E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nesër Kuvendi voton për Parlamentin e ri në vend të Piramidës

13/07/2011  “Ligjet” miratuan dje projektligjin për ndërtimin e kompleksit parlamentar

Projektligji për ndërtimin e kompleksit të ri të Parlamentit ka marrë miratimin dje në Komisionin Parlamentar të Ligjeve. Pasi u shqyrtua në parim, ai u miratua nen për nen në këtë komision me votat nga ana e mazhorancës, pasi opozita vazhdon bojkotin e saj në punimet e Kuvendit. Projektligji parashikon shembjen e godinës së Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës “Pjetër Arbnori”, të njohur ndryshe si Piramida, dhe ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar, dhe pritet të votohet nesër nga deputetët në seancën plenare të Kuvendit.

Projektligji

Relatori i çështjes, Enkelejd Alibeaj, në prezantimin e këtij projektligji u shpreh para kolegëve të tij se për ndërtimin e kompleksit të ri do të zbatohet ndarja e kompetencave, por siç theksoi ai, organi kompetent nuk do të jetë KKRT, por KRRTRSH-ja. “Neni 3 është ai që përcakton procedurat fillestare mbi ngritjen e kompleksit. Sipas ligjit të urbanistikës, proceduat fillojnë me lejen e sheshit të ndërtimit dhe më pas me lejen e ndërtimit. Në bazë të këtij ligji është përcaktuar se këto leje do të bëhen në një akt të vetëm administrativ. Organi që do të miratojë këto leje do të jetë organi që ka miratuar dhe do të miratojë ato që quhen institucione në ndërtime me interes të rëndësishëm publik, që është KRRTRSH. Përzgjedhja e këtij organi është bërë në respekt të plotë jo vetëm të ligjit për urbanistikën, ligjit në fuqi, jo vetëm të ligjit që hyn në fuqi në shtator, ligji për planifikimin e territorit, por dhe në respektim të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese nr. 29 të vitit 2006, i cili përcaktonte tagrat e sakta që duhet të kishte KRRTRSH në lidhje me miratimin e lejeve të sheshit të ndërtimit për institucione të posaçme me interes publik”, u shpreh Alibeaj.

Prokurimi

Projektligji për ndërtimin e parlamentit të ri rregullon procedurat e tenderimit, lejeve dhe përcakton organet kompetente që do të mundësojnë ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar. Në lidhje me procedurën e prokurimit, Alibeaj theksoi se ajo përcaktohet qartë në nenin 4 të tij. “Autoriteti i cili jo vetëm ka shprehur vullnetit për të ndërtuar kompleksin e ri është Kuvendi, por do të jetë dhe ai që pozicionohet si investitori përkatës. Në procedurën e investimit do ndiqet ligji i prokurimit publik”, tha Alibeaj, ndërsa shtoi: “Neni 5 përcakton se trualli, hapësira gjeografike se ku do të vendoset kompleksi i ri në bazë të procedurave përkatëse për pasuritë e paluajtshme të shtetit, autoriteti kompetent i ngarkuar, që është Këshilli i Ministrave, do ta vendosë në dispozicion të investitorit për të proceduar për lejen e sheshit të ndërtimit, lejen e ndërtimit dhe kushtet për kantier ndërtimi”, theksoi Alibeaj.

Afatet e ndërtimit

Parlamenti i ri parashikohet të ndërtohet me rastin e 100-vjetorit të shpalljes Pavarësisë së Shqipërisë, ndaj Alibeaj theksoi se dhe afatet kohore deri në ndërtimin e tij janë optimale.

Pyetjes së deputetit Fatos Hoxha nëse janë optimale afatet kohore për ndërtimin e këtij kompleksi, relatori Alibeaj iu përgjigj duke thënë se “po të shihet rendi i miratimit të akteve që nga momenti kur Kuvendi me një vendim të vetëm miratoi vendimin 66, duke parë dhe trempizmin me të cilin u respektuan afatet për konkursin, mendoj se jemi në afatet më të mira për kompleksin e ri. Ajo çka është e rëndësishme, jo vetëm kristalizimi i vullnetit, por dhe krijimi i bazës ligjore për të përshpejtuar procedurat. Ajo çka kemi bërë ka qenë një orkestrim i të gjithë aktorëve në realizimin së pari në letër, më pas fizikisht të një ndërtimi. Shpejtësia nuk përcaktohet nga diskutimet, por vullneti. Ju garantoj se vullneti për të ndërtuar kompleksin brenda afatit është i plotë”, u përgjigj Enkelejd Alibeaj. Ndërsa kureshtjes së Dashamir Sulës për koston e këtij projekti, Alibeaj iu përgjigj se “ajo çka unë mund t’ju them në emër personal për vlerën apo çmimin që do duhet të paguhet nisur nga nevoja ekonomike në këtë rast, nevoja për të strehuar Kuvendin, për t’i dhënë një peshë jo vetëm për produktin, por dhe simbolikës, nisur dhe nga nevoja që do duhet së bashku me ndërtimin e kompleksit të ri të eliminojmë një lloj legjende urbane dhe psikoze që pozita gjeografike ku do ndërtohet kompleksi mban me vete, besoj se nuk ka çmim”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›