E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS bllokon zhvillimin e zgjedhjeve në tri komuna

13/07/2011  Komunat do t’i drejtohen Kolegjit, pasi KQZ nuk vendosi dot për pavlefshmëri

LSI i kërkon Ristanit shkarkimin e anëtarëve të opozitës në KQZ

Partia Socialiste ka bllokuar dje rivotimin në tri komuna të vendit, përkatësisht në komunën Mollas, Shllak dhe Pishaj. Votat kundër të dy anëtarëve të opozitës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve bënë që të dështojë vendimi për të shpallur të pavlefshme zgjedhjet në këto njësi vendore, dhe më pas të shpallej rivotim në këto komuna. Duke qenë se Kodi Zgjedhor përcakton se vendimet për pavlefshmëri merren me shumicë të cilësuar, pra me pesë vota, vota kundër e PS-së bën që akti të miratohet me shumicë të thjeshtë nga anëtarët e mazhorancës në këtë komision. Përfaqësuesit e Partisë Socialiste e argumentuan votën “kundër” me faktin që komisioni ishte jashtë afateve në marrjen e këtij vendimi. Por pretendimi i tyre është kundërshtuar nga vetë kryetari i KQZ-së, Arben Ristani. “Qëndrimi juaj është në vijim të përpjekjeve për të prishur zgjedhjet dhe për të vonuar funksionimin e njësive vendore në vend. Por, për fat të mirë, në këtë vend funksionojnë institucionet, dhe për fat të mirë nuk ngelet në dorën tuaj ky problem”, tha Ristani. Për kreun e institucionit më të lartë zgjedhor në vend, qëndrimi i anëtarëve të opozitës në KQZ është antiligjor dhe antishqiptar. “Të kërkosh prishjen e zgjedhjeve jashtë çdo kuadri ligjor është anormale. Kjo është absolutisht e papranueshme. Duhet t’ju vijë turp për mënyrën se si e shpërdoroni detyrën publikisht. T’ju vijë turp që doni të pengoni zhvillimin e zgjedhjeve. T’ju vijë turp për këtë punë”, u shpreh Ristani. Ndërsa përfaqësuesi i LSI-së, Ylli Manjani, shkoi më tej në deklaratën e tij, duke i kërkuar kreut të KQZ-së, Arben Ristani, shkarkimin e tyre nga ky komision. “U bë disa ditë që veprimtaria e KQZ-së është marrë peng politikisht. Dhe për këtë ju duhet të kërkoni propozimet për shkarkimet e anëtarëve të KQZ-së që kryejnë veprimtari politike në komision. Ju mund ta bëni këtë brenda 5 ditëve, sipas nenit 18”, tha Manjani. Tashmë për pavlefshmërinë e zgjedhjeve në këto njësi do të vendosë Kolegji Zgjedhor, pasi çështja të ankimohet. Ndërkohë është shpallur pavlefshmëria në gjashtë njësi të qeverisjes vendore. Pasi ta zgjidhë Kolegji Zgjedhor çështjen për tri njësitë e sotshme, KQZ do të vendosë për përsëritje të zgjedhjeve në këto njësi.

Vera Shtjefni

“Jemi në kushtet kur KQZ-ja kryesisht pasi ka konstatuar faktin që më 8 maj nuk janë zhvilluar zgjedhjet në këto njësi zgjedhore, në të gjitha qendrat e tyre të votimit, shpall pavlefshmërinë e zgjedhjeve. Problemi më pas është se ligji thotë që së bashku me pavlefshmërinë, KQZ-ja duhet të vendosë edhe për përsëritjen e zgjedhjeve. Nuk e kuptoj se çfarë zgjidhjeje tjetër mund të gjejmë përveç kësaj zgjidhjeje”, tha anëtarja e KQZ-së.

Mosvotimi

Në komunën Shllak nuk është zhvilluar votimi, për shkak se nuk janë paraqitur komisionerët e majtë për të hapur qendrat e votimit. Gjithashtu, në komunën Mollas nuk janë zhvilluar zgjedhjet për këshillin e komunës, për shkak se fletët e votimit të dërguara pranë kësaj KZAZ-je për këtë zonë zgjedhore kanë qenë fletë votimi për një komunë tjetër. Në komunën Pishaj nuk janë zhvilluar zgjedhjet për kryetar të komunës, pasi fleta për kryetar është shtypur gabim.

PD ankimon në Kolegj konstituimin e këshillit bashkiak

Partia Demokratike ka dorëzuar paraditen e djeshme në Kolegjin Zgjedhor një ankimim për konstituimin e këshillit bashkiak të Tiranës. Në ankimimin e saj PD-ja, si subjekt i interesuar, kërkon shpërndarjen e mandateve të Këshillit Bashkiak për Tiranën, në bazë të tabelave përmbledhëse të nxjerra nga KQZ-ja. Komisioni Qendror i zgjedhjeve nuk arriti të miratojë dot ndarjen e mandateve për këshillin bashkiak të Tiranës, pasi nuk u arrit kuorumi me 5 vota, për shkak se socialistët në KQZ-së nuk votuan. Këshilli bashkiak i Tiranës përbëhet nga 55 këshilltarë, ku zgjedhjet e 8 majit nxorën fitues 28 këshilltarë nga koalicioni i djathtë “Aleanca për qytetarin", dhe 27 këshilltarë nga koalicioni i majtë “Aleanca për të ardhmen”. Pas një mbledhjeje të tensionuar nga akuza dhe kundërakuza të anëtarëve ë tij, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi me shumicë të thjeshtë tabelën përmbledhëse të rezultatit për shpërndarjen e mandateve për këshillin bashkiak të Tiranës, të nxjerrë nga KQZ më 25 qershor, pas mbylljes së numërimit nga ky komision të fletëve të kontestuara në 368 qendra votimi në Tiranë. Votimi i së hënës do të thotë se tabela e këshillit duhet të presë deri në një vendim të Kolegjit, që të miratohet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›