“Shqipëria po ndryshon” – një projekt që s’do ndalet edhe në 4 vitet e ardhshme
Kryeministri Berisha inauguron fillimin e punimeve për dublimin e superstradës Milot-Fushë Krujë, si pjesë të Rrugës Kombëtare Durrës-Prishtinë. Mandati i dytë qeverisës do t’i kushtohet krejtësisht pajisjes së vendit me infrastrukturën më moderne në rajon
TIRANE - Në kuadër të turit “Shqipëria po Ndryshon”, kryeministri Sali Berisha inauguroi dje punimet për shndërrimin e segmentit rrugor Milot-Fushë Krujë, në autostradë me katër korsi. Ky investim me vlerë 50 milionë euro, parashikon dublimin e superstradës Milot-Fushë Krujë në 9 lote , me një gjatësi të rrugës ekzistuese 13 km, duke e kthyer nga një rrugë me dy korsi në një autostradë me katër korsi dhe një korsi emergjence me gjerësi 26 m. Gjithashtu në këtë investim parashikohet dublimi i të gjitha urave ekzistuese, mbikalimeve, nënkalimeve duke e bërë këtë një rrugë të standardeve më të larta. Ky aks është një pjesë e rëndësishme e aksit Durrës-Kukës-Morinë dhe vitin që vjen është parashikuar investimi për dublimin e pjesës që vazhdon drejt Lezhës, Thumanës, Durrësit dhe Tiranës.
Kreu i qeverisë Berisha u shpreh gjatë inaugurimit se, “ky segment rrugor, pjesë e autostradës që do të lidhë Shkodrën me Vlorën dhe Kurbinin me Tiranën do të shndërrohet në një autostradë të parametrave moderne dhe do të krijojë sigurinë e shkallës më të lartë, në një rrugë që për numrin e aksidenteve ishte bërë lënduese për banorët e Kurbinit dhe të gjithë shqiptarët”.
Kryeministri Berisha nënvizoi më tej se kjo është një dëshmi e transformimit të Shqipërisë nga kjo qeveri dhe se Shqipëria si anëtare e NATO-s do të jetë një nga vendet me infrastrukturën më të re dhe më moderne. “Për të gjithë ata, të cilët ndryshimin e kuptojnë me vepra, vijoi kryeministri, me ndryshim kuptojnë rrugë të reja, shkolla të reja , rritjen e rrogave dhe të pensioneve, internetin në shkolla, zhvillimin e zonave rurale, për të gjithë ata që me ndryshim kuptojnë anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, kuptojnë kandidimin e Shqipërisë për në Bashkimin Evropian, janë të sigurt se këto po ndodhin dhe ky ndryshim dallon si nata me ditën nga ndryshkimi me fjalë boshe, me retorikë boshe, me sharje dhe mashtrime”.
Kryeministri Sali Berisha garantoi dje nga Laçi, ku mori pjesë në inaugurimin e disa veprave publike, se katër vitet që vijnë Shqipëria do të jetë vendi i rrugëve më të shkurtra.
Sipas kryeministrit projekte të mëdha nisin dhe janë në vazhdim. “Rruga e Arbrit që shkurton distancën midis Peshkopisë dhe Tiranës, midis Shkupit dhe Tiranës pothuajse 100 km, boshti qendror i jugut, që afron Sarandën me Tiranën me mbi 120 km, rruga Qafë-Plloçë-Qukës dhe më pas, rruga e re Tiranë-Elbasan që afron Korçën me të gjithë Shqipërinë Juglindore mbi 70 km me Tiranën”, u shpreh kreu i qeverisë.
Kartat e identitetit, bazë për integrimin në BE
Kreu i qeverisë Berisha, është ndalur në procesin e pajisjes së qytetarëve me letërnjoftimet elektronike. Berisha vlerësoi ky dokument, do të jetë një bazë e fuqishme për lëvizjen e lirë gjatë procesit të integrimit tonë në Bashkimin Evropian.
“Është një dokument jashtëzakonisht i vlefshëm, sepse sot e tutje shqiptarët ngado që lëvizin identifikohen me një dokument ndër më modernit në Evropë dhe barazojnë identifikimin e tyre me qytetarët e vendeve më të zhvilluara. Por ky dokument do të jetë dokumenti më kryesor për shumë shërbime të cilat do t’u afrohen qytetarëve në mënyrë më moderne. Ka sot nga ata, të cilët përpiqen t’ju dekurajojnë ju për blerjen e tij, ka sot nga ata të cilët përpiqen ta paraqesin të pavlerë dokumentin më të vlefshëm që ju keni marrë gjatë jetës suaj. Ka sot nga ata, të cilët për 8 vite ju mashtruan se do t’u bëjnë me dokumente të reja identiteti dhe nuk ju bënë dot kurrë, të cilët me populizmin e tyre shpërndajnë mashtrime”, tha kryeministri.
Duke ju bërë thirrje qytetarëve të pajisen me dokumentin e ri të identitetit, kryeministri Berisha tha se ata që përpiqen t’i shkurajojnë shqiptarët për këtë dokument kanë frikë nga votat e qytetarëve.