Rigoletto, rikthim ndryshe nga tradicionalja
Drama e pasionit, tradhtisë, dashurisë dhe hakmarrjes, “Rigoletto” rikthehet sot në mbrëmje në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës e Baletit në Tiranë. Melodrama në tri akte me muzikë të mjeshtrit italian Giuseppe Verdi, me libret të Francesco Maria Piave, ndërtuar mbi romanin “Mbreti argëtohet” të shkrimtarit francez Viktor Hygo, sjell edhe një herë në skenën shqiptare një nga veprat më të bukura dhe më popullore të italianit Verdi. "Rigoletto" rikthehet kështu në Teatrin e Operës dhe Baletit pas 5 vjetësh, por këtë herë mjaft ndryshe. Regjisori italian Nicola Zorzi ka menduar ta sjellë larg tradicionales, si Verdi e krijoi në vitin 1851. Zorzi ka menduar ta përshtatë me ndodhitë njerëzore të ditëve të sotme. “Rigoletto” vjen në skenën shqiptare në kuadër të aktiviteteve “Italia dhe Shqipëria 2010- dy popuj, një miqësi, një det”. Për këtë arsye edhe një herë bashkëpunimi është italo-shqiptar. Veç regjisorit Nicola Zorzi, edhe skenografia e kostumet i përkasin italianes Manuela Gasperoni, mjeshtër koncertues dhe dirigjent orkestre është Vittorio Parisi dhe asistent Davide Pandini. Të ftuar janë këngëtarët Paolo Drigo dhe Nikolay Bykov. Nga pala shqiptare, dirigjent kori është Dritan Lumshi. Interpretojnë Kori dhe Orkestra Simfonike e TKOB-it dhe solistët Armaldo Kllogjeri, Ylber Gjini, Eva Golemi, Ramona Tullumani, Vikena Kamenica, Manjola Konjari, Lindita Kola etj. Opera ngjitet në skenë duke filluar nga mbrëmja e sotme deri më 24 mars.
#