Meta e Koçi bëjnë pazar tek PS-ja e Tepelenës, Edvini blen lirë tek LSI-ja e Tiranës
Pamundësia e një bashkëpunimi, anëtarësia e PS dhe LSI-së bëjnë rrokadë
PSV’91 e Koçit dhe LSI-ja e Ilir Metës kanë shpallur fushatën e rekrutimeve në degët socialiste të Durrësit e Fierit, ndërkohë që Edvini përsërit vendosmërinë për të mos iu nënshtruar nevojës për koalicion, pa rritur pazarin e listave të votimit
TIRANE - “Politika e re përtej së majtës dhe të djathtës” e predikuar përherë e më tepër nga kryesocialisti Edi Rama ngjan përherë e më pak e kuptueshme nga ana e socialistëve tradicionale që rëndom në korridoret e selisë rozë konsiderohen me shpoti si “xhaketat e vjetra”. Duke marrë hov nga deklaratat e fundit e ish-kreut socialist Fatos Nano kundër pasardhësit të tij Edi Rama dhe pas divorcit që kanë bërë disa anëtarë dhe pjesëtarë forumesh si dhe këshilltarë të Partisë Socialiste me lidershpin e tyre në Shkodër, një pjesë e të cilëve janë figura të njohura të këtij subjekti në këtë rreth, edhe në Tepelenë është përsëritur ky fenomen, 64 anëtarë dhe drejtues të organizatave në disa komuna të këtij rrethi u mblodhën dhe u deklaruan kundër qëndrimit politik të lidershipit aktual socialist, kundër prononcimeve të tij mediatike dhe mënyrës se si ai po drejton Partinë Socialiste. Ata kanë dorëzuar dje teserat duke iu bashkua Partisë Socialiste të Vërtetë 91 të drejtuar nga Petro Koçi.
Në deklaratën e tyre të përbashkët, atadeklaruan se vendimtare në këtë akt ekstrem ishte mohimi nga ana e kreut aktual të Partisë Socialiste të kontributeve dhe vlerave të së majtës në këto 18 vite demokraci. “Mohimi që Rama po i bën kontributit të socialistëve në vite, komprometimi i rëndë politik që i bën investimit të së majtës jo vetëm gjatë periudhës së suksesshme të qeverisjes së saj, por edhe qëndrimit në opozitë duke e bashkuar me mëkatet jo vetëm politike , por shumë më gjërë së kaq të Berishës, tregon se ai dhe disa figura të ardhura kontrabandë në PS kanë shkelmuar rëndë parimin e mirënjohjes dhe të vlerave të identifikuara të së majtës. Po kështu investimi shumë i sforcuar mediatik që po bën ai për të krijuar kultin e individit, përmes akuzave të paprincipta që shkojnë deri tek figurat emblematike të së majtës, janë të papranueshme si për moralin tonë politik, ashtu edhe për ndjenjën e madhe të solidaritetit që ka përshkuar në vite socialistët e vërtetë”, thuhet në deklaratën e socialistëve të Tepelenës të larguar nga selia rozë dhe duke i bashkëngjitur subjektit që drejton deputeti Petro Koçi.
Në lidhje me këto lëvizje të shumta, të cilat po ndikojnë në krijimin e një profili të besueshëm e që po gjen shtrirje në të gjithë vendin, sekretari për marrëdhënie me publikun, Gjergj Koja tha dje se “këto janë ditët e para të një braktisjeje e cila gjithnjë e më shumë do të rritet”. Gjergji Koja më tej theksoi se vetëm në Durrës e Fier janë bërë mbi 300 pranime të reja në radhët e Partisë Socialiste të Vërtetë 91, më shumë se gjysma e të cilëve janë ish anëtarë të partisë socialiste të cilët ndjehen të tradhtuar në idealet e tyre nga politika aktuale e lidershipit të sotëm socialist. “Xhufkat nuk mund të zëvendësojnë vlerat dhe kontributin tonë janë shprehur ata dhe me shumë dhimbje jemi të detyruar të largohemi nga një ekip dhe politikë e cila nuk ka asnjë lidhje me të majtën, por edhe që nuk ka gjetur rrugën dhe argumentin e duhur e bindës për rikthimin në pushtet”, deklaroi Konja.
Meta lëshon sinjale “dashurie”, Rama i merr edhe 50 anëtarë/Ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim po ndërron diskursin politik ndaj Partisë Socialiste me qëllim shtimin e shanseve për një bashkëpunim të mundshëm pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 28 qershorit, lidershipi socialist dhe vetë kryesocialisti Edi Rama po vijojnë të pashqetësuar, madje me një intensitet të lartë fushatën e merkatos politike për të vjelë anëtarë dhe drejtues lokalë të partisë së drejtuar nga Ilir Meta. Pas dezertimit të komanduar të disa përfaqësuesve të LSI-së në Pukë, dje 50 anëtarë të kësaj force politike në njësinë bashkiake numër 4 në Tiranë kanë dorëzuar teserat e partisë për t’iu bashkuar Partisë Socialiste.
Në deklaratën e tyre anëtarët janë shprehur kundër pajtimit të tyre me politika që po ndjek Lëvizja Socialiste për Integrim, ndërsa bashkojnë votën me Partinë Socialiste për të larguar nga pushteti Sali Berishën.
Ish-anëtari i LSI-së Gjovalin Arapi, u shpreh se, “ne vendosëm që të 50 anëtarët dhe mbështetësit tanë të largohemi nga kjo forcë, e cila i jep frymë Berishës”.
Përkundër kësaj situate dje LSI nxitoi që të rikonfirmojë se është për një bashkëpunim me Ramën. “Qëndrimi i LSI është në koherencë të plotë me të gjithë objektivat dhe veprimet e saj politike. LSI ka pasur objektiv të pandryshuar të saj fitoren e të majtës dhe progresistëve dhe nxjerrjen në pension politik të Berishës në 28 Qershor dhe ka vepruar ne funksion të këtij qëllimi. LSI ka qenë e bindur në qëndrimin e saj se socialistët dhe progresistët do të fitojnë zgjedhjet e ardhshme dhe për rrjedhojë nëse LSI do t’i duhet që të bëjë një aleancë politike natyrshëm do ta bëjë atë me Partinë Socialiste. Koalicioni fitues i socialistëve dhe progresistëve pas 28 Qershorit 2009, do të jetë demonstrim i solidaritetit dhe përgjegjësive të mëdha për zgjidhjen e problemeve të vendit dhe aspiratave të mijëra qytetarëve në luftë me varfërinë, sigurimin e një vendi pune dhe të drejtësisë sociale”, u shpreh Sekretari i Përgjithshëm, Petrit Vasili.