E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rëndohet gjendja e deputetëve, Gjini, Tola e Braho marrin serum

 

Gjendja e deputetëve grevistë të urisë ka ardhur duke u rënduar. Mësohet se deputetët kanë qenë më të turbulluar se një ditë më parë, pasi greva e tyre ishte në ditën e saj të tretë. Ata ndjejnë dhimbje koke, këputje dhe shumë herë marrje mendsh. Të ulur gjatë gjithë kohës në karrige, deputetët nuk kanë mundësi të shtrihen, siç ndodh shpesh në grevat e urisë. Dje madje u thirrën mjekët e urgjencës. Para nisjes së seancës, kur deputetët e Kuvendit qëndronin korridoreve të Kuvendit, një punonjës i Gardës ka dalë jashtë dhe ka kërkuar ndihmën e mjekëve, të cilët qëndronin në autoambulancën e urgjencës. Mjekët kanë mbërritur menjëherë dhe kanë vizituar deputetin e PDK-së, Frrok Gjini, i cili ndjeu këputje nga lëvizjet e tensionit. Duket se dje greva ka dhënë efektet e para të saj. Pas ndërhyrjes së mjekëve, të cilët i kanë vënë një shishe serumi deputetit Gjini, gjendja e tij është stabilizuar, duke bërë të mundur dhe aktivizimin e tij gjatë seancës së Kuvendit, duke folur para deputetëve. Gjithashtu edhe deputeti Spartak Braho ka ndjerë luhatje tensioni gjatë ditës së djeshme. Deputetët dje në ditën e tretë të tyre kanë pasur edhe ujë të pijshëm me shishe pas kërkesave të herëpashershme të zëdhënësit të grevës, Dritan Prifti. Edhe dje ka vazhduar trajtimi edhe me tretësira nga mjekët që qëndrojnë gjithnjë pranë tyre. Ndryshe nga dita e parë e grevës, kushtet e saj brenda sallës së Kuvendit janë përmirësuar. Tani nuk mungon uji i pijshëm, por dhe ngrohja në sallë, ndërsa deputetët mund të kryejnë të gjitha nevojat e tyre brenda këtyre ambienteve. Ndërkaq një ekip mjekësor me mjekë të njohur specialistë qëndron pranë deputetëve grevistë. Ndërkohë forca të shumta të Gardës ka pasur si në ambientet e brendshme të Kuvendit, ashtu dhe jashtë tij. Por situata ka qenë mjaft e qetë dhe nuk ka qenë fare e nevojshme ndërhyrja e tyre.    

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›