Olldashi: Kam katër avantazhe ndaj Lulzim Bashës
Olldashi shigjeton Bashën: Unë jam në Parlament, beteja zhvillohet aty
Kandidati për postin e Kryetarit të Partisë Demokratike, Sokol Olldashi, për herë të parë dje është marrë me rivalin e tij në këtë garë, Lulzim Bashën. Në takimet që ai zhvilloi, foli edhe për avantazhet që e sjellin atë më konkurrues në këtë proces.
Avantazhet
Olldashi, edhe pse nuk e përmendi drejtpërdrejt Lulzim Bashën, tha se ai ka disa avantazhe kundrejt tij. Besoj se në këtë garë kam avantazhe: së pari e njoh këtë strukturë më mirë, sepse kam një kohë më të gjatë dhe e kam njohur në kohë dhe nivele të ndryshme. E kam njohur pra gradualisht dhe jo menjëherë në drejtim. Së dyti kam avantazh eksperience opozitare, unë e di çfarë është Partia Demokratike në opozitë sepse kam qenë pjese e saj në opozitë, sepse unë e di së çfarë është opozita, është një gjë krejt tjetër nga partia në pushtet, është një betejë krejt e ndryshme dhe që kërkon patjetër një ekspertizë dhe një eksperiencë, tha Olldashi. Olldashi më tej shigjetoi edhe më drejtpërdrejt Bashën duke vënë në dukje se ai është në Parlament dhe se nuk ka asnjë detyrë tjetër publike, duke thënë se avantazh tjetër është fakti që jam në Parlament dhe beteja mes mazhorancës dhe opozitës zhvillohet në Parlament dhe e katërta, që e kam të gjithë kohën në dispozicion për t’ia përkushtuar betejës politike që duhet të bëjë Partia Demokratike.
Rikthimi në pushtet
Në analizë të potencialeve të Partisë Demokratike dhe të historikut të saj në veprimet opozitare, Sokol Olldashi garantoi se demokratët kthehen në shumicë politike në 2015, në betejën e parë elektorale, në zgjedhjet lokale. Detyra jonë si opozitë nuk është që ne të presim qe ata të bien, detyra jonë është që t’i rrëzojmë. Ky është misioni ynë dhe këtë ne duhet të bëjmë në Parlament. Ne nuk kemi kohë të rrimë në opozitë, nuk kemi kohë të presim zullumet e këtij koalicioni që ka ardhur në pushtet. Partia Demokratike ka mision t’i rrëzojë një ditë e më parë, me të gjitha mjetet demokratike që njeh sistemi. Në vitin 1992 ne kemi fituar vetëm. Në vitin 2005 kemi fituar vetëm, në 2009 fituam vetëm dhe ne do të fitojmë në përballjen e parë elektorale me ta, që nuk është 2017-a, por zgjedhjet lokale 2015. Ne duhet të fitojmë pas dy vjetësh. Në takimet në formatin e bashkëbisedimeve me aktivistë të PD-së në Krujë, Fushë- Krujë dhe në Vorë, Olldashi zbërtheu në detaje projektin e tij për rikthimin e Partisë Demokratike në destinacionin e përhershëm të saj, në forcë të parë politike. Platforma Oldashi synon rikthimin e vëmendjes tek militanca, që siç e quan ai është palca e një force politike. Ndërsa kërkon që paralelisht të ndërtohen mekanizimi i rezultatit, mekanizmi i karrierës dhe inventari i kontributeve për të vënë në punë motorët e jetës politike brenda Partisë Demokratike.