PS, apel Prokurores së Përgjithshme Ina Rama

Selia e Partisë Socialiste
Partia Socialiste ka reaguar në mënyrë zyrtare pas kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit të tre deputetëve opozitarë. Deputeti Saimir Tahiri, i cili foli në emër të kreu të partisë Edi Rama tha se PS është e gatshme të votojë heqjen e imunitetit për të gjithë deputetët që ishin të pranishëm në protestën e 21 janarit të vitit të kaluar. Por nga ana tjetër Tahiri në emër të PS-së e cilësoi të pa drejtë kërkesën e prokurorisë në një kohë kur ndaj eprorëve të vrasësve të katër protestuesve nuk ka asnjë masë.
Nga Sajmir Tahiri
Jam i autorizuar të flas në emër të kryetarit Edi Rama për shkak të mungesës së tij sot, që lidhet me një vizitë pune njëditore në Gjermani. Vetë Kryetari i PS do të flasë nesër për publikun, menjëherë pas kthimit dhe përfundimit të takimit të parashikuar me Presidentin e Kroacisë. Dua të nënvizoj që në fillim vullnetin tonë të plotë për të mbështetur deri në fund hetimin e 21 janarit. Nëse prokurorisë i duhet kontributi në hetim i tre deputetëve të PS, jemi gati të votojmë heqjen e imunitetit të tyre dhe të të gjithë deputetëve pjesëmarrës në demostratën e 21 janarit për të ndihmuar në zbardhjen përfundimtare të së vërtetës. Vetë kryetari Edi Rama thekson se në mungesë të imunitetit të tij parlamentar është në dispozicion të prokurorisë bashkë me të gjithë deputetët. Shtoj këtu se edhe unë, deputeti Saimir Tahiri, njësoj si gjithë kolegët e mi, kam qenë aktiv në organizimin e asaj demostrate dhe nuk shoh asnjë arsye në botë që unë dhe kolegët e mi, të vecohemi nga tre kolegët e tjerë.
Zonja Prokurore e Përgjithshme!
Për 21 janarin asnjë nga ne nuk ka pasur dhe nuk ka arsye të ketë imunitet. Asnjë nga ne nuk ka bërë më pak se tre kolegët tanë që ju cituat dhe asnjë prej të tre atyre nuk ka bërë më shumë se sa të ushtrojë drejtën kushtetuese të demonstrimit paqësor. Ne jemi të gjithë gati të hetohemi deri në fund. Nuk kemi as drojën më të vogël nga e vërteta dhe duam të vërtetën, të gjithë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën në sytë e të gjithë shqiptarëve. Nuk ka të vërtetë të plotë për 21 janarin pa drejtësi të plotë, që për ne do të thotë ndëshkim për ekzekutorët dhe autorët e vrasjeve, të cilët për ne janë ata që urdhëruan hapjen e zjarrit mbi protestuesit! Për ne, për të gjithë popullin opozitar, ashtu si për cdo shqiptar të arsyeshëm, të kërkosh imunitetin e tre deputetëve opozitarë dhe jo të Sali Berishës, që ka përgjegjësinë e madhe të vrasjeve të 21 janarit, nuk është aspak normale.
Ashtu siç nuk është aspak normale që ndërkohë kur kërkohet procedimi për tre deputetë opozitarë, nuk kërkohet për eprorin e drejtëpërdrejtë të vrasësve të identifikuar nga ekspertiza, i cili është ish-ministri i brendshëm Lulëzim Basha.Opozita shqiptare akuzon Sali Berishën dhe Lulëzim Bashën si përgjegjës të drejtëpërdrejtë për përdorimin e pushkëve ndaj popullit, me pasojë vrasjen e katër njerëzve të pafajshëm dhe plagosjen e dhjetra të tjerëve.Ata duhet të hetohen deri në fund, ata duhet të merren në procedim menjëherë, edhe Sali Berisha edhe Lulëzim Basha, përndryshe kërkesa për imunitetin e tre deputetëve opozitarë nuk mund të mos na duket si manovër për të krijuar një ekuilibër të papranueshëm në hetime.
Nëse ky do të jetë rasti dhe Sali Berisha do lihet jashtë hetimeve, Lulëzim Basha do lihet jashtë hetimeve, madje edhe Gjergj Lezhja përgjegjësi direkt për mirëmbajtjen e serverit dhe shërbëtori i parë i Sali Berishës në atë godinë, do lihet jashtë hetimeve, opozita do ta konsiderojë përfshirjen e tre deputetëve të saj në hetime si një kalkulim ekstraligjor të prokurorisë për të dalë mbi palët, por në fakt duke u bërë palë në pengimin e drejtësisë së plote për 21 janarin.
Prokuroria ka të gjithë mbështetjen e opozitës dhe Prokurorja e Përgjithshme nuk duhet të tërhiqet përpara shantazheve mafioze që bën publikisht Sali Berisha. Akuzat e tij për bashkëpunim të fshehtë mes prokurores Ina Rama dhe kryetarit të opozitës janë si akuzat e shpifjet bajate që bënte dikur Enver Hoxha kur zbulonte komplote të paqena kundër partisë. Prokuroria e Përgjithshme ka detyrimin kushtetues të cojë vrasësit dhe urdhëruesit e tyre para gjyqit dhe nëse Sali Berisha ka dhënë urdhër për të hapur zjarr, vendi i tij është në bankën e të akuzuarve, jo në krye të qeverisë shqiptare.
Nga ana tjetër, gjykata tregoi edhe njëherë që është kthyer në vegël të pushtetit. Masa arrest shtëpie për vrasës e për bashkëpunëtorë të përfshirë në fshehjen e gjurmëve të krimit, është jo vetëm e turpshme por edhe kërcënim i hapur për procesin gjyqësor. Arrest shtëpie me Saliun në krye të qeverisë e të policisë do të thotë liridalje e plotë dhe mundësi 24 orë për të komunikuar për ndotjen e mëtejshme të hetimeve e të procesit penal të 21 janarit.
Ne mbështesim hetimet të plota e të pavarura për 21 janarin, duke pritur bashkë me gjithë popullin, zbardhjen e plotë të vrasjeve të 4 qytetarëve të pafajshëm, pa kursyer këtu, përvec ekzekutorëve, edhe eprorët dhe urdhëruesit e tyre, të cilët sot janë ende në karriget e pushtetit.
E vërteta e 21 Janarit, nuk do jetë kurrë e plotë pa dënuar të gjitha ata që kanë përgjegjësi për vrasjet Ziver Veizit, Faik Myrtaj, Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës.