Fini: Zgjedhjet, me legjitimitet maksimal
BLEDAR HOTI
Zgjedhjet e 28 qershorit në Shqipëri janë zhvilluar në legjitimitet maksimal dhe se rezultati i tyre nuk mund të kontestohet. Kështu ka deklaruar kryetari i Parlamentit italian Xhianfranko Fini në takimin e zhvilluar dje në Romë, me kryeparlamentaren Jozefina Topalli. “Ritheksoj se nuk është vetëm opinioni i Italisë, por i të gjithë komunitetit ndërkombëtar se zgjedhjet në Shqipëri u zhvilluan në legjitimitet maksimal dhe rezultati i zgjedhjeve nuk mund dhe nuk duhet të kontestohet dhe për këtë arsye urojmë që sa më shpejt jeta demokratike shqiptare të hyjë në normalitet të plotë sigurisht brenda parlamentit”, tha Fini pas takimit me Topallin. Duke falënderuar homologun Fini për gjithë mbështetjen që Italia ka dhënë në sfidat integruese të Shqipërisë, Kryetarja e Kuvendit vlerësoi faktin që Italia ka qenë gjithmonë një avokate e Shqipërisë, dëshmi e së cilës është edhe vota pro më 16 nëntor, si dhe mbështetja e rezolutës së Parlamentit Evropian që vlerëson zgjedhjet e 28 qershorit dhe progresin e Shqipërisë. Presidenti Fini, duke vlerësuar jo vetëm zgjedhjet e fundit, por edhe dinamikën demokratike dhe hapat e mëdha që Shqipëria po hedh drejt Evropës, ritheksoi se Shqipëria evropiane është mbi të gjitha një interes i vetë Bashkimit Evropian. Në takim u bisedua gjerësisht për komunitetin shqiptar në Itali, një aset i jashtëzakonshëm në marrëdhëniet mes dy vendeve, komunitet i cili, siç tha edhe Presidenti Fini përbëjnë një shembull të integrimit të shqiptarëve në vendet e BE-së. Kryeparlamentarja Topalli në vizitën zyrtare të saj u taku dhe me presidentin e Italisë, Xhiorxhio Napolitano. “Italia ka qenë dhe do të jetë gjithnjë një përkrahëse e fortë e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, ndërsa vlerësoi gjithë arritjet e Shqipërisë në rrugën e integrimit”. Kryetarja e Kuvendit shprehu angazhimin dhe vullnetin maksimal të Parlamentit dhe autoriteteve shqiptare në vijimin dhe përshpejtimin e reformave në katër vitet e ardhshme, për të vijuar kështu edhe më shpejt në proceset integruese”, tha Napolitano. Topalli e ftoi Napolitanon që gjatë vizitës së tij në Shqipëri t’i adresohet deputetëve dhe të gjithë shqiptarëve me një fjalim në parlament, ftesë që u mirëprit nga Presidenti italian. Gjithashtu në këtë vizitë, kryeparlamentarja ka takuar dhe kreun e CDI-së, Pier Ferdinando Kazini. “Shqipëria është në rrugë të mbarë dhe ne ju mbështesim plotësisht në realizimin e të gjitha ambicieve tuaja integruese. Italia do të jetë gjithmonë një ndër përkrahëset më të fuqishme të procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë në hapësirat evropiane, deri në anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian”, tha Kazini.
Berisha: E pakonceptueshme kërkesa e opozitës për kutitë
Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje takime në Bon të Gjermanisë me krerët e partive të djathta evropiane. Në një prononcim për mediat, ai tha se gjatë këtyre takimeve njohu homologët e tij me kërkesën e pakonceptueshme të opozitës për hapjen e kutive dhe refuzimin e ftesës, për festimin e 8 dhjetorit. “U thashë miqve të mi se populli që ka vuajtur më shumë nga diktatura e egër komuniste, e festoi dhe i takonte ta festonte me madhështinë më të madhe; sikundër i njoha me qëndrimin e pakonceptueshëm të opozitës, e cila jo vetëm që nuk iu përgjigj ftesës time për të qenë e pranishme në këtë ngjarje të madhe për kombin, por bëri të kundërtën e denoncoi, duke e shpallur si antimiting apo e provokoi në mënyrat më të ulëta, duke shpërndarë kryetari i bashkisë, plehrat nëpër rrugët e Tiranës, në prag të kësaj ngjarje”, tha Berisha.