E Diel, 1 Nëntor 2026

Roli i policise ne zgjedhje, nje tradite e konsoliduar qe shkon drejt permiresimit

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit flet për rolin e uniformave blu Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, thotë për Deutsche Welle se me mbështetjen dhe të organizmave të huaja përfundoi në mes të javës procesi i trajnimit të policisë për respektimin e kodit elektoral.   TIRANE - Në qendrën e formimit policor në Ministrinë e Brendshme ka përfunduar të enjten (28 maj 2009) procesi i trajnimit të rreth 5 mijë policëve të gradave dhe niveleve të ndryshme, që priten të angazhohen për votimet parlamentare. Ende nuk ka një vendim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, se sa qendra votimi do të jenë funksionale në 28 qershor. Gjithsesi drejtuesit e policisë së shtetit kanë përzgjedhur një trupë të posaçme, që do të jetë në gatishmëri për të ruajtur rendin dhe qetësinë pranë zonave zgjedhore në ndihmë të qytetarëve dhe komisioneve të votimit për çdo rast, që do të paraqitet. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, thotë për DË se për secilin punonjës policie është shpërndarë edhe një manual i përgatitur në përputhje me kërkesat, që ka kodi i ri elektoral i miratuar në parlament. "Trajnimi është realizuar nën asistencën e OSBE-së, misionit policor evropian PAMECA, dhe të projektit amerikan ICITAP. Mund të them se kemi pasur një vlerësim maksimal, një pjesëmarrje 100 për 100 të efektivave gjatë gjithë procesit. Është shoqëruar me një debat për çdo detaj, që mund të lindi nga aktiviteti në ditën e zgjedhjeve, apo më gjerë. Nga misionet e huaja dhe nga drejtues të policisë së shtetit janë vëzhguar ecuritë e trajnimit në çdo qark të vendit, cilësia, niveli i njohurive të marra etj". Sipas Prençit nga rezultatet konkrete të disa proceseve zgjedhore të fundit policia është certifikuar nga organizmat ndërkombëtare me një rol pozitiv në to. Kjo sipas tij është një traditë, që duhet konsoliduar e përmirësuar në të ardhmen.


DW

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›