E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, deputetët shmangin grevistët

 

ADI SHKEMBI

Me gjithë kërkesën e Konferencës së Kryetarëve që dhjetë deputetët grevistë të linin sallën e seancave parlamentare, një gjë e tillë nuk ndodhi dhe në këto kushte seanca do të zhvillohej si herët e tjera. Por me ndryshimin se të paktën dhjetë deputetë nuk do të ishin ulur në vendet e tyre, por para vendeve ku ulen ministrat e kabinetit qeveritar. Në seancën e parë që pas nisjes së grevës, ajo që ra në sy ishte fakti se deputetët e PS-së nuk janë takuar me deputetët e ngujuar, me përjashtim të Luan Memushit. Ndërkohë ligjvënësit republikanë, në përfundim të seancës kanë takuar me radhë të dhjetë deputetët grevistë.
Rreth orës 09:00 të paradites së djeshme nisën të mblidheshin qytetarët e parë para Kuvendit, të cilët do të protestonin për të katërtën ditë radhazi. Ndërkohë, paralelisht me shtimin e numrit të qytetarëve rritej edhe numri i forcave të rendit. Nga të dyja drejtimet që të çojnë në Kuvend (nga Ministria e Brendshme dhe rruga e Elbasanit) dalloheshin qartë forcat e shumta të policisë dhe furgonat blu. Në orën 09:40 u panë punonjësit e parë të administratës së Kuvendit, të cilët po i drejtoheshin sallës ku do të zhvillohej seanca. Pesë minuta më vonë, dy deputetët e pavarur, Spartak Ngjela dhe Gilman Bakalli, ishin të parët ligjvënës që hynë në Kuvend. Pas pak çastesh ata dolën, duke qëndruar para derës së Kuvendit, ndërkohë që kishin nisur të vinin edhe deputetët e tjerë nga të gjitha partitë. Duke rrëfyer për gazetën "Panorama" takimin me deputetët grevistë, Bakalli tha se "deputetët vazhdojnë të kenë një moral të fortë dhe do t'i shkojnë deri në fund kësaj greve. Kishte deputetë që shfaqnin probleme me shëndetin, si zoti Braho e zoti Tola. Ishin bërë gati për seancën, kishin ndryshuar veshjen dhe janë ulur të gjithë para vendeve të ministrave". Ndërkohë në Kuvend rreth orës 10:00 po afroheshin demokratët Pal Dajçi e Safet Sula, nga PS-ja Valentina Leskaj e Pirro Lutaj etj. Në oborrin e Kuvendit qëndronte që nga një natë më parë një ambulancë me dy mjekë, për t'iu ardhur në ndihmë deputetëve grevistë. Në orën 10:30 të paradites së djeshme u bë edhe ndërrimi i bluzave të bardha, dhe të sapoardhurit në orën 10:45 iu drejtuan menjëherë sallës së Kuvendit, ku nisën të vizitonin deputetët grevistë. Ashtu si edhe një ditë më parë, dy deputetët që vazhdonin të shfaqnin probleme ishin Spartak Braho i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Ymer Tola i Partisë Demokristiane. Ndërkohë që deputeti Frrok Gjini kishte nevojë për serum. Megjithëse pjesa më e madhe e deputetëve ishte të pranishëm në orarin e duhur, një mbledhje e papritur e deputetëve të PS-së bëri që seanca të shtyhet për rreth 60 minuta. Ndërkohë edhe në ambientet e brendshme të Kuvendit dukej se kishte një gjendje gatishmërie të lartë, teksa vihej re shtimi i numrit të punonjësve të Gardës. Për të ndjekur seancën nga afër ishin të pranishëm edhe përfaqësuesja e misionit të OSBE-së në Shqipëri dhe një përfaqësues i ambasadës së Britanisë së Madhe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›