Rama-Meta takim për programin dhe emrat e ministrave
Ilir Meta shkel në selinë rozë pas gjashtë vitesh mungesë
Pas 6 vitesh kryetari i Lëvizjes Socialiste, Ilir Meta ka vizituar selinë e Partisë Socialiste. Arsyeja e vizitës së Metës në selinë e PS ka qenë një takim mes tij dhe Edi Ramës, në zyrën e këtij të fundit.
Takimi
Ky takim mes Ramës dhe Metës ka ardhur pasi ata të dy kanë kaluar një fundjavë së bashku në fshatin Qeparo. Gjatë fundjavës ata kanë biseduar për programin e përbashkët qeverisës dhe për të shoshitur programimin e qeverisë në 300 ditët e para. Ata do të dalin së bashku në një konferencë për shtyp për ta prezantuar personalisht programin e qeverisë së re. Gjithashtu ata kanë biseduar edhe për ministritë që do të marrë Lëvizja Socialiste për Integrim, por edhe për emrat e ministrave. Megjithëse Rama dhe Meta vazhdojnë të deklarojnë në publik se ende nuk ka emra ministrash, ata në fakt kanë gati një listë emrash, të cilën e kanë diskutuar së bashku. Madje Rama ka porositur disa nga deputetët e PS që i ka piketuar si ministra që të sjellin nga program të detajuar për ministritë që ata do të drejtojnë. Ndërkohë fundjava e Ramës dhe Metës në Qeparo u shoqërua edhe nga kumbari i koalicionit PS-LSI, Kocco Kokëdhima. Ndërsa takimi i djeshëm, sipas burimeve nga PS, ka qenë për të institucionalizuar bisedat që ata kanë zhvilluar në Qeparo. Pas plot 60 minutash në zyrën e Ramës, Meta është larguar pa dhënë asnjë deklaratë për mediat.
Meta në selinë e PS
Hera e fundit që Meta ka vizituar selinë e PS ka qenë viti 2007, kur LSI ishte në koalicion me PS dhe hynë bashkë në zgjedhjet lokale. Që pas shpalljes së koalicionit të ri më 1 prill 2013, kreu i LSI dhe ai i PS kanë zhvilluar disa takime, por gjithmonë bisedimet janë zhvilluar larg selive të partive respektive.