turne dhe sipas tij, rezulton që të ketë patur në dispozicion 17.520 orë pune, me një fjalë duhej të ndërtonte 110 cm rrugë në orë. Braçe konstatoi se shtë asfaltuar deri tani gati 55 % e rrugës . Për fat të keq, vijoi ai, çdo kilometër në këtë pjesë të bërë është shkatërruar për shkak të cilësisë shumë të dobët të punës mbi të gjitha për shkak të mosrespektimit të standardeve në ndërtimin e shtresa të domosdoshme të rrugës. Kjo ka bërë që firma sot , kur rruga duhej të ishte e mbaruar, të nisë arnimin e segmentit të asfaltuar. Sipas tij, 45% e rrugës është në fazën fillestare të ndërtimit. Kjo duket qartë aq sa në 8 km jo vetëm nuk ka gjurmë asfalti por zor të gjesh gjurmë çakulli. Ndërsa, 12 ura kryesisht të vogla 4-5 m të gjata të cilat duhet të rikonstruktoheshin nuk janë i janë nënshtruar një procesi të tillë. Fundi i rrugës është në fshatin e qeverisë,- u tha Braçe.  Nuk e  kam fjalën për fshatin e vjetër dhe banorët autoktonë. E kam fjalën për fshatin e luksit ku banon e ruhet me roje vajza e kryeministrit, kunati i kryeministrit, disa ministra, disa zv.ministra si dhe dy drejtorë të agjencive më të rëndësishme publike të shtetit, midis tyre dhe drejtori aktual i Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve,- u shpreh nënkryetari Braçe.  Të gjitha, tha ai, janë të materializuara në deklarimet e tyre të pasurisë. Të gjitha dëshmojnë thelbin e sistemi ekonomiko kriminal të Sali Berishës: Paratë e bëra përmes abuzimeve në tenderë apo gjatë zbatimit të investimeve investohen në pasuri të paluajtshme në fshatin turistik të qeverisë,- vijoi Braçe. Ai theksoi se dalja jashtë afateve natyrisht që sjell dëm ekonomik, madje të madh. Por, Braçe deklaroi se dalja jashtë afateve tregon se sa i pavërtetë është spoti i Ministrisë së Transportit që këtë e shënon të mbaruar. Njëherësh gjendja e kësaj rruge, vijoi ai, tregon më së miri faktin se si monopoli klientilist në ndërtimin e rrugëve  i krijuar në Ministrinë e Transporti është i paaftë të përballojë fluksin e punëve në kohë por është thellësisht i aftë të përfitojë  shuma marramendëse nga paratë publike të shqiptarëve. Gjithashtu, sipas Braçes, kjo rrugë nuk po bëhet thjesht dhe vetëm si nevojë e banorëve të kësaj zone për të e për zhvillimin e zonës. Përkundrazi, -tha ai nevoja e banorëve të kësaj zone po shfrytëzohet kriminalist nga qeveria për të rritur vlerën e pronave të saj të përfituara në mënyrë të paligjshme ose të blera për një copë bukë nga banorët e varfër të zonës në Gjirin e Lalëzit.

Email This Klikime: 62

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›