E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS bën gati valën e protestave masive

Rama mbledh krerët lokalë

Teksa deputetët socialistë dhe demokratë po përballeshin në sallën e Kuvendit për të dytën ditë me radhë, paralelisht gjatë drekës, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, është takuar me të gjithë krerët e Partisë Socialiste nëpër rrethe. Ky takim i paraprin qëndrimit që do të mbajë shumica në Parlament. Edhe drejtuesit në bazë shprehën gatishmërinë të mbështesin vendimin e lidershipit për të rinisur protestat nëse mazhoraca nuk do të pranojë hapjen e kutive të votimit. “Jemi të vendosur t’i shkojmë deri në fund këtij procesi dhe nëse Berisha nuk tërhiqet, ne jemi të vendosur të kërkojmë largimin e tij”, u shpreh kreu i socialistëve të Beratit, Selman Hodaj. Burime nga selia rozë konfirmuan se momenti kur Kuvendi do të hedhë poshtë propozimet e socialistëve do të jetë pikënisja e radikalizimit të qëndrimit, që do të ketë në qendër të tij protestat masive në të gjithë vendin, deri në largimin e qeverisë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›